Pas 20 vitesh Arsenali do të luajë sërish në finalen e Champions League. 'Topçinjtë' e Londrës ia dolën të fitonin 1-0 të martën në shtëpi kundër Atletico Madridit me golin e Bukayo Saka dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-1 kalojnë më tej. Anglezët presin sot duelin Bayern Munich - PSG (4-5 ndeshja e parë) për të mësuar rivalin që do të kenë përballë mbrëmjen e 30 majit në finalen e Budapestit.
Pas fërshëllimës finale të arbitrit gjerman Daniel Siebert, Arsenali 'u derdh' në fushë për festën legjitime. Për mediet trajneri Mikel Arteta nuk e fshehu lumturinë për këtë arritje duke thënë se është një dedikim për tifozët.
"Ishte një natë e mrekullueshme. Të jetosh këto lloj momentesh me njerëzit tanë, lojtarët tanë, të gjithë në klub, është thjesht një ndjenjë e jashtëzakonshme”, tha trajneri i Arsenalit, Arteta, për Amazon Prime.
"Ka kuptim, shumë nga gjërat që bëjmë dhe nëpër të cilat kalojmë, kur sheh kaq shumë fytyra të lumtura dhe kaq shumë njerëz krenarë për atë që po bëjmë, kjo vlen. Ishte e pabesueshme që nga fillimi, mënyra se si na pritën mbështetësit tanë në stadium, energjia, pasioni që ata treguan, ishte thjesht fantastike për t'u parë", tha ai.
“Topçinjtë” kanë katër ndeshje të mbetura këtë sezon, ndërsa synojnë një dopietë historike në kampionat dhe Champions League. Ata janë në krye të klasifikimit, pesë pikë më shumë se Man. City (një ndeshje më pak) dhe mund të fitojnë Premier League pas 22 vitesh.
Nga ana tjetër, trajneri i Atleticos, Diego Simeone, tha se nuk donte të gjente justifikime pas humbjes së ekipit të tij.
"Nëse u eliminuam, kjo ndodhi sepse kundërshtarët tanë e meritonin të kalonin, ata shfrytëzuan shansin e tyre të madh në pjesën e parë dhe e merituan të kalonin më tej. Ndihem i qetë, ndihem në paqe", tha ai për UEFA-n.
"Nuk ishim mjaftueshëm të qartë me situatat në të cilat ndodheshim. U përmirësuam në pjesën e dytë. Kishte gjëra që mund të kishin shkuar në favorin tonë, por nuk shkuan mirë. Ne dhamë gjithçka nga vetja dhe tani duhet ta pranojmë situatën në të cilën ndodhemi. Falë mbështetësve dhe lojtarëve tanë, ndihem krenar për atë që kemi bërë", tha Simeone.

Bukayo Saka me golin e tij i dhuroi finalen e Champions League skuadrës së Arsenalit, e para pas 20 vitesh. I rritur me fanellën e 'Topçinjve' që në vegjëli, askush më shumë se ai nuk e ndjen këtë sukses të merituar. Pas ndeshjes së fituar kundër Atletico Madridit, kapiteni i Arsenalit tha se nuk e kishte parë kurrë një gëzim të tillë të tifozëve.
"Po më largoni nga festimet (qesh). Është kaq bukur, mund ta shihni çfarë do të thotë për mua dhe çfarë do të thotë për tifozët. Është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Ishte një ndeshje me presion të lartë që ka shumë rëndësi për të dyja palët.
Gjithçka nisi që para ndeshjes me atmosferën. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Tifozët na shtynë përpara dhe na sollën këtë moment në fund. Nuk ka asnjë mënyrë që të arrinim në këtë pikë pa pasur presion.
Duhet ta izolojmë veten nga presioni. E bëmë detyrën. Është një histori e bukur dhe shpresoj që të përfundojë mirë”, tha mes të tjerash Saka.
Komente






