Pëlhurat i kthen në lule, copat në veshje tradicionale dhe penjtë në punime artizanale.

Emirjana Nika, gruaja nga Kukësi, i besoi pasionit dhe duket se ia ka vlejtur. Prej dy vitesh ajo nuk punon më në shtëpi sipas porosive, por ka hapur një biznes që, ndonëse në një hapësirë të kufizuar, është kthyer në pikë referimi për të apasionuarit pas traditës dhe punimeve artizanale.

Produkti më i shitur, siç thotë edhe vetë, janë lulet me materiale sateni, të cilat, të prodhuara nga duart e saj, ngjajnë si origjinale.

“Duke parë nëpër rrejte sociale de unë i dija saktësisht, por nuk e dija sesa treg do të kisha. Shoh që ka kërkesa dhe e vlerësojnë sadopak. Këto nuk prishen, rijnë për kohë të gjatë dhe jep një dhuratë që e kujton çdo herë”, tha Emirjana Nika.

Ka treg shitjeje, por krahas vendasve, më të interesuar për produktet e saj janë të huajt.

“Ka më shumë janë të huajt që e vlerësojnë më shumë punën e dorës”, tha ajo.

Edhe në këtë 8 Mars, sigurisht që disa nga produktet e saj janë më të shiturat, ndërsa, ndryshe nga sa mendohet, Emirjana tregon se burrat janë klientët më të shumtë, të cilët nuk pyesin kurrë as për çmimin.

“Meshkujt blejnë nuk hezitojnë tek çmimi, pavarësisht se kanë atë ndrojtjen për të blerë lule”, tha ajo.

Veç formësimit të luleve nga materiali i satenit, artizania kuksiane është krijuese edhe e shumë veshjeve tradicionale, simbolikave kombëtare dhe aksesorëve të tjerë artizanalë, përmes të cilëve ajo, veç të ardhurave, po ruan edhe traditën.