Atletico Madridi dhe Arsenali barazuan 1-1 në gjysmëfinalen e parë mes tyre në Champions League. Mbrëmjen e të mërkurës ndeshja e Madridit ishte 'e mbyllur' dhe u vendos nga dy 11 metërsha që u kthyen në gola nga Gyokeres dhe Alvarez. Dueli i kthimit mes tyre dhe ai që do të vendos ekipin finalist do të zhvillohet më 5 maj në Londër.

Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Atleticos, Diego Simeone, tha se përballja e kthimit do të jetë e jashtëzakonshme dhe se të tijtë do të bëjnë gjithçka për të mbërritur në finale.

"Atmosfera, rrallë e kam parë një të tillë në fillim të një ndeshjeje. E jashtëzakonshme, e mrekullueshme, një dhuratë për ekipin. Pjesa e parë ishte më e qetë, me një rast për Julian dhe një për ata. Në të dytën u rregulluam më mirë, u ndje lodhja e tyre nga shumë ndeshje, pasi duhet të fitojnë Premier League dhe Champions. Mund të kalonim në avantazh, por portieri i tyre priti mirë dhe një mbrojtës ndali një goditje të Griezmann. Përpara kemi një sfidë të jashtëzakonshme. Na pret Londra, fusha e Arsenalit, do të shkojmë të luajmë me gjithçka kemi.

Penalltitë - Në gjysmëfinale duhet të jetë penallti e qartë. Falë VAR-it, e jona ishte penallti. Ndonjëherë të jepet, ndonjëherë jo.

Dëmtimet - Shpresoj t’i kem të gjithë të marten, në ndeshjen e kthimit.

Koke dhe Griezmann - Po flasim për hierarki dhe talent. Mbrojtja? Duhet ta rrisim nivelin, nuk mjafton vetëm të sulmojmë mirë.

Për penalltinë e dytë të Arsenalit, e anuluar me VAR - Arteta ka pretendime? Kurrë nuk komentoj opinionet e kolegëve", tha mes të tjerash trajneri argjentinas.