Artistët, letër KE-së për shkeljet ligjore mbi shembjen e Teatrit Kombëtar

Artistët përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dorëzuan sot një letër në zyrat e Komunitetit Europian. Në të rendisin të gjitha shkeljet juridike, që janë bërë në miratimin e ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Marshimin e ditës së nesërme nga Teatri Kombëtar tek Presidenca edhe Kryeministria, artistët më shumë sesa protestë e konsiderojnë një festë, nëpërmjet të cilës do të kërkojnë që Teatri Kombëtar mos të shembet, por edhe për të drejta të tjera qytetare. Aktori Neritan Liçaj pas dorëzimit të letrës në zyrat e Komitetit Europian, flet për rëndësinë e letrës.

Ne dorëzuam letrën në të cilën argumentojmë të gjitha shkeljet ligjore, që janë bërë në miratimin e ligjit. Mbetemi në pritje të përgjigjes së tyre. Ndërsa marshimi nesër më shumë sesa protestë do të jetë një festë, nëpërmjet të cilës do të kërkojmë të drejtat tona.

Neritan Liçaj, aktor

Aktori Sokol Angjeli shprehet se jetojmë në demokraci edhe njerëzit kanë mendime të ndryshme.

Shpresa vdes e fundit, ne do të bëjmë rezistencë. Është gjë e mirë që njerëzit kanë mendime të ndryshme.

Sokol Angjeli, aktor

Marshimi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit  Kombëtar nga Teatri tek Presiudenca dhe Kryeministrja bëhet nesër, ora 18.30.

Letra e plotë:

Aleanca për Mbrojtën e Teatrit

Sot, Aleanca per Mbrojtjen e Teatrit u ka derguar kete leter disa prej zyrtareve me te larte europiane qe merren me zgjerimin dhe integrimin e BE, si edhe ambasadoreve te vendeve anetare te BE ne Tirane.

ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT KOMBËTAR
Tiranë, më dt 11.07.2018

Drejtuar: SH.T.Z. Johannes HAHN
Komisioner Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerimin

SH.S.Znj. Federica Mogherini
Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë
SH.S.Zj. Romana VLLAHUTIN
Përfaqsuese e Misionit të Bashkimit Europian në Shqipëri

Përfaqësuesve të misioneve diplomatike në Shqipëri të vendeve anëtare të Bashkimit Europian

Objekti: Informacion në lidhje me paligjshmëritë në miratimin Ligjit: “PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS ME OBJEKT “PROJEKTIMI DHE REALIZIMI I PROJEKTIT URBAN DHE GODINËS SË RE TË TEATRIT KOMBËTAR”.

Të nderuar zonja e zotërinj,
Duke Ju siguruar për konsideratën më të lartë për Ju dhe punën Tuaj, dëshirojmë që përmes kësaj letre, t’Ju informojmë në lidhje me miratimin nga ana e Parlamentit të Shqipërisë të Ligjit: “Për caktimin e procedurës së vecantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, si dhe njëkohsisht t`Ju shprehim mendimin tonë mbi shkeljet e rënda që përmban ky ligj.

Kuvendi i Shqipërisë, në mesnatën e të Enjtes datë 05.07.2018 miratoi ligjin e sipërcituar, i cili sanksionon kalimin tek një kompani private e përcaktuar në ligj me emër, të hapësirës publike në qendër të Tiranës, në zonën ku sot gjendet Teatri Kombëtar.

Që nga momenti i prezantimit të idesë, në vend ka pasur një reaksion publik, për shkak të faktit që një iniciativë ligjore e tillë qëndron kundër parimeve kushtetuese dhe morale, mbi të cilat është ngritur dhe funksionin shteti shqiptar. Për rreth një muaj rrjesht, artistë, personalitete të artit dhe kulturës, aktivistë të shoqërisë civile, njerëz të letrave, gazetarë, aktorë politikë dhe qytetarë të shqetësuar kanë protestuar në mënyrë demokratike në oborrin e Teatrit Kombëtar kundër kësaj iniciative.

Njëkohësisht, mbi pesë mijë qytetarë kanë firmosur një peticion drejtuar Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe një sërë personalitetesh vendimmarrës të vendit, duke iu bërë thirrje që të ndalojnë këtë iniciativë ligjore që në fakt vetëm ligjshmëri nuk ka. Procesi i firmosjes vazhdon dhe do Ju dërgohet edhe Juve një kopje e peticionit në përfundim të tij.

Sikundër e theksuam dhe më lart, ligji i miratuar shkon kundër parimeve kushtetuese dhe parimeve morale mbi të cilët shqiptarët kanë vendosur të ngrenë shtetin e tyre.

Së pari, ky ligj shkel parimin kushtetues të "Barazisë përpara ligjit" përcaktuar në Nenin 18 të Kushtetutës.

Ligji në fjalë me mënyrën sesi parashikon përfituesin(kompani private e përcaktuar në ligj me emër –rast i paprecedentë ky)në veprimtarinë ekonomike që rrjedh prej tij, shkel njëkohësisht parimin e barazisë përpara ligjit dhe parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve(e cila sanksionohet në nenin 11, pika 1 të Kushtetutës)pasi paracaktimi i operatorit ekonomik, i cili do të ngarkohet për kryerjen e aktivitetit ekonomik, pa ju nënshtruar konkurencës, por me përcaktim të drejtëpërdrejt në ligj, privon lirinë e veprimtarisë ekonomike për shtetasit e tjerë, vendas apo të huaj, që do të dëshironin të konkurronin për një mundësi veprimtarie ekonomike.

Së dyti, me këtë ligj shkelet parimi i sanksionuar në nenin 4 pika 1 të Kushtetutës: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Që do të thotë se asnjë institucion shtetëror nuk mund të veprojë jashtë kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese, sepse ato përbëjnë bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së atij institucioni.

Ndaj dhe kemi bindjen se parlamenti ka dalë jashtë kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese në miratimin e këtij lloj ligji. Nuk mund të miratohet një ligj për një emer të veçantë. Ky projekt i takon Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Kulturës, ose vetëe Këshillit të Ministrave, por jo Parlamentit. Parlamenti ka miratuar ligje të përgjithshme se si, qeveria apo pushteti vendor duhet ti realizojnë këto projekte, por jo vetë parlamenti realizon një projekt konkret me ligj, duke anashkaluar ekzekutivin në shkelje të parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Së treti, kjo formë veprimtarie ekonomike e parashikuar kështu në këtë ligj, vjen në kundërshtim me standartet e Bashkimit Europian, ku ne aspirojmë të integrohemi dhe konkretisht me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) të nënshkruar dhe ratifikuar nga Shqipëria, ku sanksionohet detyrimi i shtetit shqiptar që kontratat publike ti nënshtrohen konkurencës së lirë dhe transparences (nenet 70 – 77 të saj). Me këtë ligj ky standard europian i detyrueshëm për ne, është shkelur.

Për ta konkretizuar se përse ligji në fjalë vjen ne kundërshtim me standartet e detyrueshme të MSA (nenet 70 – 77) po sjellim si shëmbull Ligjin nr.9643,datë20.11.2006 “PËR PROKURIMIN PUBLIK” i ndryshuar.

Në nenin 4 të ligjit për prokurimin publik parashikohen përjashtimet nga procedurat e këtij ligji. Pra parashikon se në cilat raste kontratat publike nuk i nënshtrohen konkurencës. Deri në vitin 2012 në këtë nen, si përjashtimka ekzistuar dhe nje fjali “dhe ato qe rregullohen me ligj tjeter”. Pra deri më 2012 lejohej që, me ligje të tjera të parashikoheshin kontrata publike, të cilat si përjashtim nga ligji i prokuriomeve të mos i nënshtroheshin konkurencës.

Por me ndryshimin e vitit 2012 qe ju bë ligjit te prokurimeve kjo fjali u shfuqizua. Dhe konkretisht me ligjin nr.131/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.9643, datë20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar, hiqen fjalët “dhe ato që rregullohen me ligj tjetër”.Dhe kjo ka ardhur si rezultat i presionit ndërkombëtar për tiu përshtatur standarteve të MSA.

Kështu që, si përfundim, vetë parlamenti me ligj i ka hequr të drejtën vetes të miratojë me ligje të veçanta konkrata publike jashtë procedurave të konkurences sipas ligjit të prokurimit publik.

Nëse do të lejohej ky precedent në fushën e ligjbërjes atëherë çdo mazhorancë do të miratonte ligje personale pa kufi dhe nuk do të mbante asnjë përgjegjsi në lidhje me abuzimet, pasi do të justifikohej pas kartonave të parlamentit.

Një diskutim tjetër është ai i relativizimit të problemit në fjalë nga mbrojtësit e ligjit(qeveria). Ata e paraqesin sikur ky është një problem emocional, nostalgjie, problem artistësh, kushte pune etj, etj.

Ju theksojmë se konflikti nuk ka të bëjë asfare me gjëra emocionale artistësh, etj. Por ka të bëjë më standartet Europiane të konkurencës së lirë e transparencës në trajtimin e pronës publike nga qeveria dhe mbrojtjen e kësaj prone nga korrupsioni dhe krimi.

Duhet shtuar këtu edhe fakti që jemi me një Gjykatë Kushtetuese jo funksionale dhe ky është një ligj me veprim të menjëhershëm ndaj dhe praktikisht mohohet e drejta themelore e ankimimit në gjykatë.

Nisur nga këto, duam t'Ju kërkojmë edhe një takim në lidhje me çfarë kemi parashtruar në këtë letër dhe t`Ju informojmë se angazhimi ynë qytetar do të vazhdojë me të njëjtin intensitet, me protesta të përditshme me qëllim që të kujtojmë çdo ditë kush është interesi i publikut të gjerë.

Me konsideratë të lartë,

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni