TIRANE - Ish-ministrja e Jashtëm, anëtarja e kryesisë së PS dhe kandidate për depute në qarkun e Korçës, Arta Dade, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ka deklaruar se ndjente keqardhje për ata deputetë të PS që u ngjitën në tribunë përkrah Berishës si kandidatë të PD në zgjedhjet e 23 qershorit. Madje thotë se njërin prej tyre, pa përmendur emrin e Islamit e kanë shpëtuar në vitin 1996 nga duart e SHIK-ut të Berishës.

Njëherësh ajo ka vlerësim për kandidatin e pavarur Arben Malaj, të cilin e cilëson si pjesë të PS, ndonëse thotë se asnjëherë nuk ka hartim listash perfekte, duke vlerësuar të gjithë ata që janë jashtë listave dhe duke i cilësuar si pjesë të qeverisjes së ardhshme të majtë. Dade shprehet e bindur në fitoren e PS dhe largimin e Berishës.

Megjithëse tashmë e keni filluar fushatën në qarkun e Korçës, por dhe në këtë ditë kolonjare me ekspozitën fotografike jeni në fushatë. Si e vlerësoni startin e PS për 23 qershorin?
Jam shumë e impresionuar nga ekspozita fotografike, me foto të vjetra që pasqyrojnë Kolonjën e 100 viteve të fundit. Sigurisht që nuk them ndonjë gjë të re, pasi dihet që Kolonja është një trevë që ka vlera të patjetërsueshme në themelet e shtetit dhe të shoqëqrisë shqiptare ndër shekuj. Unë ndjehem mirë e jam krenare që do të përfaqësoj këtë trevë në Parlamentin e ardhshëm, vendlindjen e Fan Nolit dhe Konicës dhe të brezave të tërë që kanë kontribuar ndër vite në emancipimin e shoqërisë shqiptare.

Po të shikosh fotot në administratën e kohës së Zogut, e kupton që kolonjarët kanë qënë njerëz shumë të civilizuar dhe unë ndjehem mirë që jam caktuar në këtë trevë, përgjithësisht në qarkun e Korçës, por kryesisht do përfaqësoj trevën e Kolonjës. Kam vajtur atje dhe kam mbetur e impresionuar, madje e prekur me mikpritjen që më është rezervuar. Që do ta zgjeroja pak, jo vetëm në Ersekë e Leskovik, por edhe në Devoll, në Korçë e Pogradec.

PS është një parti e madhe, një parti e vlerave. Aty kam takuar miq dhe bashkëudhëtarë të mi prej 22 vitesh dhe kjo më dha kurajon, ptimizmin dhe entuziazmin që në qarkun e Korçës, PS do të fitojë bindshëm dhe ndjeshëm, sepse që nga themeluesit e deri te të ardhurit rishtas, ishin të gjithë sëbashku. Dhe kjo është një garanci për një fitore plebishitare në këtë qark, por edhe në të gjithë Shqipërinë.

PD hapi në Tiranë zyrtarisht fushatën elektorale të 23 qershorit. Si u ndjetë kur patë në krah të Berishës në podium disa deputetë të PS, tashmë kandidatë të PD për këto zgjedhje...?
Sigurisht që, kur kolegët rreshtohen në llogoren e cila për 22 vjet e ka nëpërkëmbur Shqipërinë, e cila e ka dhunuar jo vetëm psikologjikisht por dhe fizikisht, madje dhe vetë kandidatët e PD, ish deputetë të PS, padyshim që ndjejmë keqardhje. Por jam më shumë e dëshpëruar.

E mendoja mbrëmë dhe nuk e di si ndjeheshin ata të dy kur hipen në tribunë, përkrah njeriut që i ka dhunuar, përkrah njeriut që ka dërguar SHIK-un në vitin 1996 dhe që ne e kemi shpëtuar nga duart e këtij shërbimi sekret ndonjërin prej kolegëve që ishin mbrëmë në atë tribunë të PD përkrah Berishës, pra nga duart e SHIK-ut që ishte aq i egër në ato vite të vështira. Por, në politikë, madje kudo në veprimtarinë njerëzore, individi mban përgjëegjësi për hapat që hedh dhe hapat që nuk hedh. Kështu që përveç keqardhjes nuk kam asgjë tjetër.

Po dalja si kandidat i pavarur i anëtarit të kryesisë së PS Arben Malaj...?
Sigurisht që na vjen keq për çdo koleg që largohet nga llogorja jonë dhe nga skalioni ku ne kemi milituar dhe kemi kapërcyer sëbashku sfida të jashtëzakonshme, madje sfida tejet e të vështira në ndërtimin e demokracisë në Shqipëri, në zigzaget që ka përjetuar tranzicioni kaq i vështirë. Padyshim që kur kolegët nuk i kemi në krah, jo vetëm na vjen keq, por edhe nuk e besoj kurrë se do t’i kemi kundërshtarë.

Grupi i PS, jo vetëm në këto katër vite por në të gjithë jetëgjatësinë e Partisë Socialiste ka qënë një grup dinjitoz, me vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm politike por edhe personale. Dhe Arben Malaj është një nga profesionistët më të mirë të grupit të Partisë Socialiste dhe sigurisht edhe i suksesshëm në postet që ai ka mbajtur si Ministër i Financave dhe i Ekonomisë. Arben Malajn e shikoj përsëri bashkë me ne, nëse do t’ia dalë në vendimin që ai ka marrë.

Po lëvizjen e deputetëve nga një qark në një qark tjetër, si e shikoni në raport me zgjedhjet e 23 qershorit...?
Unë kam patur disa komente, edhe në median e shkruar lidhur me kriteret për listën e kandidatëve për deputetë. Sigurisht që, nëse figura të spikatura të partisë lëvizin nga njëri qark në tjetrin, nuk përben ndonjë problem. Sepse ka një dimension politik më gjërë se sa thjeshtë zona elektorale apo qarku në të cilin mund të kenë kontribuar në një mandat paraardhës.

Mirë është që kjo të bëhet në kohën e duhur, që edhe kandidati për deputet që i atashohet një zone të caktuar, të ketë gjithë kohën e mjaftueshme për t’u orientuar dhe për të njohur strukturën në radhë të parë të partisë, por edhe zonën. Megjithatë besoj që kjo është respektuar për shumicën e kandidatëve për deputetë. Në raste të veçanta, me sa duket ka qënë e paevitueshme.

Për deputetët aktualë që mbeten jashtë listave të kandidimit, mendoni se me gjithë këto lëvizje PS bashkë me aleatët do të arrijë të maksimalizojë votën...?
Asnjëherë në hartimin e listave nuk mund të pretendosh që ka perfeksion. Sigurisht që unë jam e dëshpëruar për kolegët e mi që nuk janë më në lista, për të cilët ndaj respektin më të madh për punën dhe kontributin që ata dhanë në këto katër vite dhe një pjesë edhe për më shumë vite se sa një mandat katër vjeçar.

Unë shpresoj dhe besoj fuqishëm që këta kolegë do të përfshihen në qeverisjen e vendit pas 23 qershorit. Jam e bindur që janë pjesë e angazhimeve tona dhe gjatë fushatës, sepse ata janë të civilizuar dhe të kulturuar që në një moment të vështirë, të mos e ngatërrojnë me egzistencën dhe sfidat e Partisë Socialiste.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)