Asambleja e Republikës Sërpska e tërheq nga debati ligjin për ‘agjentët e huaj’

Asambleja e Republikës Sërpska e tërheq nga debati ligjin për ‘agjentët e huaj’

Qytetarë duke protestuar

Ligji për regjistrin e veçantë dhe publicitetin e punës së organizatave jofitimprurëse të Republikës Sërpska (RS), i njohur në publik si ligji për "agjentët e huaj", është tërhequr nga debati në Asamblenë Kombëtare të RS-së të martën vonë.

Legjislacioni parashikonte mbikëqyrje të veçantë dhe mundësinë e ndalimit të punës për organizatat joqeveritare që financohen nga jashtë, ndalimin e aktiviteteve politike, nevojën për regjistrim shtesë dhe dorëzimin e raporteve financiare.

Ai përkufizonte si "agjentë të ndikimit të huaj" organizatat jofitimprurëse që ndihmojnë subjektet e huaja dhe që merren me veprime politike, ose aktivitete politike, të cilat ndikojnë në opinionin publik dhe ato që shkelin integritetin dhe Kushtetutën e Republikës Sërpska - entitetit të Bosnje e Hercegovinës.

Ligji për “agjentët e huaj” u tërhoq me kërkesë të Qeverisë së RS-së dhe vendimi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë i RS-së, Millosh Bukejlloviq.

Nuk janë dhënë hollësi për arsyet e tërheqjes së këtij ligji.

Projektligji u fut në rendin e ditës në fillim të seancës së Kuvendit të RS-së më 22 maj, pavarësisht thirrjes me shkrim nga 46 organizata joqeveritare drejtuar deputetëve që të mos e votonin atë.

Në të njëjtën ditë u mbajt një shfaqje me titullin “vdekje demokracisë”, gjatë së cilës përfaqësues të organizatave joqeveritare u përpoqën ta vënë në pah dëmin që do ta shkaktonte miratimi i projektligjit për “agjentët e huaj”.

Në një letër më 20 maj, Misioni i OSBE-së paralajmëroi gjithashtu se ligji për "agjentët e huaj" është në kundërshtim me kushtetutat e RS-së dhe Bosnje e Hercegovinës, dhe në shpërputhje me detyrimet ndërkombëtare të vendit për t'i respektuar të drejtat e njeriut.

Në seancën e 23 majit, Qeveria e RS-së e shqyrtoi një "propozim të opinionit" për ligjin për "agjentët e huaj", por nuk dha hollësi pas seancës.

Këtë ligj e paraqiti më 2022 Millorad Dodik, presidenti prorus i Republikës Sërpska dhe udhëheqësi i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), i cili është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për veprime antikushtetuese.

Kuvendi Kombëtar i Republikës Sërpska miratoi draftin e këtij ligji më 28 shtator të vitit të kaluar, i cili u prit me një sërë kritikash nga publiku, sektori joqeveritar dhe organizatat ndërkombëtare.

Hulumtimi i Radio Evropa e Lirë gjeti se ky ligj kishte ngjashmëri me ligjin rus për agjentët e huaj nga viti 2012.

Ambasada amerikane ka thënë më parë për Radion Evropa e Lirë se ky ligj është "represiv dhe jodemokratik", dhe se, nëse zbatohet, do të shkelte në mënyrë drastike të drejtat dhe liritë e njerëzve që jetojnë në Republikën Sërpska.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnjë e Hercegovinë kërkoi tërheqjen e këtij projektligji nga rendi i ditës së Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, sepse vetë ligji, siç thuhet nga OHR, "ka për qëllim të heshtë dhe të frikësojë civilët dhe organizatat e shoqërisë”./ REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja