Arsimi, jo në përputhje me nevojat e tregut, 40% e bizneseve, me staf të paaftë

Arsimi, jo në përputhje me nevojat e tregut, 40% e bizneseve, me staf të paaftë

Foto ilustruese

Mungesa e aftësive vijon të jetë një nga shqetësimet kryesore të bizneseve në vendin tonë në aspektin e punësimit. Të dhënat e anketimit, që ka bërë PNUD (Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara) në 2560 biznese në vend për aftësitë në punësim tregojnë se 40% e ndërmarrjeve mendojnë se stafi i tyre nuk kishte aftësi. Kjo përqindje është më shumë se dyfishi i anketës së vitit 2014, ku vetëm 14% e bizneseve të anketuara thanë se stafi i tyre është i paaftë.

Analistët e studimit pohojnë se rritja e numrit të bizneseve që nuk janë të kënaqura me aftësitë e punonjësve është rritur për shkak të rritjes me 28% të numrit të të punësuarve në vitin 2014. Nga ana tjetër, bizneset kanë rritur kërkesat për aftësinë e punonjësve, për shkak të konkurrencës.
Sektori që vuan më shumë nga mungesa e aftësive janë kompanitë e ujësjellësve, menaxhimit të mbetjeve dhe minierave, respektivisht 71% dhe 66.6% e kompanive në këtë sektor.

Po ashtu vuajnë nga mungesa e aftësive të punonjësve sektorët e informimit dhe komunikimit, artit dhe argëtimit, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe profesionale, shkencore dhe teknike, të cilat kërkojnë aftësi specifike. Edhe sektori i shërbimeve vuan nga mungesa e aftësive. Më shumë se 58% e bareve dhe 70% e restoranteve, që përfaqësojnë më shumë se 13% të bizneseve të vogla nuk janë të kënaqur me aftësitë e kamerierëve dhe baristëve të tyre.

Numri më i madh i ndërmarrjeve të pakënaqura me aftësitë e punonjësve të tyre është në Veri dhe Jugperëndim, përkatësisht 63.1% dhe 55.5%.
Në të kundërt, Juglindja ka shumë pak ndërmarrje të pakënaqura me aftësitë e punonjësve të tyre, në vetëm 9.7%. Shifrat nga sondazhi konfirmojnë se ka një numër të madh baresh, restorante dhe hotele në Shqipëri. Kryesisht, menaxherët duket të jenë të pakënaqur me aftësitë e personelit të tyre, kamerierëve dhe të gjithë stafit duke përfshirë edhe kuzhinën.

Edhe fabrikat e fasonit vuajnë nga mungesa e aftësive të stafit. Zgjerimi i vazhdueshëm i industrisë së veshjeve ka krijuar një kërkesë të rëndësishme për këtë profesion. Ekziston një nevojë e vazhdueshme për zëvendësimin e stafit, ose nevoja për staf të ri.
Rezultatet e anketës tregojnë se gjendja e aftësive në disa raste në profesione si sekretar, nëpunës zyre, avokati dhe financier janë mjaft të lidhura me moshën.

Në një rast të tillë, institucionet ndërmjetëse, si zyrat e punësimit të SHKP apo private, kompanitë e rekrutimit mund të ofrojnë asistencë për nevojat e rekrutimit. Kompanitë kanë vërejtur se 62% të rasteve në kohën e rekrutimit nuk kanë përvojën e duhur për vendin e punës që kërkojnë.
Si përfundim, rreth 40% e ndërmarrjeve në Shqipëri kanë mungesa në stafin e tyre dhe se tregu i punës nuk mund t’i sigurojë kandidatët të mjaftueshëm për kërkesat e tyre.

Mungesa e aftësive profesionale është shqetësimi më i shpeshtë për shumicën e kompanive pasi 67% e tyre. Paaftësia e stafit për të mësuar është shqetësim për 41.2% të kompanive kurse aftësitë e dobëta komunikuese janë shqetësim për 30.2% të ndërmarrjeve. Puna me kohë të pjesshme është pak e përlqyer. Në vitin 2017 ishin 12,842 punonjës me kohë të pjesshme në të gjithë vendin. Puna me kohë të pjesshme parapëlqehet në call center. Sa më e madhe të jetë ndërmarrja, aq më e madhe është mundësia e punësimeve me kohë të pjesshme.

Arsimi, jo në përputhje me nevojat e tregut
Në vend që të orientohen në degë që përafrohen me nevojat e tregut të punës, studentët shqiptarë zgjedhin të studiojnë gjithnjë e më shumë në degë që tashmë ka mbingopje. Në vitin 2016, numri i studentëve që u regjistruan për studimet e larta në shkencat humanitare dhe artet u rrit me 80%, ndërsa degë që kanë lidhje me sektorët në zhvillim, si bujqësia dhe shërbimet, pësuan rënie.

