‘Artist, mësues, njeri që pikonte mirësi’! Një vit pa Kristaq Dhamon, Kurti e Xhepa rrëfejnë ‘babanë’ e filmit shqiptar! E bija: Kujtonte vendin dhe në ditët e fundit

Mungesa e tij është vetëm fizike... Një vit pas ndarjes nga jeta të regjisorit Kristaq Dhamo, karriget e pritjes në sallën “Bogdani” të 15-katëshit, janë plot...

“Jemi mbledhur sot këtu për të kujtuar Kristaqin tonë të dashur, së bashku me të gjithë ata që e kanë dashur dhe që kanë kaluar me të pjesë të jetës së tij”, thotë e bija, Rudina.

Në radhët e para, krahas dy bijave Rudinës e Delinës, qëndrojnë dy ikonat, Tinka Kurti e Margarita Xhepa...

“Prania juaj sot tregon se sa e thellë është trashëgimia e tij shpirtërore dhe artistike që me siguri nuk do të humbasë”, shton ajo.

Familjarët dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit kanë dashur ta kujtojnë përmes veprës kinematografike e humane.

“Kishte një lidhje të fortë me vendin e tij të cilin nuk e harroi dhe e kujtonte me nostalgji deri në ditët e fundit të jetës”, tregon Rudina duke falënderuar më tej Arkivin dhe regjisorin Joni Shanaj, që është duke përgatitur një dokumentar për të.

Kryeinxhinieri i ish-Kinostudios Abaz Hoxha, rrëfen për regjisorin pas kthimit nga Budapesti ku studioi, kur përpiqej bashkë me të tjerë, të vendoste gurë themelet e kinematografisë shqiptare...

“Ai kishte tri cilësi kryesore; ishte artist, mësues i brezave dhe njeri i shkëlqyer”, thotë ish-kryeinxhinieri i Kinostudios, një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, Abaz Hoxha

Filmi i parë artistik i gjatë vendas ‘Tana’, siç thotë, ai u realizua në kushte tepër të vështira, në vitin e largët 1958.

“Ishin disa prozhektorë të mëdhenj që prishnin dhe planin e dytë dhe u vrisnin sytë aktorëve, mikrofona të papërshtatshëm, kushte teknike shumë të vështira, në të cilat punoi Kristaq Dhamo”, tregon Hoxha

Tinka mes emocioneve, tregon momentin kur Dhamo i kthyer nga Hungaria me buzëqeshjen e paqtë e elegancën karakteristike e përzgjedh si protagonisten e filmit të tij të parë.

“Sapo ishte kthyer nga Budapesti, dhe ne ishim me një grup artistësh do jepnim shfaqje. Ai u afrua me sjelljen e tij të qetë dhe më tha: Ti do të jesh Tana! Dhe kështu u bë! Kemi punuar shumë bukur bashkë, ai ishte njeri i rrallë”, tregon aktorja Tinka Kurti, protagoniste në filmin ‘Tana’.

Kolegët e kujtojnë si mësuesin e kineastëve që e pasuan.

Margarita Xhepa sjell ndërmend, kur shoqëroi për dy javë në Dardhë të Korçës dyshen e regjisorëve Ibrahim Muço e Kristaq Mitro për filmin  “Dimri i fundit”.

“Ka ndenjur dy javë me ne në Dardhë. E kujtoj kur teksa bisedonte me mjeshtrin e kamerës Ilia Tërpini, komentonte se sa bukur i dukej skena e grave të zeza në dëborë të bardhë. Një kontrast që sipas tij, edhe nëse do të ishte filmi me ngjyra duhet të ruhej i tillë”, thotë aktorja Margarita Xhepa.

Aktoret thonë se prej tij mësuan sekretet që e ‘zhvishnin’ interpretimin në film nga teatraliteti.

“Unë pata fatin të punoj dy filma me Kristaqin “Vitet e para” dhe “Gjurmët” . I ndante me kujdes dhe karakteret e vogla”, thotë Xhepa.

Në sheshxhirim, por edhe si udhëheqës artistik i Kinostudios, ai përpiqej t’u jepte artistëve hapësirë. Me thjeshtësi të ekuilibronte raportet mes tyre, duke u përpjekur t’u mësojë edhe përmes sjelljes së tij, thjeshtësisë, se të qenit njeri vjen mbi gjithçka..

“Shpeshherë themi për dikë, sa artist i mirë apo sa njeri i mirë ishte... Kristaq Dhamo i kishte të dyja. Ishte artist i shkëlqyer. Ishte modeli më i bukur i njeriut që i pikonte mirësi, thjeshtësi”, shprehet Xhepa.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka