Forumi i 11-të i Medias i organizuar këtë të mërkurë nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë, pati në qendër të diskutimeve sfidat e pronësisë së mediave dhe pavarësisë editoriale në Shqipëri.

Media cënohet nga përqëndrimi i lartë i pronësisë nga strukturat e paqarta dhe nga presionet ekonomike dhe politike ndaj përmbajtjes editoriale. Një tjetër çështje shumë e lidhur me këtë është edhe pavarësia e medias publike shqiptare siç theohet edhe në raportin e Komisionit Europian Televizionit shqiptar vazhdon të përballet me sfida në garantimin e pavarësisë dhe integritetit profesional.”, tha Michel Tarran, ambasador i OSBE-së në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Mark Marku, dekan në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë theksoi se çështja e pronësisë së mediave është ndër më të ndërlikuarat për t’u adresuar.
“Nuk ka model të rregullimit të medias as në Evropë. Këtë gjë nuk e kanë zgjidhur as Greqia, Italia, Franca e Spanja e madje as Gjermania. Vendet skandinave janë më të avancuara, por dua të them se nuk ka një model evropian.”, - vërejti Marku.

Sipas tij, modeli i industrisë mediatike në Shqipërisë është një model tashmë i formësuar dhe në krizë.

 “Në Shqipëri kemi një përqendrim të trefishtë të pronësisë: bizneset mediatike lidhen me sektorë të tjerë ekonomikë, grupet mediatike janë të përqendruara dhe shpesh në duart e një aksioneri të vetëm. Kjo krijon një situatë që rrezikon pluralizmin mediatik.”, tha Marku.

Nga ana e saj, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, theksoi se Shqipëria ka një ofertë të gjerë televizive dhe pluralizëm sasior, por pranoi se kuadri ligjor i vitit 2013 ka nevojë për përditësim, sidomos pas dixhitalizimit të plotë të transmetimeve.

“Sot në Shqipëri kemi 15 televizione që transmetojnë në nivel kombëtar dhe mbi 40 kanale të lira në çdo qytet. Problemi nuk është mungesa e pluralitetit teknik, por përmirësimi i modelit ekonomik dhe ligjor.”, tha Krasniqi.


Ndërsa gazetarja Aleksandra Bogdani nga “BIRN Albania” ngriti shqetësimin për varësinë e mediave nga interesat ekonomike dhe politike të pronarëve, që sipas saj kufizojnë pavarësinë redaksionale dhe cënojnë informimin publik.

“Në Shqipëri shumë televizione transmetojnë të njëjtin përmbajtje, shpesh të prodhuar nga zyrat e PR-it qeveritar. Kjo ndodh sepse pronarët e mediave janë njëkohësisht ndërtues, koncesionarë apo investitorë strategjikë, që varen nga vendimmarrja politike.”

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë tha se pluralizmi mediatik dhe transparenca e pronësisë janë thelbësore për ruajtjen e demokracisë dhe besimit të publikut. Ekspertët theksuan se, megjithëse Shqipëria ka bërë hapa përpara në transparencë, sfidat kryesore mbeten përqendrimi i pronësisë, varësia ekonomike nga bizneset e tjera dhe presionet politike ndaj përmbajtjes editoriale. Nga ana tjetër, gazetarët investigativë nënvizuan se mungesa e pavarësisë financiare dhe ndikimi i interesave të ndërtimit apo koncesioneve vazhdon të dëmtojë lirinë e medias dhe informimin e publikut.