Sipas të dhënave të INSTAT, më shumë se 17 mijë të rinj në vitin 2016 zgjodhën artet dhe shkencat humanitare për studimet e larta në raport me 9 mijë studentë që ndoqën këto degë në vitin 2012. Nga ana tjetër, numri i studentëve në degët që kanë lidhje me bujqësinë ra me 25%, nga 5147 studentë në vitin 2012, më 2016 ishin vetëm 2250. Rënie të madhe, me rreth 53%, shënoi edhe numri i studentëve që zgjodhën degët që kanë lidhje me shërbimet.

Por, për shkak të perspektivës, qeveria shqiptare ka parë me përparësi zhvillimin e sektorëve të bujqësisë dhe turizmit, për shkak se hapësirat për rritjen e tyre janë ende të mëdha, ndërsa këto dy degë vuajnë mungesën e njerëzve të shkolluar. Ministria e Bujqësisë dha alarmin pak ditë më parë se profesioni i agronomit është në zhdukje, teksa miratoi një ligj të posaçëm për ta kategorizuar në listën e profesioneve.
Në raport me totalin e studentëve në auditorë, ata që ndjekin shkencat humanitare, biznes dhe financë, përbëjnë mbi 50%, kurse të rinjtë që studiojnë në degët e inxhinierisë zënë vetëm 12.3% të totalit të studentëve. Nga ana tjetër, studentët që ndjekin degët që kanë lidhje me bujqësinë dhe turizmin përbëjnë vetëm 7.2% të totalit.

Ekspertët rekomandojnë ndryshim të modelit arsimor
Modeli që Shqipëria ndjek për arsimin është një kaos gati i organizuar me kopjime copa-copa dhe kurrikula që nuk mund të zbatohen dhe as nuk i vlejnë kushteve të zhvillimit të Shqipërisë. Eksperti Mehmeti thotë se aktualisht, modeli më i mirë i sistemit arsimor, që përputhet me nevojat e tregut të punës, është Gjermania. Por Shqipëria nuk e zbaton dot këtë model, për shkak të mungesës së infrastrukturës njerëzore dhe materiale. Një sistem i tillë kushton dhe Shqipëria nuk mundet ta zbatojë.

Nga ana tjetër, profesor Dhori Kule thotë se, një strategji e qartë për zhvillimin ekonomik është drejtimi më i mirë për të lidhur sistemin arsimor me nevojat e tregut të punës. Qeveria gjermane ka studiuar forcën e punës dhe perspektivat e zhvillimit në të gjitha vendet në zhvillim të Europës. Jo rastësisht kancelarja Merkel, në vizitën e saj në Shqipëri, përmendi si sektorë prioritarë, turizmin dhe energjinë, – tha ai.

Mehmeti thotë se ka disa sektorë në Shqipëri të cilët nuk kërkojnë kualifikim, por që në fakt vuajnë mungesën e thellë të njohurive. I tillë është turizmi. Formimi dhe edukimi profesional nuk garantojnë cilësi, teksa baret dhe restorantet janë një punëdhënës i madh në vendin tonë. Ai merr si shembull Shkollën e Hotelerisë dhe Turizmit “Antonio Athanas” në Sarandë. Një qytet që ka me qindra bare dhe restorante, por shumica e atyre që punojnë kamerierë dhe banakierë nuk e kanë mbaruar shkollën për këtë punë.

Një kamerier në këtë zonë duhet të zotërojë dy-tre gjuhë të huaja, teksa cilësia e dobët në shërbim largon edhe shqiptarët për pushime drejt Greqisë. Më shumë se ushqimi dhe çmimet e larta, njerëzit janë të pakënaqur me cilësinë e shërbimit thotë Mehmeti. Këtu ka një hendek të qartë që duhet përmbushur dhe mundësitë janë.

Sektori publik në Tiranë ka një hendek në edukimin e hershëm prej 2000 personash kryesisht në personel në kopsht dhe çerdhe. Ky personel përgatitet për tre vjet dhe është emergjencë për kryeqytetin. Kërkesat për shërbime të certifikuara në servise makinash janë shtuar. Gjithashtu, shërbimet e kujdestarisë për fëmijët e vegjël dhe moshat e treta. Personeli për këtë profesion përgatitet shpejt, teksa tregu po shfaq kërkesë në rritje për punë të tilla.

E vërteta është se sot, në Shqipëri nuk gjen servis për makinën të certifikuar, hidraulik të besueshëm. Po nuk plotësuam kërkesën që ka aktualisht tregu për profesionet e thjeshta e kemi shumë të vështirë të zhvillohemi në sektorët me njohuri të avancuara, – tha Mehmeti. Por profesor Dhori Kule thotë se, orientimi i modelit vjen nga strategjitë shumëvjeçare të zhvillimit dhe jo nga politikat e momentit. Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë