Ruçi theksoi se 100-vjetori e gjeti Shqipërinë të varfër dhe të papunë, pasi Kryeministri ka bërë të kujtonim se nuk kishim 100-vjetorin e Pavarësisë por 100-vjetorin e monarkisë.
“Takimi përkon me 3 momente të rëndësishme, sapo mbyllëm një vit kalendarik dhe politik ku sivjet kishin ngjarjen e 100-vjetorin, konsiston me hapjen e një viti të ri, me zgjedhje të reja. Përkon fatkeqësisht me marrjen e një përgjigje negative dhe refuzimin për herë të 3 të statusit të vendit kandidat. 100-vjetori e gjeti shtetin tonë me një shet në shërbim të pushtetarëve dhe jo të qytetarëve, me institucioneve në shërbim të pushtetarëve dhe jo të qytetarëve. Me një demokraci të rrezikuar nga vjedhjet periodike të pushtetarëve aktual. Me një krizë të rëndë ekonomike pavarësisht se ai që kemi në krye na rendit njëherë para Gjermanisë e Kinës. Ky 100-vjetor e gjeti Shqipërinë si vendin më të korruptuar jo në Ballkan por në të gjithë Europën. Ky 100-vjetor e gjeti Shqipërinë të papunë mbi 1 milionë. Ky 100-vjetor e gjeti Shqipërinë më të varfër. Kryeministri na ka bërë të kujtonim se nuk kishim 100-vjetorin e pavarësisë por 100-vjetorin e monarkisë”, tha Ruçi.
RUÇI: BERISHA NUK MBAJTI PREMTIMET
“Na premtoi shumëçka dhe nuk realizoi asgjë. U prezantua në ceremoni e 100-vjetorit e presidentit me kryetarin e PPE-së. Na premtoi bibliotekën e re, stadiumin e ri, parlamentin, do të na sillte eshtrat e Nënë Terezës dhe muzeun dhe nuk u duk asgjëkund. Dy i mbajti, e para që eshtrat e Ismail Qemalit i kishin sjellë të tjerët para tij dhe e realizoi këtë si premtim dhe premtimi tjetër që nuk do shkelte në Vlorë por arriti të shkelë 20 minuta”.
RUÇI: BERISHA-ZOGU VELLEZER SIAMEZE
“E kishte mendjen të përjetësonte monarkinë, Ahmet Zogun. Nuk kërkoi ndjesë për ata dhjetëra burra që nga Bajram curri e deri te Shotja që i vrau me dorën e tij Ahmet Zogu. Mbi 30 intelektualë të dënuar në mungesë dhe të syrgjynosur në katër anët e botës. Pse e do kaq shumë ky Saliu Ahmet Zogun? Nuk është rastësi miqtë e mi, e lidhin shumë gjëra. E lidhin së pari se ashtu sikurse Ahmet Zogu sundoi në mënyrë despotike edhe Saliu ynë do të sundojmë në mënyrë dhe mjete despotike. Ahmeti me intriga dhe frikë, njësoj si Saliu. Fillon dhe mbaron mbledhjen e grupit vetëm me intriga për PS-në dhe Edi Ramën vetëm për të frikësuar PS-në, në mbledhjen e qeverisë në Parlament bën të njëjtën gjë, vetëm me qëllim që të humbas besimin në fitoren e ne socialistëve shqiptar. Ahmet zogu erdhi në pushtet i pazgjedhur me ndihmën e Serbisë, Saliu erdhi në pushtet me vota të vjedhura me ndihmën e shumë faslliçëve që ka pranë tij. Ashtu si Ahmeti edhe Saliu mik të familjes deklaron një serb siç është Fazlliçi. Ngjajnë si dy pika uji, si vëllezërit siamezë. Edhe Saliu në gjithë politikën e tij kur ishte President theu embargon për të ushqyer makinën shtypëse të vëllezërve tanë në Kosovë. Kur UÇK-ja doli në mal, fondamentalist, ekstremist dhe komunistë i quajti ai luftëtarët e UÇK-së. Edhe Saliu kur ishte puna për të nënshkruar përfaqësuesit e Kosovës marrëveshjen e Rambujese, tha që kush nënshkruan është tradhti kombëtare".
