“Mendoj se sistemi gjyqësor këtu është disfunksional”, shtoi më tej Arvizu i cili, përsa i përket sistemit zgjedhor tha: “Por çdo palë zgjedhje, qoftë zgjedhjet vendore të vjetshme, apo ato parlamentare në vitin 2009, zbulojnë disa boshllëqe, disa hapësira që mund të keqinterpretohen, apo manipulohen, sido që ta quash”.
Në vijim intervista e plotë me ambasadorin Arvizu:
Nuk do të bëj një prezantim të gjatë për ju sepse mendoj se tashmë jeni mjaft i njohur në Shqipëri. Ju keni 30 vjet eksperiencë të shkëlqyer me shërbimin diplomatik amerikan në pjesë të ndryshme të botës. Besoj se keni rreth një vit e gjysëm që jeni këtu në Shqipëri. Keni filluar të kuptoni vendin, si funksionon ai. Më lejoni të filloj menjëherë, atëherë, me disa pyetje të përgjithshme për përparimin e Shqipërisë në 20 vitet e fundit. Kanë kaluar dy dekada që nga përmbysja e komunizmit. Cili do të ishte vlerësimi juaj i përgjithshëm përsa i përket përparimit të Shqipërisë drejt të qënit një demokraci në zhvillim, apo një demokraci e zhvilluar dhe si krahasohet veçanërisht me vende të Europës qendrore si Polonia, çekët apo sllovakët dhe të tjerë që kanë një demokraci të konsoliduar. Pyetja është a e ka arritur Shqipëria këtë apo ka ende rrugë për të bërë?
Kjo është një pyetje shumë e mirë. Unë mundohem të rivlerësoj përgjigjet e mia herë pas here për t’u siguruar që ato që kam thënë më parë janë ende të vlefshme edhe duke marrë parasysh informacionet e reja, eksperiencat e reja dhe gjërat që kam mësuar. Por ende mendoj, dhe e kam thënë këtë më parë, se në gjykimin tim, asnjë vend tjetër nuk ka ecur më larg se Shqipëria në këta 20 vjet, 21 vjet në fakt, përsa i përket shënimit të përparimit. E besoj shumë fort këtë dhe mendoj se është edhe më mbresëlënëse që nuk ka qenë një vazhdimësi e njëtrajtshme në 21 vjet, të themi. Patëm hapjen në vitin ’91 dhe mendoj se vendi po ecte shumë mirë deri tek shfaqja e piramidave, rënia e tyre dhe sigurisht, kalimi në kaos, apo gjysmë-kaos. Pastaj u deshën disa vjet që të dilte nga aty, të themi nga 2001 deri në 2009. Pra, nuk ka qenë një vijë e drejtë për 21 vjet. Ishte një pengesë tepër, tepër e madhe dhe iu desh që të rimerrte veten. Përparimi gjithashtu reflekton pjesërisht faktin se, si asnjë nga fqinjët e saj, Shqipëria filloi nga një pikënisje shumë më e ulët dhe ky është një fakt tjetër që duhet marrë parasysh.
A mund të thoni që disa vendeve, në veçanti atyre që fillojnë nga një pikënisje më e ulët, u duhet një brez për zhvillimin, zhvillimin demokratik; që zgjat më shumë. A mund t’i jepni shqiptarëve një afat përsa i përket kohës që do t’u duhet për të arritur nivelin e Polonisë apo të Republikës Çeke?
Kam ndjesinë se ka një farë padurimi apo nervozizmi nga ana e popullsisë kohët e fundit dhe kjo është gjë e mirë. E përsëris, pranohet gjerësisht se përparimi ka qenë mjaft mbresëlënës, por, sërish, pyetja është çfarë është bërë kohët e fundit? Sidomos po të marrim parasysh faktin se që nga 2009 përparimi ka ngecur dhe për pasojë frustrimi është në rritje. Ka ende një atmosferë të polarizuar por do flasim sërish më vonë për këtë, besoj. Jam i shqetësuar për brezin e ri. Mundohem të takoj njerëz te 20 apo 30 vjeç apo dhe fëmijë që janë ende në shkollë dhe gjithmonë dal me energji nga këto takime. Shoh shumë të rinj të shkëlqyer, shumë ambiciozë, të cilët janë ende në shkollë dhe në këtë kuptim, ndjehem optimist përsa i përket të ardhmes së vendit. Por kur sheh rreth e rrotull, institucionet, mungesën e efikasitetit të tyre, ti vret mendjen: ku po shkojnë?
A ka rrezik të hapave prapa, me fjalë të tjera, a mund të përcaktohet Shqipëria, jo një demokraci e dështuar, por një demokraci e lëkundur? E shihni dhe ju kështu?
Kam folur me disa njerëz për këtë dhe shumë nga opinionistët që e njohin shumë mirë vendin kanë përdorur pikërisht këtë term. Unë nuk kam arritur ende në këtë pikë. Jam shumë i qartë kur them se reforma ka ndalur dhe, në fakt, është pothuajse një situatë në të cilën nëse nuk ka përparim dhe fillohet nga një pikënisje e ulët, praktikisht mund të ketë kthim prapa. Por unë nuk shoh që kjo të jetë duke ndodhur. Dua të them se sinqerisht, nuk e besoj se njerëzit do ta duronin këtë. Mendoj se çdo qeveri që të jetë në fuqi, qoftë e PD qoftë e PS, në qoftë se ata do të përpiqeshin të kthenin pas disa nga reformat, të riktheheshin në disa nga segmentet e errëta që kanë kaluar, nuk mendoj se njerëzit do ta pranonin këtë. Përgjigja e shkurtër për pyetjen tuaj është se nuk e shoh këtë rrezik. Duket se ka një qëllim të unifikuar kombëtar përsa i përket drejtimit të ardhshëm të shoqërisë dhe vendit. Çështja është kush do ta udhëheqë këtë përparim.
