Arsyeja meskine e Kosovës për ta refuzuar Ballkanin e Hapur

Arsyeja meskine e Kosovës për ta refuzuar Ballkanin e Hapur

Të gjitha partitë politike shqiptare në Kosovë janë pozicionuar kundër Ballkanit të Hapur. Fjalitë e çaraveshta të tyre nuk përmbajnë arsyen e vërtetë të këtij kundërshtimi. Kjo arsye – që unë e quaj meskine – shprehet në fund të këtij shkrimi.

Se kemi klasë politike provinciale e analfabete kjo është dëshmuar vazhdimisht. Por, papërgjegjësia e tyre po bëhet gjithnjë e më rraskapitëse: ndërrojnë krejt qëndrimet që i mbronin me pasion dikur (VV); formojnë qëndrime qesharake politike atypëratyshëm, me ngut e pa mendim (PDK); dhe i dalin kundër njëra-tjetrës nga pozicione të njëra-tjetrës (të gjithë).

Pra, tok së bashku, të gjithë liderët shqiptarë të Kosovës janë kundër Ballkanit të Hapur. Por, asnjëri nuk mund të ofrojë asnjë shpjegim të vetëm koherent për arsyen prapa këtij kundërshtimi. Përmendet – pa elaboruar gjatë – deficiti ynë tregtar me Serbinë. Serbia eksporton mallra drejt Kosovës më shumë se që eksporton Kosova drejt Serbisë, thonë ata. Merreni me mend! Pra, harrojnë krejtësisht – e ndoshta as që e dijnë – se vlera e eksporteve të Serbisë drejt Kosovës është vetëm 2% e eksporteve të përgjithshme ndërsa vlera e eksporteve të Kosovës drejt Serbisë është 8% e eksporteve të përgjithshme. Pra, deficiti tregtar është arsye qesharake (dhe më fyen edhe mua personalisht që më duhet ta them): Serbia ka ekonomi më të madhe, treg më të madh, prodhim më të lartë. E megjithatë, nëse e fusim në ekuacion vogëlsinë e ekonomisë tonë, ne përfitojmë më shumë se sa që përfiton Serbia. Përveç kësaj, ne ia shohim hairin – si qytetarë – madje edhe eksportit të mallrave serbe drejt nesh, sidomos në këtë kohë të rritjes alarmante të çmimeve.

*Natyrisht, nëse harrojmë krejtësisht se qytetarët janë njerëz përnjëmend dhe jo vetëm shifra në statistika atëherë perspektiva ndërron krejtësisht. Por, ta marrim të mirëqenë se na shohin si njerëz!

Një arsye deridiku e qëndrueshme për kundërshtim do të ishte thyrja e status quo-së në dialogun dhe raportet jonormale me Serbinë. Thënë në mënyrë të qartë, ne nuk duam të marrim pjesë në Ballkanin e Hapur sepse konsiderojmë që kjo do t’i zbehte peshën dialogut që zhvillohet tash e njëmbëdhjetë vjet në Bruksel. Na duhet njohja nga Serbia, dhe kjo nismë rajonale – që do të shtonte tregtinë dhe stabilitetin rajonal, e po ashtu edhe tregtinë dhe normalitetin mes Kosovës e Serbisë –  mund ta dekurajojë shtetin fqinj që të na njohë dhe të angazhohet përmbajtësisht në dialog. Të bëhemi sikur ky argument qëndron.

A e dini se kush është në pushtet aktualisht në Kosovë? Emri i tij është Albin dhe mbiemri i tij është Kurti. Prej shpalljes së Pavarësisë e këndej, ky politikan vazhdimisht ka argumentuar se si NUK NA DUHEJ njohja e Serbisë e nuk na duhej dialogu. Pra, status quo-ja nuk ishte në dëm të interesave tona por dialogu me kompromiset e bëra në të. A ka ndonjë shpresë për fundin e këtij dialogu? Retorika aktuale e Serbisë vetëm sa është përkeqësuar prej fundit të vitit 2018 kur i vendosëm tarifën doganore (taksa). Në anën tjetër, përkundër që i shkeli qëndrimet e mëparshme për mospjesëmarrje në dialog pa kërkimfalje e dëmshpërblime dhe përkundër që i plotësoi kushtin Serbisë që të mos i vendoste reciprocitet, Albin Kurti nuk ka ofruar ndonjë propozim konkret që duket i pranueshëm për Brukselin e Beogradin.

Prandaj, argumenti i forcimit të status quo-së politike nga prosperiteti rajonal ekonomik dhe normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi mund të përdoret nga LDK-ja e PDK-ja – të cilat vazhdimisht e kanë përmendur rëndësinë e madhe të dialogut –  por jo edhe nga kryeministri Kurti. Ballkani i Hapur – nëse e marrim të mirëqenë se forcon status quo-në në raportet me Serbinë – përbën një rast të jashtëzakonshëm për Kurtin që të çohet përpara qëndrimi politik se dialogu nuk është/do të jetë vendimtar për të ardhmen e vendit (prioritet i gjashtë a shtatë, deklaronte). E po ashtu, është i rëndësishëm edhe që të kemi një rritje domethënëse ekonomike që do të rriste mirëqenien qytetare.

Në fakt, e kundërta e plotë e këtij argumenti është e vërtetë. Status quo-ja nuk do të përforcohej por do të thyhej duke qenë se qarkullimi i përditshëm i njerëzve dhe mallrave do të ndërtonte ura komunikimi mes popujve dhe do të çonte drejt një normalizimi ekonomik. Askush nuk do të skandalizohej me shifrat e importeve nga Serbia, sepse secili do t’jua shihte hairin ose do ta shihte ku po ndodh hairi. Akuzat nacionaliste që shkëmbehen e këmbehen vazhdimisht nga politikanët tanë do të ekspozoheshin si patetike. Dhe, patetizimi i nacionalizmit është makthi që i fut dridhmat politikanëve tanë nacionalistë etnikë që e kanë të pamundur të rezonojnë jashtë saj. Normalizimi i raporteve nga poshtë, pra nga qytetarët e thjeshtë serbë e shqiptarë, do t’i merrte pushtetin krejtësisht atyre që janë lart mbi temën: liderëve.

Nëpër shtete liberale kjo ndodh vazhdimisht për tema të ndryshme. Pushteti është lëvizës, dhe kapet nga njerëz që dinë ta përdorin. Në shtetet joliberale, pushteti koncentrohet në pak duar pavarësisht nëse dinë ose jo që ta përdorin.

Tembrapshtën e dialogut dhe raporteve me Serbinë deri tash e ka ndihmuar edhe bashkësia ndërkombëtare. Edhe ajo, ka besuar që do të funksiononte pajtimi nga lart poshtë duke shpërfillur krejtësisht qytetarët e thjeshtë, interesat e tyre, e njëkohshëm edhe qytetarët realë që qëndrojnë prapa narrativave të dhimbjes që u eksploatuan pafund prej politikanëve. Meqë Ballkani i Hapur do të hiqte efektivisht kufijtë dhe do të rriste shkëmbimet, rrezikon seriozisht që të zbeh narrativat nacionaliste në qarkullim duke u dhënë më shumë pushtet në duar qytetarëve dhe interesave të tyre.

Nëse dikush dyshon që Ballkani i Hapur mund të ketë ndikim mbi politikëbërjen, atëherë e lus të mendojë për mënyrën se si nisi Bashkimi Evropian.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës