Hysni Mehmeti jeton në Northeim të Gjermanisë me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij Drilonin dhe Dritanin.
Ai braktisi vendin e tij në nëntor të vitit 1991 me shpresën për një jetë më të mirë jashtë kufijve të Kosovës. Megjithëse larg, ai kurrë nuk la pas dashurinë për atdheun të cilën e materializoi në art - duke nisur nga hiçi disa vijëzime në letër të bardhë të cilat u kthyen më pas në pasionin e tij të jetës - vizatimin e portreteve bardhë e zi.
Mehmeti është rritur në një familje patriotike llapjane, e ku një prej dajave të tij ka qenë në Çetën e Llapit, krahinë e njohur për atdhetarizmin dhe luftën për çlirimin e trojeve shqiptare. I riu nga fshati Buricë nisi studimet në fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, por prej varfërisë ju desh ta ndërpriste në mes shkollimin e lartë, ku u martua dhe migroi në Gjermani. Aty ai hapi një dyqan të vogël, kryesisht me produkte ushqimore por edhe gazeta dhe ndërsa ishte në pritje të klientëve, Mehmeti nisi të vizatojë…Por shumë shpejt ato që ai i quan “zhgarravina të këqija” tërhoqën vëmendjen e qytetarëve të ndryshëm të cilët nisën të bëjnë porositë e para për portrete të të afërmve e njerëzve të tyre të zemrës që i donin të realizuara nga dora e Mehmetit.
I rritur mes patriotizmit, Mehmeti zgjodhi mënyrën e tij të veçantë për të ecur në traditën e familjes me qëllimin për të dhënë kontribut sado simbolik për atdheun. Dhe nisi të vizatojë të parin portret historik, të cilin nuk mund t’ia dedikonte tjetër kujt veçse heroit kombëtar Isa Boletini.
Ai thotë se këtë vepër të cilën aktualisht e ka varur në kornizë në shtëpinë e tij, do ta dhurojë në muzen e Is Boletinit në Mitrovicë.
(Në ditën e lumturimit të Nënë Terezës)
Por atë që 49-vjeçari quan “veprën e jetës së tij” është portreti i Ismail Qemalit.
“Mezi prisja të shikoja në TVSH kur jepej “Nëntori i dytë”, e kisha idhullin e jetës. Pastaj vlerësoj meritat e tij në rrafshin kombëtar. Shfletova Google për të gjetur imazhin e duhur dhe e realizova bukur duke e pagëzuar “vepra e jetës sime”. Bashkë me Isa Boletinin dhe Nënë Terezën u krijua një trio e pavdekshme”, - rrëfen patrioti artist.
Portretin e kryeministrit Rama, ose “njeriut të një milionë shuplakave” siç ai e quan, Mehmeti e ka realizuar në nëntor dhe mezi pret që të dëgjojë kritikën e kreut të qeverisë si njeri i artit që është, e pse jo nëse ai do ta pëlqente ta pranonte edhe si dhuratë të tijën.
Realizimi i këtij portreti nuk ka qenë aspak i lehtë për një “kundërshtar” të fortë të Ramës, por që tashmë Mehmeti thotë se e vlerëson në të njëjtin nivel me doktor Berishën - siç ai pëlqen ta thërrasë ish-kryeministrin.
“Zotin Rama e vizatova sepse ajo që ka filluar po del se ka të bëjë me nacionalizimin tim dhe të dajave të mi. Po sjell rregull dhe ligj në mëmëdheun tonë të shtrenjtë. Unë nuk bëj dallime, i dua ata që e ndërtojnë mëmëdheun tonë të shtrenjtë. Unë isha kundërshtar i tij, por tani e adhuroj në të njëjtin nivel me Doktorin”, - tregon Mehmeti, teksa shton se pret që kryeministri Rama “të flakë kritikën” e t’i japë notë si artist portretit që mban firmën e tij. “Ndoshta unë vizatoj më mirë se Edi”, - vijon ai.
