Plisi i bardhë, simbol i hershëm i identitetit shqiptar, po kërkon vëmendjen e botës. Përmes një peticioni online, qindra qytetarë kerkojne nga UNESCO-s ta përfshije në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
I punuar me dorë prej leshit të bardhë, plisi përfaqëson më shumë sesa një element veshjeje tradicionale.
Ndër nënshkrueset e para të peticionit online është Ergyle Gjurgjialo nga Prizreni, e vetmja grua që merret me prodhimin artizanal të plisave. Ajo e konsideron këtë iniciativë një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e një simboli që bart histori dhe krenari kombëtare.
Në punishten e saj ruhet një traditë mbi 100-vjeçare, e trashëguar nga familja e bashkëshortit. Ergylja vijon ta punojë plisin ose sic njihet ndryshe ‘qeleshja’, me teknikat tradicionale, duke ruajtur autenticitetin dhe cilësinë.
Artizanja tregon se ideja për aplikimin në UNESCO lindi gjatë një aktiviteti në Krujë, në kuadër të Festës së Plisit.
Përfshirja në UNESCO do të garantonte ruajtjen e teknikës tradicionale të punimit dhe do të ndikonte pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit kulturor. Deri tani, peticioni online ka mbledhur mbi 11 mijë firma, ndërsa interesi vazhdon të rritet.
Komente