RUÇI: BUXHETI I 2013 NUK UL BORXHIN E VARFERINE
“Momenti i dytë që ky vit përkon me zgjedhje të reja dhe ka filluar me diskutimin dhe miratimin e buxhetit të 2013, në sallën e Parlamentit dhe që nesër do të miratohet nen për nen. Rezulton se ky buxhet nuk ndihmon aspak në rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, nuk kontribuon në zbutjen e efekteve të krizë. Ky buxhet nuk e ul borxhin publik përkundrazi e rrit atë dhe e lë pakufi. Jo vetëm që nuk e zbut varfërinë por e shton më tepër atë. Nuk ka dritë jeshile qoftë edhe për një vend të ri pune. Ky buxhet nuk ka asnjë politikë të re fiskale, pavarësisht se vetëm opozita ka mbi 10 propozime. Ky buxhet nuk mbështet dhënien e shërbimeve publike sipas nevojës por i lë sipas xhepit. 170 milionë euro që Saliu u ka borxh për vite të tëra firmave të ndërtimit. Ky buxhet nuk u jep shpresë pensionistëve, veteranëve, familjeve të dëshmorëve, njerëzve me aftësi të kufizuar. Por edhe ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve nuk i siguron asgjë”.
STATUSI, RUÇI: FAJI ESHTE MUNGESA E DMOKRACISE
“Së treti lajmi më i keq ishte ai i refuzimit për herë të 3 i statusit të vendit kandidat dhe përpjekjeve të Saliut që fajin e ka Edi Rama dhe PS, faji është mungesa e demokracisë dhe moszhvillimi i zgjedhjeve të lira. Është mungesa e parlamentarizmit, mungesa e organeve kushtetuese, e drejtësisë, shkalla e lartë e korrupsionit dhe kriminaliteti, e ndotjes së mjedisit, përkeqësimit çdo ditë e më shumë i të drejtave të njeriut.
RUÇI: SALIUN DO TA RREZOJE PS-JA
“Saliu do ta rrëzojë fryma elektorale e ngritur nën udhëheqjen e PS dhe Edi Ramës. Do t’ju kërkoja miqësisht që të trokasin në çdo derë dhe t’u themi qytetarëve shqiptar që me 8 vjet një mësues, një polic, një infermier paguan 4 mijë e 500 lekë TVSH. Kjo duhet të shkojë vesh më vesh dhe derë më derë. Në 2005 e deri më sot çdo shqiptar paguan dy herë më shumë taksë për një kilogram vaj, bukë, qumësht. Ne socialistët i kemi propozuar që t’i hiqet ose të zvogëlohet kjo taksë, jo thotë Saliu, jemi vendi me taksa më të ulëta në botë”.
TAHIRI: PS NUK DO LEJOJE TE VIDHET ASNJE VOTE
Në fjalën e tij, kryetari i PS-së për Tiranë Sajmir Tahiri ka akuzuar qeverisjen vendore në Tiranë dhe atë qendrore për keqqeverisje ndërsa theksoi se Partia Socialiste është gati për fushatën elektorale dhe do t`i fitojë këto zgjedhjet e përgjithshme të 2013-ës.
“Lulzim Basha pas një viti në bashki nuk ka bërë asgjë. Tirana sot është një qytet më pak i sigurt, është rritur kriminaliteti, të vidhet pasuria, të ardhurat, dyqani, biznesi, makina, të tjerë aksidentohen, plagosen, apo më keq humbasin jetën. Duke filluar nga sot deri në 189 ditë do të nisim fushatën për çdo votë. Do të punojmë palodhur në çdo lagje dhe me çdo qytetar për të rilindur shoqërinë dhe për të rilindur vendin tonë. Do të trokasin derë më derë për të mbledhur shqiptarët në rrugën tonë për një rilindje shqiptare. Ne do të fitojmë dhe do të çojmë pas hekurave të gjithë ata që kanë vjedhur. Me të ardhur në pushtet ne nuk do të harxhojmë asnjë minutë për ti nxjerrë para ligjit të gjithë ata që udhëruan vrasjet në 21 janar, për të gjithë ata që vodhën dhe dogjën duke shkatërruar pronën e qytetarëve”, tha Tahiri.
Tahiri ka theksuar se PS-ja nuk do të lejojë që të vidhet asnjë votë në 23 qershor ndërsa ka shtuar se ata të cilët do të guxojnë të vjedhin votën do ta paguajnë shtrenjtë dhe s`do të ketë asnjë imunitet që t`i mbrojë.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)