ARVIZU NE SELINE E PS, TAKOHET ME EDI RAMEN
Takimi i parë që nisi në orën 11:00 u realizua në selinë e PS-së, me kryetarin Edi Rama. Pasi takimit, Arvizu deklaroi për mediat: "Me kreun e PS-së patëm një diskutim substancial për dy gjëra të rëndësishme: “E para, që të kryhet një tranzicion i butë dhe i rregullt dhe e dytë, më e rëndësishmja, të ripohojmë angazhimin e fortë të SHBA-së se duan të jenë partnere me Shqipërinë."
PAS BISEDIMEVE NE LSI, PRONONCIMI ARVIZU-META
Në orën 12:00, ambasadori amerikan u takua edhe me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta në godinën e LSI-së. Në përfundim të bisedës me Metës, Arvizu sërish theksoi se ka biseduar të njëjtat çështje si me Ramën, që i konsideronte të rëndësishme: Zhvillimin e një tranzicioni të qetë të pushtetit dhe afirmimin e SHBA-ve si mbështetëse të Shqipërisë në rrugën e tyre të integrimit.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nga ana e tij tha: “I shpreha ambasadorit edhe një herë tonë, synimin tonë për të përmbushur të gjitha angazhimet në respekt të Kodit dhe Ligjit, për të vazhduar marrëdhëniet shumë të mira dhe të ngushta me SHBA-në në prioritet që ne kemi me të si vend strategjik dhe aleat i NATO-s. Kjo, sidomos në prioritet, si pavarësia e institucioneve, konsensusi sa më i gjerë në përmbushjen e gjithë reformave në integrimin e Shqipërisë në BE etj.
Ne shpresojmë shumë në mbështetjen e SHBA-ve në këtë perspektivë të re europiane të Shqipërisë, që ka marrë shtysë edhe nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe se ky partneritet do ta ndihmojë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit dhe integrimit dhe do t’i bëjë SHBA-të edhe më krenare për mbështetjen që i dhanë Shqipërisë për në NATO dhe BE," - përfundoi ai.
(Në foto: Takimi i sotëm i ambasadorit Arvizu me kreun e LSI-së Meta)
VIZITA E PANJOFTUAR DJE E ARVIZU ME PRESIDENTIN NISHANI
Dje, një ditë pasi KQZ-ja bëri të ditur se në zgjedhjet e 23 qershorit koalicioni i majtë ka fituar 84 mandate, Arvizu u prit në Presidencë nga Presidenti Bujar Nishani. Për takimin nuk pati njoftim zyrtar por Shqiptarja.com shkruan sot se burime të brendshme nga Presidenca të konfirmuara dhe nga brenda ambasadës amerikane saktësuan se dy bashkëbiseduesit Nishani e Arvizu kanë diskutuar mes tyre modalitetet e rotacionit politik dhe kalimin paqësor të pushtetit nga mazhoranca e djathtë e kryesuar nga Berisha tek aleanca e majtë e kryesuar nga Edi Rama.
Mësohet se është diskutuar dhe në lidhje me mundësinë e evitimit të vakuumit të pushtetit, që është rrezik për çdo prag rotacioni për të qëndruar në detyrë qeveria deri në momentin e betimit dhe miratimit të qeverisë së re të kryesuar nga Rama, gjë e cila u vërtetua dhe nga deklarata e dorëheqjes së kryeministrit Berisha dhe betimi i tij se do të qëndrojë në krye të qeverisë deri në shtator kur të vijë qeveria e re.
(Redaksia online)
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)