Artisti për Artistin/ Leka ekspozitë
kushtuar Anasats Kostandinit

Artisti për Artistin/ Leka ekspozitë<br />kushtuar Anasats Kostandinit<br>
Ndoshta është rasti i parë në historinë e arteve tona vizuale që një piktor shndërron në objekt të artit të tij, të një ekspozite vetjake me disa punë, një tjetër piktor. Kjo ka ngjarë, pra, me ekspozitën e fundit të piktorit të mirënjohur Gazmend Leka të titulluar TASO”, për një tjetër piktor, Anastas Kostandinin. Afërmendsh se Gazmend Leka ka lënë vulën e një personaliteti të fortë, vështirë të përsëritshëm në artin tonë, vulë ku pliksen, sipas meje, disa elementë përplotësues sa dhe me një vetjakësi secili syresh, por që së toku krijojnë stil, personalitet, qasje, identitet, fizionomi.

Ajo që mua më ka trandur ka qenë të menduarit artistik të piktorit, diçka që shihet tej e tej e që merr formën e një filozofimi për njeriun, gjithësinë, qenien, shpirtin kontradiktor, transhendecën dhe mediumet eskatologjike, epimin drejt zbulesave mitike dhe një mistike që të grish me pandehmat, turbullirat, fshehtësitë, ku mendja përthithet në një simbologji sikur të jesh në labirint, shtresë pas shtrese e shteg pas shtegu, gati si një rreth vicioz, ndonjëherë hermetik, ose si një kudogjendje asociative tek je dhe s’je, ti apo piktori, njeriu si kozmos apo kozmosi si njeri, si të qe e gjitha kjo një goll a vrimë e zezë. Dhe mendja jote “filozofike” nuk lodhet duke u kalamendur në lloj-lloj arsyetimesh, gati një ekzorcizëm psikik për të njohur njëherësh artistin dhe vetveten.

Në këtë ekspozitë nuk është po ai Gazmend Leka që rrethrrotullohet si shtjellë brenda trajtave gjithfarëshe të fytyrës së vet, ose “Fytyrës së përvuajtur” të një Krishti, ose tjetërsimeve groteske e tmerruese në trajtë mitesh ku krijohen simbioza mes kafshës dhe njeriut, fytyrës dhe hapësirës, në gjithfarë prerjesh, flakërimash e pikëzimesh, e tëra në një sfond të zi të parapëlqyer, e goditur nga brusha ngjyrash të shkëputura, tejet kontraversale, krejt një kaos lëndor por i rivendosur habitshëm në harmoni piktorike.

Dhe ky Gazmend, aq elokuent në dije dhe fantazi, që i jep ngjyrës kuptimësi, “gojë”, “gjuhë ezopike” dhe e shndërron kompozimin e gjësendeve në semantikë të pastër (edhe filozofike), pikërisht në këtë ekspozitë është “ndryshe”, si në një foto mëngjesi e përmallimi, tanimë jashtë ngujimit “asketik” në studio, por në natyrë; jashtë të zezës së tij domethënëse dhe linjave grafike, por lojtar i ngjyrës, i një ngjyre të shtruar, si të hapur e si njollë, sikundër një soditës i mikut të tij, piktorit të famshëm të peizazhit Anastas Kostandinit.

Ky i fundit është kthyer prej tij në objekt piktorik, por dhe vetë natyra që e përfaqëson dhe që pështillet pas këmishës së kuqe të këtij artisti të shquar pogradecar, poet i imazhit, sikurse qe poet i papërsëritshëm i fjalës dhe i mallit dashuror, miku i tij, Lazgush Poradeci. Në të gjitha tablotë dhe peizazhet-tablo Leka duket sikur i ka bishtnuar formave efemere dhe asaj idiolatrie të mëparshme të krijuar nga ai vetë si materie e vetvetes, si vetvete e përthyer në trajta të tjera, herë të njëmendëta e herë virtuale, të shpërfytyruara (Gazmendi dhe ajo që ai përfaqëson në megapersonazhin e tij të riciklueshëm). Duket si një qenie e vetëmjaftueshme, si një portret i kudogjendshëm.

Piktura e tij te ekspozita “TASO” s’vjen më si e mbivendosur në peizazhe mitike ose apokaliptike, ku ti ndjen se aty, tok me shakullimën kozmike e mitologjike është edhe Ai, artisti G. Leka, që e humanizon lëndën, energjinë, kaosin dhe i jep trajtë njerëzore përfytyrimit mitik. Përkundrazi, si për t’i blatuar ndjenja respekti e vlerësimi estetik kolegut të tij Anastas Kostandinit, ai rreket që t’i gjegjet, me aq sa është e mundur dhe pa e tradhtuar vetveten, stilit të peizazhistit të mirënjohur, ose thënë më drejtë, formave vizive realiste: Tases teksa pikturon mbi telajo dhe peizazhin rreth e tutje tij. Afërmendsh nuk janë ato ngjyrat përshkënditëse të Tasos, ai vezullim dhe ajo hare e natyrës, e liqenit, e pemëve, e blerimit dhe verdhërimit të gjethurinave, kuqëlimit të çative, irnimit të rrugicave etj. Gazmendi i ikën imtësisë, e ofron ngjyrën në përmasë dhe në bllok. Por ama Tase (Anastas Kostandini) është gjithsesi aty. Jo thjesht si objekt i tablove të G. Lekës, ani pse në çaste pikturimi.

