BERAT- Edicioni i pestë i Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri ka nisur rrugëtimin nga qyteti i Berat.

Mbrëmja e së dielës solli atmosferë festive në sheshin “Porta e Pashait”, ku muzika Jazz italiane mblodhi dhjetëra qytetarë dhe vizitorë.

Këngëtarja siçiliane Giovanna Magro dhe kitaristi Carlo Alberto Proto performuan për rreth një orë pjesë instrumentale dhe këngë të njohura italiane, duke krijuar një atmosferë të veçantë artistike.

Konsulli Achille Provenzano u shpreh se zgjedhja e Beratit për çeljen e këtij edicioni nuk ishte rastësore, pasi tema e këtij viti lidhet me ndërthurjen kulturore mes Siçilisë dhe Shqipërisë.

“Berati përfaqëson një qytet që mishëron historinë, bashkëjetesën fetare dhe trashëgiminë arkitekturore, duke e bërë vendin ideal për nisjen e turit të Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri”, tha Provenzano.

Artistët italianë u shprehën të impresionuar nga mikpritja e publikut dhe bukuria karakteristike e qytetit të Unescos.