Është interesante që përmendët brezin e ri. Kam ardhur në Shqipëri gjatë 21 viteve të fundit dhe gjithmonë jam impresionuar nga energjia, entuziazmi, dhe shpirti sipërmarrës i të rinjve, gjë që mendoj se është një shenjë shumë e mirë për Shqipërinë në të ardhmen. A shihni frustrim, apati, njerëz që thjesht duan të largohen nga Shqipëria sepse nuk janë të kënaqur me situatën këtu? Apo ende shihni një bërthamë të rinjsh këtu që mund të vazhdojnë ndryshimet, t’i intensifikojnë ato?
Shoh shumë frustrim dhe apati. Dritarja ime tek elementët e rinj të shoqërisë janë vullnetarët tanë të Korpusit të Paqes. Siç e dini, ata janë të shpërndarë në të gjithë vendin dhe kurdo që vizitoj qytete jashtë Tiranës, gjithnjë përpiqem të ulem dhe të ha drekë ose të paktën të pi një kafe apo çaj me vullnetarët e Korpusit të Paqes. I pyes ata, “më thoni, çfarë dëgjoni, çfarë po ndodh.” Dhe ata më thonë se ka një ndjenjë zhgënjimi, frustrimi, për mundësitë e punësimit, për drejtimin e ardhshëm të vendit. Mendoj se në një pjesë të vitit të kaluar kur unë kam qenë këtu, kam ndjerë një lloj pakënaqësie me disa nga prioritetet dhe programet e qeverisë. Dua ta deklaroj se qeveria ka bërë përparim në disa fusha por ka një term që kam dëgjuar ta përshkruajë këtë, “lodhja nga pushteti.” Mendoj se kjo ndodh në çdo demokraci. Dhe kjo qeveri praktikisht ka qeverisur që nga viti 2005… Kjo është një periudhë e gjatë. Parashikimet për 2013 janë të paqarta dhe mendoj se është e natyrshme që të ketë pak vetëkënaqësi, që idetë e reja të mos depërtojnë aq shpejt sa duhet. Pra, ka një lloj frustrimi nga ana e të rinjve. Por, po ashtu, shqiptarët janë jashtëzakonisht patriotë. Ata e duan vendin e tyre, tmerrësisht shumë. Shoh njerëz të moshës 80 apo 70 vjeç por edhe të rinjtë. Kanë një ndjenjë krenarie të madhe, kur shohin flamurin, apo thjesht kur mendojnë për Shqipërinë. Pra mendoj se kjo e kompenson disi frustrimin.
Është një pikë shumë e mirë. Një ndjenjë të fortë identiteti dhe historie… Më lejoni t’ju pyes. Ju përmendët disa nga konfliktet partiake këtu në Shqipëri. Çfarë do të thonit ju për përparimin e Shqipërisë me konsolidimin e demokracisë? Është ngadalësuar ajo nga konfliktet partiake, dualiste e personale që ne kemi dëshmuar gjatë 21 viteve të fundit?
Po, fatkeqësisht, kështu duket të jetë dhe duket se është mjaft e qartë kur sheh zhvillimet e fundit. Do ta konsideroja vitin 2009 një pikë kthese, në kuptimin negativ. Në 2009 Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtaret e 27-ta dhe 28-ta të NATO-s dhe bazuar në ato që kam lexuar dhe njerëzit që kam takuar, pati shumë optimizëm, një ndjenjë përparimi, sigurisht, me hyrjen në NATO, dhe një përshtypje se anëtarësimi në BE ishte shumë afër. Për të qenë të drejtë ndaj Shqipërisë, ato ishin dy vende shumë të ndryshme përsa i përket përparimit, pikënisjes së zhvillimit në 2009. Kroacia kishte rrethana shumë më të mira. Gjithsesi, mendoj se është e vlefshme që të krahasohen të dyja deri në një pikë dhe të shihet çfarë ndodhi gjatë dy viteve të fundit. Kroacia ka vazhduar të zhvillohet; është praktikisht në BE. Kjo do të ndodhë brenda fundit të vitit. Dhe, siç ua kujtoj njerëzve këtu, megjithëse Kroacia ka qenë në një pikënisje të ndryshme zhvillimi, i është dashur të kapërcejë problemet e saj…
Përfshirë luftën…
…Përfshirë luftën, seriozisht. Dhe mendoj ndonjëherë, dhe kjo është një nga frustrimet e mia më të mëdha kur flas si me klasën politike shqiptare ashtu dhe me qytetarët e zakonshëm, është përpjekja për ta përshkruar situatën këtu si unike në tërë universin. Po, gjithmonë do të ketë karakteristika të veçanta të vendeve, karakteristika kombëtare, por, sinqerisht, ky nuk është fare justifikim për shkallën e polarizimit që ekziston. Nuk ka justifikim për faktin që lëvizja reformuese ka ngelur në vend për dy vitet e fundit. Ne, Shtetet e Bashkuara dhe të tjera shtete të komunitetit ndërkombëtar jemi të vendosur të punojmë dhe të identifikojmë partnerë për ndryshim brenda vendit, si ata që janë aktivë brenda partive, ashtu dhe të tjerë jashtë tyre. Po harxhohet koha, siç thuhet.
Më lejo t’i kthehem një fushe shumë specifike, përfshirja juaj personale për të asistuar, për të siguruar hetimin e duhur për ngjarjet e 21 janarit vitin e kaluar, gjë që kam dëgjuar të lëvdohet shumë; e dëgjoj ngado. Keni besim se ky hetim – dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët – do të mbyllet me një qartësim të plotë të asaj që ndodhi gjatë atyre ngjarjeve tragjike vitin e kaluar.
Epo, siç e vutë dhe ju në dukje, ajo ishte një ditë dramatike dhe ndodhi një muaj pas ardhjes time këtu, pra një ‘zgjim’ i vrazhdë, një tronditje e sistemit. Nuk dua t’i hyj historisë, rrethanave si u përfshimë, por ne ndjemë se ishte e domosdoshme. Dua të them se asistenca e FBI-së në veçanti për disa ekspertiza do t’i shtojë besueshmëri provave që po paraqiten. Hetimi vazhdon ende. Ne kemi insistuar që, në mënyrë që të ketë besueshmëri dhe t’i jepen përgjigje pyetjeve që shqiptarët pyesin, “çfarë ndodhi atë ditë,” duhet të merret me vrasjet tragjike por edhe aspektet e organizimit, qëllimin e organizimit si dhe zhvillimi faktik i vetë demonstratës. Isha pak i shqetësuar më herët në janar kur rezultatet fillestare dolën dhe pati disa sulme mjaft të ashpra mbi personin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe gjithashtu edhe Institucionin. E bëra të qartë në disa intervista se si çdo zyrtar tjetër publik ajo dhe Zyra që ajo përfaqëson duhet të japin llogari për performancën e tyre; ata nuk janë në ngarkim të vendit. Ata duhet të japin llogari si çdo zyrtar tjetër por është jashtëzakonisht e padobishme për këdo nga qeveria që të fyejë Zyrën e Prokurorisë, që të vërë në pikëpyetje kompetencat e tyre për të kryer hetimin. Kështu që m’u desh ta bëja shumë të qartë që Shtetet e Bashkuara nuk e aprovonin këtë.
Me opozitën, duhet të jem shumë i sinqertë, ka një ndryshim kritik midis pikëpamjes së opozitës, përshkrimit të ngjarjeve nga ana e tyre, dhe asaj të Shteteve të Bashkuara. Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është që kjo demonstratë, në ndryshim nga duzinat e demonstratave të Partisë Socialiste në muajt apo vitet e fundit, kjo ishte planifikuar që të ishte e dhunshme; ishte planifikuar që të provokonte një reagim të fortë nga forcat qeveritare dhe fatkeqësisht, ia arriti. Kjo nuk është pranuar kurrë nga Partia Socialiste; ndoshta është për vetë-mbrojtje, nuk e di çfarë është. Ben Blushi është ndoshta i vetmi deputet socialist i cili iu afrua mjaft pranimit se u bënë disa gjëra që nuk duhej. Jam i zhgënjyer. Secili mund të argumentojë pikëpamjen e tij, por ajo që dua t’i them diçka shikuesve tuaj është: ky është një ndryshim thelbësor në interpretim midis asaj që thonë socialistët dhe pikëpamjes së Shteteve të Bashkuara. Është një rrëfim i ndryshëm.
Më lejoni të lëviz drejt një teme tjetër, do të thoja një mangësi në Shqipëri, e cila është vënë shpesh në dukje nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara është çështja e korrupsionit. Qartazi, korrupsioni zyrtar vonon përparimin e çdo vendi, politikisht dhe ekonomikisht, përsa i përket reformave, modernizimit, dhe besimit tek statusi i zyrtarit. Shqipëria duket se është duke bërë poshtë në Indeksin Global të Korrupsionit, të paktën sipas Transparency International. Është kjo situatë në pikëpamjen tuaj duke u përmirësuar apo duke u përkeqësuar dhe çfarë nevojitet që të bëhet? Nuk mund të eleminohet i gjithë korrupsioni por si mund të përballen me të dhe ta pakësojnë në një shkallë të tillë që të mos ndërhyjë me procesin politik dhe ekonomik?
Është interesante; në pyetjet tuaja të mëparshme thashë se kam mospajtime thelbësore me opozitën përsa i përket 21 janarit. Për çështjen e korrupsionit, kam mospajtime thelbësore me disa nga deklaratat e Qeverisë për korrupsionin. I kuptoj disa nga hapat që janë ndërmarrë dhe që Kryeministrit në veçanti i pëlqen t’i vërë në dukje, nisma e sportelit unik për bizneset, fakti që më shumë aktivitete prokurimi, mbledhje dhe deklarime taksash bëhen online, dhe kjo është provuar. Në fakt Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ndihmoi në zhvillimin e disa prej këtyre programeve. Është e qartë se kudo në botë, përfshirë Shqipërinë, sa më shumë të kompjuterizohen këto shërbime, aq më mirë. Pra, ka pasur përparim. Por mjafton t’i flasësh njerëzve dhe t’i pyetësh: si është situata e korrupsionit? S’kam takuar ende një person që të më thojë: “E di çfarë? Po përmirësohet. Këtë vit është pak më mirë.” Jo. Shumica e njerëzve thonë se po përkeqësohet. Pak njerëz thonë se është njësoj. Pra ajo që dua të vë në dukje për qeverinë është kjo: i kuptoj disa nga nismat që po reklamoni dhe jam dakord se kanë një farë ndikimi. Por ju po humbni perceptimin se po e luftoni me efikasitet korrupsionin. Njerëzit po bëhen gjithnjë e më tepër mosbesues. Ka një ndjenjë më të theksuar të kulturës së mosndëshkueshmërisë, të faktit që nëse je njeri me mjete në dispozicion, i pasur, i fuqishëm, me influencë, të gjitha këto bashkë, je praktikisht i paprekshëm. Mendoj se po përkeqësohet, po.
Pra, praktikisht është një çështje e shtetit ligjor. Me fjalë të tjera, pavarësisht se cila është pozita juaj apo pasuria juaj, duhet të trajtohesh njësoj si çdokush tjetër para ligjit. Si mund të aplikohet kjo në reformën gjyqësore? Në fakt, sa ka përparuar reforma gjyqësore?
Do të jem shumë i sinqertë këtu. Mendoj se sistemi gjyqësor këtu është disfunksional. Nuk funksionon megjithëse ka ligje të mira, ka njerëz që janë të trajnuar mirë. Ne po përpiqemi të gjejmë mënyra për të lehtësuar ngarkesën e sistemit gjyqësor. Është i mbingarkuar. Për këdo, nëse je ambasador apo president kompanie, nëse ke shumë përgjegjësi, është normale që të mundohesh të pakësosh ngarkesën e punës apo të delegosh kështu që të mund të fokusohesh në gjërat më të rëndësishme. Me këtë doja të dilja tek projekt ligji për gjykatat administrative, të cilin ne e kemi mbështetur sepse në këtë moment, mesa kuptoj, ka një numër të vogël gjykatësish dhe ata kanë ngarkesë të madhe. Do të ishte mirë nëse një pjesë e çështjeve që sipas sistemit të SHBA i përkasin juridiksionit civil dhe jo atij penal të hiqen mënjanë. Pra mendoj se ka disa gjetje teknike të mirëfillta dhe konkrete që mund të ndihmojnë. Por, kjo nuk merr parasysh çështjen më të rëndësishme të shtetit ligjor, integritetin e sistemit gjyqësor. Ka disa probleme tepër, tepër madhore këtu. Është si puna e historisë me vezën dhe pulën. Çështja është: ku fillohet? Më lejoni të përshkruaj shkurtimisht një histori. Në dhjetor mora pjesë në një ceremoni diplomimi në Shkollën e Magjistraturës. Këta ishin shqiptarë të rinj, 24, 25, 26, vjeç të cilët do të bëhen prokurorë e gjykatës. Mendoj se përgjithësisht, një apo dy mund të jenë ata që ne do t’i quanim ‘mollë të kalbura’ apo ata qëllimet e të cilëve janë të dyshimta. Unë dua të besoj se shumica e tyre – dhe ata janë më të mirët e shoqërisë shqiptare, janë patriotë ashtu si dhe bashkëqytetarët e tyre; ata duan ta bëjnë vendin më të mire. Por po mendoj me vete: kush do t’i mbrojë ata kur të kenë hyrë në sistem? Dhe ky është dështimi kryesor i sistemit gjyqësor shqiptar sot: mungesa e mbrojtjes institucionale për këdo që është pjesë e sistemit. Nuk është çështje e një, dy, tre, apo katër gjykatësisht të këqinj, apo e Gjykatës së Lartë apo e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht, ka individë problematikë, është e drejtë të thuhet mendoj. Por, kjo nuk shkon në thelbin e problemit. Problemi është mungesa e mbrojtjes institucionale për njerëzit që duan të bëjnë një punë të mirë, që duan të nxisin ndryshime pozitive.
Faleminderit për çiltërsinë dhe thellësinë. Më lejoni t’i kthehem një teme tjetër, një temë e madhe për Shqipërinë, perspektiva e saj për statusin kandidat dhe në fund anëtarësimi në Bashkimin Europian. Ndoshta mund të nënvizonit se sa e rëndësishme është BE për Shqipërinë? Duke pasur parasysh – dhe këtë pyetje ia kam drejtuar Kryeministrit dhe udhëheqësit të opozitës – trazirën e vazhdueshme brenda BE-së, pasigurinë për të ardhmen e saj, problemet me borxhet shtetërore, mungesa e një politike të jashtme të qartë, lodhja nga zgjerimi, apo çështje të tjera, çfarë avantazhesh mund të thoni se do të sillte anëtarësimi për Shqipërinë, kurdo që të ndodhë? Dhe, nëse mund të hamendësoni një kohë se kur mund të ndodhë kjo, sepse mendoj të gjithë shqiptarët janë të interesuar dhe hera-herës edhe të frustruar se kur do bëhen anëtarë të Bashkimit?
Pyetje me shumë vend. Do përpiqem t’i bëj përgjigjet sa më të përmbledhura sepse e di që mund të zgjatem shumë. Është e qartë nga pikëpamja e politikës së SHBA që është me rëndësi që integrimi i Shqipërisë në strukturën e gjerë euro-atlantike të vazhdojë dhe këtë mund ta thuash për të gjithë Ballkanin Perëndimor, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë, Kosovën. Kjo është një politikë e deklaruar e Shqipërisë. Vendi i Shqipërisë është në Europë. Nuk ka për t’u bërë shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara. Pra, drejtimi është i qartë, mes palëve nuk ka dallime. Ndjenja e qartë kombëtare për synimin është që integrimi duhet të jetë një synim kombëtar dhe se integrimi do të sjellë harmonizimin e disa standardeve, do të transformojë vërtet mënyrën se si Shqipëria e sheh veten, mënyrën si ndërvepron me fqinjët, si ata pranë ashtu edhe më tej. Do të jetë hapi i tretë i natyrshëm në kulminimin e një procesi që filloi me hyrjen në NATO, çka do të thotë që Shqipërisë nuk i duhet kurrë më të vrasë mendjen për kërcënime fizike ndaj sigurisë së saj – mund të thuhet shumë këtu – fakti që Shqipëria përfitoi statusin për lëvizjen pa viza sipas marrëveshjes Shengen në dhjetor 2010, një arritje madhore kjo, dhe pastaj hyrja në BE duhet të jetë arritja e tretë kurorëzuese. Do të duhet kohë. Ambasadori i BE-së, një mik i mirë imi e që ka punuar shumë këtu në përpjekje për t’i shtyrë të gjithë lojtarët përpara dhe sigurisht ata në Bruksel. Shqiptarët thonë gjërat e duhura por për çfarëdo arsyeje, ose ndoshta një kombinim arsyesh, këtu ekziston një mentalitet se duhet të ketë vetëm një fitimtar dhe loja e fajësimit, të cilën e shohim të ngrejë kokë herë pas here. Ditët e fundit ka pasur një rritje të dukshme në retorikë pas marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe akordimit të statusit kandidat Serbisë. E përsëris, po tregohem i sinqertë. Nuk ka asnjë justifikim për Shqipërinë që të mos jetë vend kandidat. Burimet janë këtu, edhe mjetet, por është proces i vështirë aderimi, ka shumë marrëveshje teknike dhe më duket se hera-herës, shqiptarët e nënvlerësojnë nivelin e kompleksitetit. Mendoj se ka një lloj ndjesie sikur, “Me të përmbushur kriterin numër një, vullnetin politik – dhe sigurisht, ky duket larg shumë – por nëse ia dalim me këtë, atëherë na duhet vetëm të hedhim nënshkrimin në vijën e caktuar dhe jemi brenda, apo jo?” Dhe përgjigja është: Jo, nuk është ashtu në fakt. Është një proces shumë kompleks, i gjatë. Por nuk është se ka alternativë. Ambasadori i BE-së, sëbashku me disa prej vendeve anëtare dhe zyrtarë në Bruksel kanë filluar muajt e fundit një lloj nisme të re – duhet t’ia lë atij ta shpjegojë sepse e bën kaq mirë – por përpjekja është të bëhet një lloj turi anekënd vendit, një lloj fushate ndërgjegjësimi, për t’iu shpjeguar shqiptarëve të zakonshëm se çfarë do të thotë, çdo të thoshte për ta anëtarësimi, për sa i përket standardeve të jetesës, mundësive për arsimim, udhëtim, punësim, të gjitha këto gjëra të një natyre praktike. Mendoj është një ide e shkëlqyer.
Ambasadori i BE-së ka rënë dakord të dalë në programin tim në të ardhmen, pra do ta kem këtu dikur, por për sa i përket përparimit drejt anëtarësimit në BE, nuk dua të them që anëtarësimi është i garantuar apo këtu pranë, por një prej pengesave apo pengesa e tanishme duket se është paaftësia për të miratuar një Kod Zgjedhor të ri. Në një kontekst më të gjerë, si e shihni procesin zgjedhor në Shqipëri, duke pasur parasysh çfarë ndodhi pas zgjedhjeve të fundit, protesta, mungesa e vullnetit të opozitës për të pranuar rezultatet, plus edhe zgjedhja e kryebashkiakut që pamë këtu vitin e shkuar. Ku qëndron tani Shqipëria për sa i përket standardeve ndërkombëtare?
Vetë kodi, nga sa më thonë ekspertët në OSBE, ODIHR, disa në vendet anëtare të BE-së, është mjaft i mirë. Nuk është aspak i keq. Por çdo palë zgjedhje, qoftë zgjedhjet vendore të vjetshme, apo ato parlamentare në vitin 2009, zbulojnë disa boshllëqe, disa hapësira që mund të keqinterpretohen, apo manipulohen, sido që ta quash. Një vëzhgues shumë i mençur, nuk ia them emrin, por e shoh si një prej të mençurve të shoqërisë këtu, në fakt janë dy, kanë vënë në dukje që Shqipëria është vend shumë i vogël dhe metoda për të gjetur sa votues do marrin pjesë, si mund të votojnë, kanë arritur ta shndërrojnë në shkencë. Mund të përmend Z. Ilir Meta. Shkova në zyrën e tij pak ditë përpara zgjedhjeve të 8 majit. Ka një zyrë të vogël, të zakonshme, por kishte disa harta të zonave të Tiranës, të përcaktuara deri në ndërtesa, me pineska të vogla. Më tha që njerëzit e LSI-së i merrnin njerëzit në telefonat celularë. Është puna tipike e lagjeve me të cilën jam i njohur në Shtetet e Bashkuara. Ky është vend i vogël. Mendoj që në Çikago ka më shumë votues se sa ka në gjithë vendin këtu. Nuk ka shumë të panjohura dhe njerëzit, me sa kuptoj, kanë prirjen të votojnë në mënyrë mjaft të parashikueshme dhe shumë konsistente nga një zgjedhje në tjetrën, pra nuk ka ndonjë votë të madhe të lëvizshme. Në Japoni, ku kam shërbyer, kjo ishte gjithmonë diçka e madhe. Sigurisht, në SHBA është faktori më i madh, është përcaktues në shumë zgjedhje.
Të pavarurit …
Të pavarurit, të moderuarit në secilin krah. Ndonjëherë mendoj, sa do doja të merrja në dorë punën për zgjedhjet në PS sepse mendoj që qeveria bën shumë gabime dhe krijon boshllëqe aq të mëdha sa mund të kalojë një kamion. Disa ditë, mendoj që nuk do më vinte keq të merrja në dorë punën për zgjedhjet në PD sepse shoh shumë gabime nga PS në lidhje me ftohjen e atyre që mund të konvertohen…Kyçi është të punosh me partnerë të besueshëm ndërkombëtarë, OSBE, ODIHR, Këshilli i Europës, disa prej vendeve kryesore europiane. Edhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë megjithëse, të them të drejtën, sistemi amerikan është aq i ndryshëm sa nuk di sa mund të zhvendoset këtu. Por kemi shumë këshilla filozofike si dhe shumë ekspertizë konkrete që mendoj mund të kontribuojë. Por, Kodi duhet të forcohet patjetër sepse zgjedhjet e majit të shkuar e bënë të qartë deri në dhimbje që ka disa boshllëqe, ka disa probleme. Nuk ka nevojë t’i kthehemi argumenteve pro e kundër, problemi është që nuk duhet të kishte pasur fare kundërshti. Ky numërimi i votave të hedhura gabim, sinqerisht, mua dhe vëzhguesve të tjerë na u paraqit se ishte shumë e qartë çfarë do të ndodhte. Por, nuk ishte e shkruar, nuk ishte në ndonjë Kod të caktuar, edhe pse njerëzit prisnin që gjërat të merrnin një drejtim të caktuar. Partia në pushtet paraqiti një pikë të mirë filozofike – qëllimi i votuesit, edhe pse unë thashë, qëllimi i votuesit është gjë e mirë, por gjë e mirë është edhe të ketë rregulla dhe këto rregulla të zbatohen; pra, ka boshllëqe që duhen trajtuar. Mendoj se është bërë pak përparim kohët e fundit. Është e rëndësishme që dy palëve të mos u shpëtojë nga sytë fakti se sa e rëndësishme është që të vazhdojë përparimi. Ka njëfarë urgjence kohore dhe shpresoj që ka një mënyrë për të përfshirë disa prej pikëpamjeve të partive të vogla. Ndoshta e keni dëgjuar që ka një mekanizëm korrektimi kombëtar, term teknik. Por, sistemi i tanishëm, rënë dakord midis Z. Berisha dhe Z. Rama në vitin 2009, në fakt e bën shumë të vështirë për partitë më të vogla që të sigurojnë një përfaqësim në parlament që të jetë në përpjestim me numrin e votave që marrin. Nuk mendoj se ka njeri që të mendojë se vendit i duhet një rishikim total i sistemit zgjedhor, por ka disa përshtatje kyçe që duhen bërë që në fund, në vitin 2013, kur votuesit të votojnë, ata të kenë një lloj besimi që votat e tyre do të numërohen me korrektësi.
Meqenëse jam këtu, po i kthehem disa pyetjeve rajonale, stabiliteti rajonal apo mungesa e tij. A do thonit që ka ende çështje të pazgjidhura sigurie përreth Shqipërisë në rajon dhe nëse është kështu, si mundet Shqipëria, Tirana që të shmangë përfshirjen në disa prej paqëndrueshmërive të mundshme në Maqedoni, Kosovë, apo edhe Greqi? Greqia ka përpara zgjedhje me shumë peshë pas dy muajsh dhe këto mund të ngrenë skeptrin e nacionalizmit në vend, apo proteksionizmin? Cili do ishte mesazhi juaj për cilëndo qeveria shqiptare për sa i përket rolit të saj në rajon?
Përmendët disa prej vendeve fqinje dhe ndoshta duhet t’ua lë homologëve të mi në ato vende dhe Uashingtonit që të merren me kuadrin e përgjithshëm, por nga perspektiva jonë këtu në Shqipëri, jemi shumë të kënaqur me faktin që Shqipëria është një kontribuese e madhe për stabilitetin rajonal. Shqipëria është një fqinjë e mirë. kjo është pjesërisht reflektim i statusit të saj në NATO por edhe zhvillim në të menduarit shqiptar në 21 vitet e fundit. Kjo është diçka e mirë dhe me rëndësi. Është diçka që ua përmend vizitorëve nga SHBA. Kemi pasur disa kongresmenë për vizitë, do donim të kishim disa senatorë, por gjithsesi, është diçka që unë e them gjithmonë që Shqipëria është një eksportuese neto e sigurisë, e stabilitetin në rajon; një aleate e përgjegjshme e NATO-s, kontribuon në përpjekjen e ISAF në Afganistan; dy javë më parë përjetoi një humbje tragjike, humbjen e parë në luftim. Liria vjen me një çmim dhe është e dhimbshme, siç e dimë ne amerikanët, çdo ditë, dhe ky realitet i ashpër e goditi Shqipërinë, por vendi nuk u tut. Këtu i marrin seriozisht angazhimet e tyre për sigurinë. Pra, për këtë perspektivë jam besimplotë. Mendoj që Shqipëria bën një punë të arsyeshme me avokimin për Kosovën në forume ndërkombëtare. Kosova është e aftë të kujdeset për interesat e veta siç tregoi marrëveshja e fundit, bisedimet teknike midis Serbisë dhe Kosovës, por nuk është sekret që avokatët më të fortë të Kosovës në botë janë Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria; ndaj, punojmë shumë ngushtë, krah për krah me Shqipërinë në këtë kuptim. Ka pasur disa diskutime lidhur me lëvizjen e Aleancës Kuq e Zi këtu. Cilat janë pasojat, përfundimet? Kam shprehur tri pika bazë, të cilat janë: që patriotizmi është diçka e mirë. Është një dimension pozitiv në psikikën e çdo vendi, në përbërjen e popullsisë, dhe është e vërtetë edhe këtu. Së dyti, platforma e Aleancës Kuq e Zi, e cila në fakt është duke u zhvilluar disi, por, si mund të dalësh kundër tyre kur bëjnë thirrje për qeverisje më të efektshme, për transparencë? Është diçka që e bëjmë edhe ne edhe shqiptarë të tjerë të përgjegjshëm, pra është diçka e mirë. Ndërsa pika e tretë që ngre unë është që është me shumë rëndësi që cilido në Shqipëri, qofsh pjesë e AK-së, në shkollë, ose nëse nuk mbështet kënd, qofsh pjesë e lëvizjes Refresh, forumi rinor i PS, apo forumi rinor i PD, të njohë rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe se si Shqipëria shihet si kontribuese në të. Askush nuk duhet të bëjë diçka që mund ta rrezikonte këtë staturë. Sepse, sigurisht nuk do shihej me sy të mirë në Uashington e në rajon, por po kaq e rëndishme është që nuk do shihej me sy të mirë as këtu.
Po vazhdoj këtu. Cilat mendoni janë shanset, mekanizmat më të mira për bashkëpunim rajonal ku Shqipëria mund të luajë një rol? Infrastruktura e energjisë, tregtia, investimet e përbashkëta? Cila është vlera e shtuar e Shqipërisë për Ballkanin si rajon?
Të gjitha këto më sipër dhe mendoj që mund të thelloheshim edhe më tej në disa specifika, por meqë ngritët pyetjen, mendoj që ka të bëjë me qëndrimin. Që do të thotë, kur flas për rolin e Shqipërisë me njerëzit e të gjitha krahëve, është e natyrshme që njerëzit të flasin për Kosovën; dëgjoj shumë për shqiptarët etnikë në Maqedoni, 25 përqind apo diku aty; flasin për Luginën e Preshevës në Serbi dhe shqiptarët në Malin e Zi. Dhe më vjen mirë. Është e rëndësishme të kujdesesh për të drejtat e pakicave, sidomos në një vend si Maqedonia dhe meqë Shqipëria po feston 100-vjetorin e pavarësisë mendoj që këto lloj shqetësimesh për ata që konsiderohen shqiptarë, dalin në plan të parë. Është me rëndësi. Por, për 100 vitet e ardhshme, në këtë mjedis ekonomik global konkurrues, globalizim, apo ndërvarësi, sido që ta quash, është një vend i vogël. Është bekuar me burime jo të pakta, nuk ka bollëk por ka një industri nxjerrëse, ka potencial të madh për turizëm, zhvillim në bregdet, energjia nga uji, frutat e arrorët siç i pëlqen Kryeministrit të thotë, ka potencial. Por, është vend i vogël. Disa prej projekteve të infrastrukturës, rrjeti rrugor, është mbresëlënëse. Duhet bërë dhe është i kushtueshëm. Kam besim që vendin e drejtojnë rojtarë ekonomikë që e kuptojnë se sa rëndësi ka të mos merret më shumë borxh se sa mund të shërbejë vendi, por këto projekte duhet të ecin përpara. Megjithatë, për mua, shqiptarët dhe vendi duhet të kenë parasysh katër. Duhet të mendojnë për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Duhet të ketë më shumë diskutim, më shumë planifikim konkret për mënyrat për t’i integruar këto katër ekonomi sepse kanë përreth vende më të mëdha; partnerët ekonomikë tradicionallë të Shqipërisë, kryesisht Greqia dhe Italia. Mund të shihet më tej në veri tek Serbia, në lindje tek Rumania dhe Bullgaria, madje edhe më tej. Me kalimin e kohës, do jetë e domosdoshme për Shqipërinë si vend që të rrisë nivelin e standardeve të arsimit. Arsimi bazë këtu është i shkëlqyer mendoj, niveli i ndërgjegjësimit, shumë njerëz janë praktikisht tri-gjuhësh, me italishten dhe anglishten, diçka mbresëlënëse kjo. Por, duhen rritur standardet që të ketë më shumë specializim, më shumë shprehi teknike. E gjithë kjo është shumë e rëndësishme dhe duhet bërë…Mendoj që ka fillur si dialog i katërshes, për më shumë integrim rajonal, por do të më pëlqente të përshpejtohej, duke filluar nga ky vit.
Po kaloj në pyetjet e fundit. Për fat të keq kohën e kemi gjithmonë të kufizuar; do doja më shumë. Le të shohim marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, dypalëshe. Është 100-vjetori i Shqipërisë si vend i pavarur, më vonë këtë vit. Nga pikëpamja e këtij përvjetori, është arritur shumë. Sigurisht, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë qendruar historikisht në themele të forta, veç periudhës komuniste kur ishin krejt të ngrira, por kjo është diçka tjetër; çfarë prisni, jo 100 vitet e ardhshme se vështirë të parashikohet, por dhjetëvjeçarin e ardhshëm, ku duhet të përqendrohen SHBA dhe Shqipëria? Në ç’pikë mund të konsolidohen, zhvillohen, përparojnë, forcohen më tej ato? Ku do t’i shihnit mundësitë?
Siç e vutë në dukje, vështirë të gjesh në tjetërkund në botë një partneritet më të efektshëm dhe të mirëfilltë se sa ai që ekziston mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Më ka shtangur prej ditës sime të parë këtu. Dhe është e mirëfilltë, e ndjerë, e gjithë sindroma Udrou Uillson, siç e quaj unë. Fakti që Presidenti Xhorxh Bush kur erdhi pati një pritje ngazëllyese, dhe po të vinte Presidenti Obama, do ndodhte po njësoj; iu them njerëzve në SHBA, vështirë të gjesh në të njëjtën turmë si mbështetës të mëdhenj të Obamës apo të Bushit, ndoshta do ishin në turma të ndryshme. Kjo flet shumë për ngrohtësinë dhe miqësinë e mirëfilltë. Dhe të them të drejtën, jemi krenarë për kontributin tone, ndonëse i vogël, kemi qenë në anën e duhur të historisë për sa i përket Shqipërisë. Mund të them që do më pëlqente të promovoja më shumë investime direkte amerikane këtu. Mendoj do të ishte fantastike për vendin. Do më pëlqente të shihja më shumë projekte infrastrukture, ka qenë Behtel dhe të tjerë disi, aeroporti Nënë Tereza, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Sipërmarrjes, kemi pasur rol të madh tek ky. Qendra e madhe tregtare këtu afër, Tirana East Gate, një mjedis mbresëlënës. Pra, veprimtaria ekonomike, shkëmbimet akademike, të gjitha këto janë me shumë rëndësi. Do doja të përgjigjesha në një mënyrë që mund të shkaktojë kundërshti tek disa nga shikuesit. Mendoj që hera-herës ka një prirje tek shqiptarët për të menduar që për shkak të kësaj marrëdhënieje të veçantë organike, e cila është e mirëfilltë dhe unë si ambasador amerikan e vlerësoj shumë, por për shkak të kësaj marrëdhënieje dhe forcës së saj, që ndoshta qëndrimi kundrejt Europës – i kthehemi çështjes së integrimit – sikur ka pikëpyetje a është vërtet aq kritik, aq i rëndësishëm? Sigurisht do te ndodhe me kalimin e kohes, por mendoj se hera heres, per shkak se marredheniet me Shtetet e Bashkuara jane aq te mira, ka nje lloj zbehje te dedikimit.
