Arti në kohën e komunizmit dhe mallkimi shkatërrues në PD

Arti në kohën e komunizmit dhe mallkimi shkatërrues në PD

Saldatoret, veper e realizmit socialist nga Zef Shoshi

Partia më e madhe e opozitës shqiptare, edhe me më të rinjtë që po e marrin dalëngadalë në dorë atë, nuk po i shpëton dot mallkimit shkatërrues që i ka rënë mbi kokë. Diçka duhet bërë! Diçka duhet të bëjnë!

Eshtë e pabesueshme të ketë dalë nga dora e tyre një propozim për zhdukjen e çdo shenje të propagandës së ish-regjimit, edhe në krijimtari, edhe në art, si për shembull mes të tjerave, në artet pamore dhe në kinematografi. Eshtë sikur hebrenjtë të flisnin për masakrën hitleriane ndaj tyre pa përmendur Hitlerin, njerëzit që e rrethonin, çdo shenjë, fakt, dëshmi, vend të lidhur me gjithçka hitlerianët bënë në të tyren propagandë fillimisht, e më pas shfarosje. Sikur të vendosnin ta hidhnin në erë një Aushvic të tërë, të konsideruar si “shenjë, vepër e diktatorit më të egër në botë”.

Në “Shqiptarja.com” mund të lexoni të plotë projektilgjin, ku kuptohet menjëherë një dëshirë e madhe për të shuar gjithçka u krijua në 45 vite diktaturë, pa dallim dhe hezitim. Por nëse zhduken me një të rënë të lapsit, kush do të kuptojë se ç’ishte në të vërtetë ajo kohë? Do të mbeten objekte në muze, por nuk do të kishte muze në botë të përmblidhte trishtimin, propagandën, bombardimin që detyroi një popull të tërë, intelektualë, punëtorë dhe jo, të mendonin njësoj!

Nëse do të vihen në turrën e druve veprat me punëtorë plot muskuj e krenarë me yllin në ballë dhe teserën e partisë në dorë, apo baresha që lexojnë “Zërin e Popullit” dhe në majë të maleve, si do t’u shpjegohet më të rinjve rreziku dhe deformimi që një diktaturë sjell në Art? Nëse do të hidhen në turrën e druve pikturat që vizatojnë liderin suprem të ndritshëm, të bukur, të shkëlqyer dhe me grushtin e gishtin lart, si do t'i dallojmë dhe kuptojmë të njëjtat sjellje dhe të njëjtat hosanara që militantë shprehin për të tyrin lider me të njëjtin zell sot? 

Nëse do të digjen në turrën e druve filmat e Kinostudios Shqipëria sot, ku sekretari i Partisë ishte gjithnjë i mirë, i drejti dhe tregtarët, priftërinjtë, avokatët, apo ata që kishin studiuar në Perëndim, ishin djajtë, si mund ta mësojnë shqiptarët në 100 vitet që vijnë që ne ishim një “Kore Veriu” në Europë dhe se duhet të bëjmë të pamundurën të rezistojmë ndaj çdo geni diktatorial?

Të rinjve sot u bëjnë përshtypje veprat e artit të krijuara në kohën e diktaturës. Ata qeshin me heronjtë që i vunë gjoksin një tanku, duke e konsideruar më shumë se sa një akt heroik, një gjest pa kuptim. Habiten me stërmuskujt e punëtorëve në kantiere, fytyrat e skalitura dhe sytë largëpamës të mbushura plot shpresë dhe me dritën e partisë. Partizanët, gjithnjë fitimtarë e të bukur, me gjermanët e fashistët që bien prej urave si të ishin fiq. Pastaj, nëse shohin të njëjtin Art të prodhuar në Kinë apo në Bashkimin Sovjetik, mund të kuptojnë se ishim thjeshtë ndjekës të të tjerëve diktatorë, ndërsa prodhimin tonë kishim vetëm më të fortin izolim dhe më të zellshmin spiunim.  

Vetë lindja e një ideje të tillë, tregon fort se sa e gjallë është ende diktatura, censura, shkatërrimi dhe përjashtimi mes shumë individësh ende sot. Asgjësimi, në vend të debatit, ndërgjegjësimit, reflektimit.

Me të njëjtën logjikë për shuarjen e shenjave të regjimit komunist, një parti tjetër mund të dalë e të kërkojë zhdukjen e shenjave fashiste mbi Tiranë: Bulavardi kryesor i kryeqytetit tonë të dashur u projektua i tëri në formën e fashos fashiste dhe sheshet dhe godinat e saj nga arkitektë që i shërbyen dhe u paguan nga fashizmi.

Atëherë, le të shfaroset edhe gjithçka ata lanë? Fashistë e komunistë, le të zhduken të gjithë bashkë?  Arkitektët Bosio, Bertè, Brasini, Di Fausto e të tjerë e të tjerë, që projektuan planin e parë urbanistik dhe ndërtuan aty kur dikur nuk kishte asgjë, u paguan nga fashistët, nga pushtuesit tanë. Atëherë? Çfarë do të ndodhë me këto shenja mbi Tiranë?

Sa e kotë paska qenë protesta për Teatrin Kombëtar, brenda të cilit jo vetëm iu thurën drama e spektakle regjimit komunist, por edhe u projektua e ndërtua nga fashistët, që njësoj si komunistët, nga liria e demokracia patën një alergji të paparë.

Por në Itali sot askujt nuk i shkon nëpërmend të djegë librat e Giuseppe Ungarettit, Luigi Pirandello-s, Curzio Malaparte-s apo pikturat e Mario Sironit, Renato Bertellit apo Giacomo Balla-s?

Vetëm pak kohë më parë veprat pompoze fashiste të Sironit u ekspozuan për muaj të tërë në Pallatin Mbretëror në zemër të Milanos dhe askujt nuk i shkon nëpërmend t’i censurojë, edhe sepse kushtojnë miliona sot, ashtu si në Tiranë kanë arritur në një çmim të jashtëzakonshëm pikturat e realizmit socialist tashmë.

Talebanët i urrejmë sepse ata hedhin në erë monumente e vepra arti vetëm se nuk përputhen me ideologjinë e tyre, atëherë si mund të pranojmë sot mes nesh ata që duan të bëjnë një seleksionim kush vepër arti meriton apo jo të ekzistojë, pavarësisht ideologjisë dhe frymës së një epoke të caktuar historike?

Dhe më interesante për t’u kuptuar: Cilët janë ata që do ta bëjnë këtë seleksionim dhe si do ta bëjnë? Ku do të shkojnë ato qindra piktura dhe skulptura të asaj kohe që qëndrojnë në gjithë institucionet shtetërore sot, duke nisur nga Presidenca, Kuvendi, Ministri e zyra anembanë? Një ekspert i thjeshtë e di se sa mund të kushtojnë e çfarë vlere të jashtëzakonshme tregu kanë. Ndoshta dikush dëshiron të mbulojë vepra arti që mungojnë?

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 15/09/2022 04:39

    /A.N/,amerikanet i ndershkuan komunistet atehere,por sot e quajne nje gabim te madh kete qe kane bere.Kur Elia Kazan para disa vitesh morri cmim karriere,shumica e salles nuk u ngrit ne kembe,as ne shenje respekti dhe nje pjese e mire i qendruan ftohte dhe as nuk e duartrokiten.Elia nuk ishte as komunist,as antikomunist ne te ri,por kur ne vitet 50'e morren ne pyetje per lidhjet me komunistet,i zbrrazi zorret dhe tregoi emra komunistesh ne art,te cilet e pesuan rende per vite me rradhe.Pikerisht akti i spiunllekut nuk iu fal kurre,por duhet thene, qe sikur te kishte denoncuar nazistet,fashistet,nuk do te ishte trajtur kaq keq,sac u trajtua per spiunimin e komunisteve.E,megjithate sot ne U.S te dy ekstremet jane te lejuar,Neo nazistet,supremacistet e bardhe nga nje ane dhe ANTIFA,(antifashistet),komunistet, etj nga ana tjeter jane ne aktivitet dhe te mbrojtur me ligj.E vetmja gje qe nuk lejohet jane aktet e dhunes ne emer te nje ideje,per kete i pret burgu te dy palet.

    Përgjigju
  • Iris: 14/09/2022 06:02

    Edhe Amerika kaloi nje periudhe marrezie te tille gjate viteve 50'ku persona me lidhje komuniste u ndershkuan rende.Konsiderohet si nje nga periudhat me te erreta te historise amerikane,po keshtu ne 1934 ne ind.e filmit u vendos i ashtuquajturi //Hays code//,nje forme censure qe ndalonte cdo shprehje,imazh,apo veprim provokativ ne filma,nje tjeter akt qe sot konsiderohet lajthitje.Sot ka diskutime per filma e vepra te vjetra me permbajtje raciste,misogjinie,ksenofobie qe jane ne pikepyetje pare nga kendveshtimi i sotem,por nuk behet fjale per t'i ndaluar.PD ka nevoje te mesoje nga U.S si duhet te sillesh me artin,kulturen,literaturen,etj kur behet fjale per tema te nxehta,por per fat te keq po sillen si talebanet dhe fanatiket e ISIS.

    Përgjigju
    • A. N.: 14/09/2022 07:37

      Ne 2 fjali te vetme kundershtove vetveten. Te bejme si amerikanet dmth te ndeshkojme komunistet e viteve 50 apo te mos bejme si amerikanet?

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Profesionet e lira/ Administrata Tatimore: Janë rimbursuar 6,1 mln euro të 7688 tatimpaguesve, të deklarohen dhe 449 të mbeturit!

Profesionet e lira/ Administrata Tatimore: Janë rimbursuar 6,1 mln euro të 7688 tatimpaguesve, të deklarohen dhe 449 të mbeturit!