Asambleja e Republikës Sërpska miraton tërheqjen nga ushtria boshnjake

Asambleja Popullore e Republikës Sërpska (RS) të premten (10 dhjetor) ka miratuar një seri hapash që fuqizon një nismë për të transferuar disa kompentenca nga institucionet shtetërore, megjithë paralajmërimet nga Perëndimi.

Deputetët e kësaj asambleje, votuan me 49 vota për dhe 3 kundër për të nisur një procedurë që entiteti me shumicë serbe brenda Bosnje dhe Hercegovinës të tërhiqet nga ushtria boshnjake, shërbimet e sigurisë, sistemi i taksave dhe sistemi juridik.

Deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja para votimit.

Bosnja ka qenë në një krizë të stërzgjatur politike lidhur me lëvizjet ndarëse nga Republika Srpska, duke ringjallur frikën se marrëveshja e paqes që i dha fund një lufte të viteve 1992-95 mund të shpërbëhet dhe të kërcënojë stabilitetin rajonal.

Më poshtë mund të lexoni zhvillimet gjatë ditës lidhur me këtë ngjarje:

Asambleja Popullore e Republikës Sërpska (RS), organ ky legjislativ, ombrellë e këtij entiteti në Bosnjë e Hercegovinë, sot (10 dhjetor) ka diskutuar “transferimin e kompetencave nga Bosnjë e Hercegovina në nivelin e Republikës Sërpska", në fushën e taksave indirekte, drejtësisë, mbrojtjes dhe sigurisë.

Në rend të ditës ishte edhe Deklarata mbi parimet kushtetuese të Republikës Sërpska, e cila udhëzon institucionet e këtij entiteti që të hartojnë një kushtetutë, sipas së cilës Banja Lluka do të ishte kryeqyteti i entitetit, ndërkaq Palle, që është jo shumë larg kryeqytetit, Sarajevës, të jetë kryeqyteti historik.

Deklarata saktëson se “të gjitha ligjet e vendosura nga Përfaqësuesi i Lartë, janë antikushtetuese”. Pas dokumenteve të propozuara qëndrojnë presidenti i Republikës Sërpska, kryeministri i këtij entiteti, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe shumica parlamentare e kryesuar nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) e Millorad Dodikut.

Në Seancën e Asamblesë, Dodik tha se pas përfundimit të debatit, populli do të vendosë me referendum për Kushtetutën e re të Republikës Sërpska.

“Bosnjë e Hercegovina po lëviz në një drejtim, për të cilin nuk kemi rënë dakord që nga përfundimi i Marrëveshjes së Dejtonit. Ne kemi një ndjenjë se Bosnjë e Hercegovina po shkon në drejtim të gabuar. Një nga një, kompetencat po ndryshojnë në favor të Bosnjë e Hercegovinës, pa u penduar askush për këtë”, tha Dodik.

Duke folur për çështjen e ushtrisë, anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, theksoi se Republika Sërpska dëshiron që të tërheqë pëlqimin për Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës

“Kjo nuk do të thotë se serbët duhet të largohen menjëherë nga to, por ne do të vazhdojmë të negociojmë se cilët janë hapat e ardhshëm”, tha Dodik.

Ai veçoi tri opsione - reduktimin e ushtrisë së Bosnjë e Hercegovinës, miratimin e një ligji mbi ushtrinë e Republikës Sërpska ose një ligj për çmilitarizimin e Republikës Sërpska.

“Ne duam ta lëmë afatin prej gjashtë muajsh dhe të negociojmë për forcat e armatosura dhe se nuk do të ketë kurrë forca myslimane, si dhe që gjithmonë do të ketë komponentin serb, por edhe atë kroat”, deklaroi Dodik.

“Po vijmë në pozicionin që një ditë do të kemi një ushtri myslimane nën komandën e strukturave myslimane në Bosnjë e Hercegovinë. Ne duhet të refuzojmë dhe të rishikojmë këtë”, theksoi Dodik.

Ai shtoi se në Republikën Sërpska ka nisur rishikimi i transferimit të kompetencave në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës, në mënyrë që të shihet se a mundet “të justifikohet numri i institucioneve të shtrenjta të Bosnjë e Hercegovinës dhe rritja e vazhdueshme e shpenzimeve të administratës në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës”./ REL

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 11/12/2021 02:56

    Ky eshte shembulli real perse eshte i rrezikshem krijimi i asosacioneve te komunave me shumice serbe ne veri te Kosoves.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja