TIRANE - Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar ditën e sotme, përmes një deklarate për vdekjen e ish-të përndjekurit politik Lirak Bejko. Ambasada e SHBA-së i ka shprehur pikëllimin e thellë dhe keqardhjen familjes dhe miqve të Lirak Bejkos duke shtuar se “mendimet dhe lutjet tona janë me ju.”

“Ambasada e SHBA në Shqipëri dëshiron t’i shprehë pikëllimin e thellë dhe keqardhjen familjes dhe miqve të Lirak Bejkos, i cili ndërroi jetë më 2 nëntor. Mendimet dhe lutjet tona janë me ju në këtë kohë hidhërimi”, thuhet në deklaratë.

Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Aleksandër Arvizu ishte i pari përfaqësues i lartë që vizitoi grevistët në çadrat e tyre, në ditën e 17 të grevës së urisë, e cila zgjati plot 31 ditë. Vizita erdhi pas tentativës së dëshpëruar për t’u vetëflijuar të ish-të burgosurit politik Gjergj Ndreca, pas të cilit u vetëdogj dhe Lirak Bejko, i cili humbi jetën mëngjesin e 2 nëntorit në spitalin e Barit në Itali.

Ambasadori Arvizu gjatë vizitës së tij u tha ish-të përndjekurve se vetëflijimi dhe vetësakrifikimi nuk është zgjidhja e duhur për të fituar këtë çështje. Me tej Arvizu bëri dhe një thirrje drejtuar qeverisë, që duhet të gjejë rrugën e komunikimit me grevistët, në mënyrë që të shmangen këto akte ekstreme.

Ish-i burgosuri politik Lirak Bejko, i cili u vetëdogj më 10 tetor gjatë kohës që ish-të përndjekurit zhvillonin grevën e urisë, ndërroi jetë në spitalin e barit në Itali, mëngjesin e 2 nëntorit. Lajmi u konfirmua nga Gjergj Ndreca, ish-grevist, i cili tentoi i pari të vetëflijohej duke i vënë flakën trupit të lyer me benzinë.

(eç/shqiptarja.com)