SARANDE - Parku i Butrintit, prej ditës së sotme, ka filluar së aplikuari sistemin e ri të biletave për të gjithë vizitorët që kërkojnë të sodisin pasuritë e këtij vendi arkeologjik. Përurimi është kryer mesditën e sotme dhe i ka takuar ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu të presë shiritin i cili çel kështu një epokë të re të modernizimit të sistemit të biletave për vizitorë të ndryshëm, në sitin më të vizitueshëm arkeologjik në Shqipëri.

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi dhe ambasadori Arvizu, kanë qenë vizitorët e parë që përdorën sistemin e ri elektronik të biletave.
Ndërsa më parë ministri Aldo Bumçi, ka shprehur kënaqësinë për praninë e ambasadorit amerikan, në përurimin e investimit të fundit, kontribut i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, në bashkëpunim me dikasterin që ai drejton.

Nga ana tjetër, Aleksandër Arvizu është shprehur se qeveria amerikane ka qenë mjaft e përfshirë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën dhe për këtë, ai vlerësoi kontributin e dhënë nga ana e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit jo vetëm në Butrint, por në të gjitha investimet që ai ka kryer në Shqipëri, përfshirë Aeroportin “Nënë Tereza”.

Sistemi elektronik i biletave është realizuar me mbështetjen financiare të MTKRS dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Parku Kombëtar i Butrintit është parku më i rëndësishëm në vend i cili po tërheq gjithnjë e më tepër interesin e vizitorëve, veçanërisht atyre të huaj. Ofrimi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, si një aktor mjaft i rëndësishëm në ndihmë të përmirësimit të menaxhimit të Parkut të Butrintit, procesin e hartimit të planit të menaxhimit mjedisor të tij dhe udhëzimi i përbashkët i dikasterit të linjës për përdorimin e të ardhurave të Parkut të Butrintit nga vetë Parku, janë disa nga treguesit e një procesi që tashmë ka nisur për kthimin e Butrintit në një sit arkeologjik dhe qendër turistike ndër më të rëndësishmit në Mesdhe.

(pn/shqiptarja.com)