Në përzgjedhjen e fotos që do ta shndërronte më tej në portret, Mehmeti thotë se është ‘ndikuar’ edhe nga një zënkë ‘online’ me Ramën, të cilën e rrëfen kështu:
“Zotin Rama e vizatova sepse më ka sharë para tre vitesh ne Twitter dhe më ka bllokuar për një kritike krejt të thjeshtë. Pozicioni i tij në këtë foto i një inatçori më pëlqeu dhe e dhashë lapsin. Nuk kam mundur t’ia çoj foton sepse faqja e tij në Facebook nuk pranon imazhe. Por dua t’i them që atë rrëmbimin që e ka, e ka me ngjyra artistike. Edhe mua ashtu më ka sharë në rrëmbim e sipër. Isha kundërshtari yt, por mere këtë portret”, - thotë 49-vjeçari teksa tregon edhe përgjigjen që shefi i mazhorancës Rama i ka kthyer në rrjetin social dy vjet më parë.
Pa asnjë “hatërmbetje” , ai nuk ngurron edhe ta këshillojë Ramën si të bëhet si Ismail Qemali!
“I them Edi Ramës që të punojë për Shqipërinë që të bëhet zonjë e randë, pastaj do të jetë i respektuar si Ismail Bej për jetë e mot. Edhe nga unë hallall e shara e Twitter”
Ndërsa vizatonte me imtësi çdo detaj të portretit të kryeministrit, 49-vjeçari rrëfen se tek Rama shikonte një vendosmëri për t’i shkuar problemit deri në fund. “E pashë kur vizatoja palosjen e syve dhe buzëve të tij…Hëhë nevriku i shqiptarisë”.
Për ish-kryeministrin Berisha, Mehmeti ka një motiv shumë më të thjeshtë përse e ‘portretizoi.
“Doktorin e vizatova sepse më del që ka një shpirt njeriu”, thotë ai duke rrëfyer më tej se portretin e finalizuar po në muajin nëntor, ndryshe nga Rama, ka arritur t’ia çojë të ‘zotit’…edhe pse vetëm përmes një mesazhi online.
“Dr. Sali Berisha më i madhi i shqiptarisë, ideatori i Rrugës së Kombit, pishtari i demokracisë, njeriu i ndryshimeve të mëdha”, thotë ai.
Por në ndryshim nga vijëzimet inatçore të kryeministrit Rama, tek Berisha, Mehmeti mbresohet nga rrudhat në fytyrën e Doktorit. “Ose janë mundim i luftës për një Shqipëri europiane, ose një stres i paparë. Lapsi futej kudo”
Megjithatë në një pikë Mehmeti i sheh të ‘pandashëm' Ramën dhe Berishën: “Të dy janë shumë karizmatik”
Dëshira e vetme e Mehmetit është që veprat e tij të ishin diku ku nuk i mbulon pluhuri. Ndërsa portretet e dy liderëve kundërshtarë politik Berisha dhe Rama dëshiron të jenë dhurata të pranuara nga kryeministri aktual dhe lideri historik i së djathtës, Mehmeti do donte që Ismail Qemali që zinte një vend që e meriton.
“Në shkolla, universitete, zyra shtetërore, nuk më duhen lekët. Nëse publike I vlerëson do të motivohem për vepra të tjera”.
Zahir Pajaziti, një nga figurat qendrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka gjetur tashmë vendin e tij. Portretin e të rënit dëshmor, Mehmeti e ka dhuruar në muzeun në kullën e tij në Orllan të Podujevës, vepër të cilën e ka pranuar me dashamirësi vëllai i Pajazitit.
Edhe Jusuf Gervalla shumë shpejt do të jetë në muzeun e tij në Deçan. "Jam marrë vesh me vajzën e tij, Donikën", - thotë Mehmeti.
Adem Jashari për artistin me talent të veçantë është njeriu që ndryshoi historinë e Ballkanit dhe gjithë botës...
Edhe Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-komandanti i UÇK-së zë një vend të veçantë në veprat e Mehmetit.
"Edhe një herë u dëshmua që njeriu o është i lindur trim o frikacak. Ramush Haradinaj është i lindur trim, nuk mposhtet trimëria e tij me kërcënime, me ndalime, me akuza, me burgosje, me shantazhime. Ai vazhdon karvanin e tij kombëtar drejt identitetit nacional ku e kishin të parët tanë: Ilirët! Qofsh i nderuar o trimi i Dukagjinit e i gjithë Shqipnisë", shprehet 49- vjeçari për portretin e Haradinajt.
Ne fshatin e lindjes Buricë
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)