60 vepra arti realizuar në gur nga skulptorë vendas dhe të huaj i dhuruan qytetit juglindor të Korçës një muze të vërtete në natyrë këtë qershor.
Abstraktja dhe liria e shpirtit artistik shprehur përmes artit të gdhendjes në gur erdhi këtë herë në edicionin e X të simpoziumit Ndërkombëtar të skulpturave, ku artistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës u bënë bashkë me punimet e tyre në Parkun e Qytetit të Korçës.
‘Është kënaqësi që jam pjesë e këtij simpoziumi. Simpoziumi i Korçës ka rëndësi të veçantë për mua sepse është një ndër aktivitetet e vetme të tilla që organizohen në Shqipëri’.- u shpreh Butrint Morina, skulptor.
‘Simpoziumet kërkojnë një intensitet pune. Jam shumë i lumtur që marr pjesë në këtë simpozium me artistë kaq të arrirë. Ne kemi punuar fort për të sjellë këtë punë tonën 8 orë ose 9 orë në ditë. Korça më jep një frymëzim të madh në punën time’- u shpreh Ali Xhebari, skulptor nga Irani.
Për kuratorin Genti Tavanxhi, rëndësia e simpoziumit qëndron në inkurajimin e artistëve të rinj për zhvillimin e kësaj gjinie të artit bashkëkohor, po aq sa në zhvillimin e jetës kulturore të qytetit.
‘Jam shumë i gëzuar për pjesëmarrjen. Skulpturës së parkut nuk i është dhënë asnjëherë mundësia të paraqesë formën e mirëfilltë dhe gjuhën stilistike. Me simpoziumin e Korçës ne i kemi realizuar të gjitha këto gjëra duke sjellë artistë nga e gjithë Bota nga vende të largëta. Ne kemi mundësuar shprehitë artistike, një iniciativë që do të ndihmonte dhe artistë shqiptarë të kalonin nga faza komuniste tek ajo bashkëkohore.’- tha kuratori Gent Tavanxhi.
Parku Rinia në Korçë është kthyer në një vend jo vetëm çlodhës, por edhe turistik për nga numri i madh i skulpturave të instaluara. Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës është i vetmi i organizuar në Shqipëri, ndërsa këtë edicion aktiviteti u zhvillua përgjatë dhjetë ditëve, nga data 20 deri më 30 qershor në Korçë.