Do jetë gjithmonë Amerika, s’ka ç’na duhet Europa?
Pikërisht, e thatë shumë shkurt e drejt. Mendoj është diçka fatkeqe sepse nuk është ose kjo ose ajo, duhet të shkojnë krah për krah. Nuk dua që në fund t’iu lë shikuesve tuaj mendimin se ndoshta ne nuk e vlerësojmë… Jo, e vlerësojmë sa s’ka ku të shkojë, por mendoj që çdo shqiptar që mendon në atë mënyrë, është e padrejtë për perspektivën, për shpresën për vendin. Shqipëria është në Europë. Vendi i duhur është në këtë kontinent dhe sa më i madh integrimi, sa më shpejt të arrihet integrimi, aq më mirë për vendin dhe qytetarët e tij. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në fakt do përparonin sepse do kishte më shumë zhvillim këtu dhe më shumë shkëmbime aktive. Këtë doja të thoja. Shqiptarët thonë: E duam Amerikën! Unë them: Edhe ne ju duam! Por gjeni një mënyrë që një pjesë e kësaj energjie dhe ndjenjave të kanalizohen për më shumë veprim të përbashkët në frontin e integrimit.
Më lini t’ju pyes për të kundërtën e kësaj. Nga disa analistë në Shqipëri por edhe jashtë, dëgjoj që Shqipëria është një lloj gjysmë-protektorati i fuqive ndërkombëtare, sidomos SHBA. Si do t’iu përgjigjeshit? A ka nevojë për mbrojtje Shqipëria? A i duhet mbikqyrje teksa zhvillon institucionet e saj? Si iu përgjigjeni?
Nuk e kapërdij dot. Kam dëgjuar disa që e thonë, por këto janë vendime të ndërgjegjshme të disa qeverive shqiptare. Në vite ka pasur disa kryeministra. Drejtimi bazë i politikës së Shqipërisë është që marrëdhëniet me jashtë nuk janë lëkundur kurrë. Z. Berisha ka qenë në pushtet për një numër vitesh; para tij ka qenë Z. Nano. Kishte periudha të shkurtra kur ishin njerëz si Ilir Meta apo Pandeli Majko… Kushdo që të fitojë në vitin 2013, apo 2017 dhe më tej, do prisja që drejtimi i përgjithshëm i marrëdhënieve të jashtme të Shqipërisë të vazhdonte. Dhe këtë nuk e them aspak sikur ne marrim ndonjë gjë si të qenë. I vlerësojmë pa masë kontributet pozitive të Shqipërisë në rajon, me statusin e saj në NATO, faktin që do që të jetë pjesë e integruar e bashkësisë euroatlantike. A është perëndimi i shqetësuar për zhvillimet? A duam të jemi mbështetës? Absolutisht. Por është një rrugë me dy drejtime. Fakti është që me këtë nivel zhvillimi, megjithëse është përmirësuar, Shqipëria është një prej vendeve të varfra në Europë ndonëse po ngjitet drejt vendeve me nivel të mesmë të ardhurash. Pra përparimi nuk diskutohet. Thjesht duhet të gjejmë një mënyrë që Shqipëria të kapërcejë ngërçin dhe të rifillojë udhëtimin. Por si protektorat nuk e shoh. Këto janë vendime të ndërgjegjshme të marra nga udhëheqës të zgjedhur të vendit dhe nga populli si i tërë.
Pyetja e fundit. Kemi edhe ne zgjedhjet tona në nëntor. Nuk do mundohem të gjej fituesin; e pamundur. Mund të parashikosh kush do jetë kandidati republikan tani; s’mundet. A do ndryshojë politika amerikane ndaj Shqipërisë, ndaj rajonit, apo mendoni se do të ketë konseguencë pavarësisht nga zgjedhjet tona presidenciale?
Vështirë të imagjinosh ndonjë rezultat që do çonte në zhvendosje a ndryshim në politikën amerikane kundjret rajonit; sigurisht jo kundrejt Shqipërisë. Kam pasur kënaqësinë të diskutoj për Shqipërinë me përfaqësues dhe ndihmës të të dy krahëve në kongres, dhe e di që ka shumë çështje për të cilat nuk janë gjithmonë në një mendje, por kur vjen fjala për Shqipërinë, nuk kam dëgjuar kurrë një notë të vetme që të stonojë. Kur kthej sytë në vitet e fundit, administrata Klinton…dy administrata Klinton, dy administrata Bush, një administratë Obama, deri tani, shoh konseguencë mbresëlënëse në përmbajtje dhe se ku vihet theksi, si nga drejtimi “dërgoj” ashtu edhe nga ai “marr.” Dhe mendoj se kjo është diçka e mirë.
(im/albanian screen/shqiptarja.com)