Është atje si frymë. Si një profil artistik i kedhur në krijim. Si peizazhist. G. Leka gati e përsërit në formë cikli piktorin Anastas, pozicionin e tij gjatë pikturimit, rrobat, kapelën, këmishën e kuqe, madje edhe peizazhin tutje dhe vendin ku ka vendosur telajon. Një herë e jep disi nga lart, një herë tjetër e sjell me po të njëjtin gjest dhe pamje nga afër. Ngjyra përshfaqet si njollë. Katër të zeza në tonime të variushme dhe e verdha e sheshit, e cila krijon një ngopje drite, për t’u zbutur e shumuar tutje me çatitë e shtëpive dhe ujanën e liqenit. Fort e gjetur është e zeza e anës së majtë të tablosë, në furçë të fortë, diçka si serë. Por ajo që ma mban syrin ngulur dhe më befason është “rrëmuja e bukur” pranë këmbëve të piktorit, tubeta bojërash të hedhura andej-këndej dhe, si për t’i dhënë lezet, vërtetësi dhe pak humor, edhe tri pula që çukisin. Kjo “thyerje” e bën edhe më njerëzore gjithçka. Ia heq veskun e një romanticizmi të mundshëm.

E dyta gjë që më tërhoqi në natyrshmërinë e kompozimit, vendosjes së figurave dhe gjestit është vatra e zjarrit, dy artistë që bisedojnë rehat-rehat, G. Leka duke ngrohur duart në zjarr dhe me një pozë të kuvendimit me mikun e vet artist, mbase një këshillë, një bisedë për artin, një zgjidhje, por e tëra është miqësore, pa “konflikt” përbrenda dhe, nga ana tjetër, fytyra e përqendruar e Anastas Konstandinit, një penel i mbetur shtrënguar në dorë, s’dihet si dhe pse,  mjekra e mbështetur në shputën e dorës që e bën të lexueshme saora vëmendjen e tij ndaj idesë së kolegut, kapelja mbi kokë që i jep një farë “arome” vetë portretit duke e zhvendosur nga klisheja. Është natë por biseda për artin, doemos për ndonjë nga punimet e fundit, nuk mbaron, përkundrazi rrjedh e rrjedh për qejf, tok me zjarrin që digjet bri tyre, çka mund ta dekodosh edhe si shenjë e ngrohtësisë së shpirtrave, si miqësi e çiltër.

Ka dhe një tablo ku piktori Gazmend Leka, ngujuar si murg në studion e tij, me paletën e ngjyrave mbi krahun e majtë, të lëshuar dhe në çast pushimi, ndërsa dora tjetër nën mjekër. Po sheh një punë, ndoshta e mbaruar, por më shumë në proces. Kërkon me sy, por më shumë me mendje, paçka se ajo s’duket, por gjesti e jep, çasti përsiatës e bën të shfaqshëm. Drita rreh fort në pjesën e djathtë të trupit, zbardhon, sidomos e bën të “lexueshëm” syrin hetues dhe meditues. Poshtë është koka e tij në allçi, që ngjan si koka e ndonjë dijetari të antikitetit grek. Edhe ajo sheh tej, për nga piktura e mbaruar ose në proces. Edhe ajo sikur mendon, kërkon një zgjidhje. Ky dualitet, e gjalla dhe e ngrira, e ngrohta dhe e ftohta, piktori dhe shëmbëlltyra skulpturore, jo vetëm krijojnë dikotominë e soditjes së objektit të artit dhe përsiatjes, por dyfishojnë mbresën, e kthejnë në një farë asociacioni provokues e domethënës: artisti dhe vepra e artit, vuajtja e paplotësisë, kërkimi i të përkryerës, meditimi, luhatja, dyshimi...

Duke biseduar me mikun tim, prof.dr. Ferid Hudhrin, ai më tha diçka të bukur dhe të gjetur, që po e shkruaj këtu. Ka një dallim të madh në stilin e dy piktorëve, i thashë unë: G. Leka me udhëtimet përtej formës reale, të dukshme të njeriut, mjedisit dhe jetës, me ngjyra të zeza, të kuqe, me zymtimin dhe fshehtësitë e mitit, me mistikën dhe simbologjinë aktive, nga njëra anë dhe Anastas Kostandini me “parajsoren” e ngjyrave, me peizazhet e mahnitshme që sikur tretin përbrenda magjinë e Mios dhe vargun e Poradecit, me lumnajën e ngjyrave që krijojnë aq shumë dritë, hare, etje për jetë, një Eden por aspak kartolinesk, kredhur në gjallëri, optimizëm, dritë, elegancë, atë që syri shpesh e kërkon dhe humbullon, hutohet dhe shkrihet nga këndellja e soditjes. Janë pra dy poetika piktorike krejt të ndryshme. Po, ma ktheu Feridi, por ka dhe diçka tjetër.

Piktura e Gazmend Lekës thuajse e gjitha është brenda studios, piktura e Anastas Kostandinit studio ka natyrën; dhe këtu ti mund të vësh re edhe dallimet. Këtu, te kjo ekspozitë, në respekt të mikut të tij, Gazi ka ikur nga studioja e tij, ka dalë në natyrë, tashmë e “vetmja” studio e peizazhistit të njohur pogradecar, ndryshe nuk mund ta jepte dot shpirtin “bredharak” të Kostandinit, përqafimin e natyrës, ajrin e freskët, peizazhin, liqenin e Pogradecit, ngjyrat. Po, ia prita, ky është vërtet një dallim i bukur, sa dhe një gjest domethënës i Lekës, duke dalë nga vetja për të mbetur po vetvetja...

Po, ekspozita “Taso” që G. Leka ia ka kushtuar mikut dhe kolegut të tij artist Anastas Kostandinit, pos vlerës së mirëfilltë të artit, ka dhe këtë gjest të bukur e fisnik që duhet përshëndetur. Kjo është nje traditë e re që lipset forcuar: Artisti për artistin...

Josif Papagjoni
dosir

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit