“Është një mrekulli që jam ende gjallë. Mbaj mend vetëm se gjithçka ndodhi brenda një sekonde, me një përplasje jashtëzakonisht të fuqishme”.
I shtruar në spitalin e Tuzlës për shkak të plagëve të marra në aksident, nënkoloneli Flavio Favari, pjesëtari i tretë i ekipit Medevac të Kryqit të Kuq Italian dhe i vetmi i mbijetuar nga ekipi mjekësor që ndodhej në bordin e helikopterit ushtarak të rrëzuar në Bosnjë e Hercegovinë, ende nuk arrin ta besojë atë që ka ndodhur.
Favari ka falënderuar të gjithë ata që i kanë shprehur mbështetjen në orët pas aksidentit. Në veçanti, ai ka shprehur mirënjohjen për përfaqësuesit e Kryqit të Kuq të Bosnjë-Hercegovinës, të cilët e vizituan në spital, ministrin italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, si dhe presidentin kombëtar të Kryqit të Kuq Italian, Rosario Valastro, për mbështetjen dhe afërsinë e treguar gjatë qëndrimit të tij në spital.
Mes të plagosurve ndodhet edhe Pietro Bersaglia, me origjinë nga Ischia di Castro, në provincën e Viterbos. Motra e Pietros, Elisa, ka publikuar në rrjetet sociale një mesazh falënderimi për mbështetjen që familja ka marrë gjatë këtyre orëve të vështira.
“Dua të falënderoj jetën, e cila edhe këtë herë zgjodhi të na dhurojë shpresë dhe realizoi një tjetër mrekulli të jashtëzakonshme për familjen tonë”, shkroi ajo.
Në mesazhin e saj, ajo kujtoi edhe katër viktimat, duke shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin me familjet e tyre, ndërsa të plagosurve të tjerë u uroi shërim të shpejtë.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për të rindërtuar momentet e fundit të fluturimit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në rrëzimin e helikopterit.
Ndërkohë, nesër pritet kthimi në Itali i trupave të katër viktimave. Avioni ushtarak, me trupat e rreshterëve Simone Ruggia dhe Claudio Marchesi, si dhe të pjesëtarëve të Korpusit Ushtarak të Kryqit të Kuq, togerit Franco Adriano Zecchillo dhe rreshteres Laura Procacci, do të ulet në aeroportin e Ciampinos.
Edhe kryeministren italiane Giorgia Meloni e ka prekur thellësisht videoja e publikuar në rrjetet sociale nga Daniel Sorza, influencueri i njohur për fotografitë e tij me burra dhe gra me uniformë.
Ditët e fundit, ai kishte publikuar pamjet e një parade të zhvilluar disa muaj më parë, ku kishte përfshirë edhe një fotografi nga afër të Laura Procaçi-t, rreshtere e Kryqit të Kuq, një prej pjesëtarëve të forcave ushtarake që humbën jetën në aksidentin me helikopter në Bosnjë.
“Ky është imazhi më prekës dhe dhurata më emocionuese që kam bërë ndonjëherë në jetën time”, shkruan Sorza në përshkrimin e videos. Në pamje, ai vendos fotografinë e printuar të Laurës në memorialin e ngritur në Qendrën e Mbrojtjes, në Romë.
“Përshëndetje Laura, nuk pata mundësinë të ta dorëzoja personalisht. Por tani që jam këtu, dua të të dhuroj këtë fotografi që bëra për ty më 30 maj 2026.
Ka plagë që koha nuk mund t'i shërojë dhe borxhe që nuk do të mund t'i shlyejmë kurrë. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të ruajmë kujtimin tuaj në zemrat tona, me mirënjohje të pafundme dhe të thellë”, shkruan ai.
Videoja, e cila është shoqëruar me komente të shumta prekëse dhe mesazhe mirënjohjeje, është shpërndarë edhe nga kryeministrja italiane në rrjetet sociale.
“Faleminderit për atë që bën dhe për gjithçka që përcjell përmes fotografive të tua”, ishte mesazhi i Melonit drejtuar Sorzës.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq Italian ka ngritur një hapësirë përkujtimore, të hapur për të gjithë qytetarët, në nderim të togerit-komisar Franco Adriano Zeçhillo dhe rreshteres Laura Procaçi, dy pjesëtarët e Korpusit Ushtarak Vullnetar të Kryqit të Kuq Italian që humbën jetën në aksidentin me helikopter.
Hapësira përkujtimore është vendosur në kapelën e kazermës Luigi Pierantoni, në Romë, për t'u mundësuar të gjithë atyre që dëshirojnë të luten dhe të bëjnë homazhe në nderim të dy ushtarakëve.
Kjo nismë synon gjithashtu të shprehë solidaritetin dhe mbështetjen për familjet e viktimave, kolegët e tyre dhe gjithë komunitetin e Kryqit të Kuq Italian./LaRepubblica
-
Ngushéllime
Përgjigju

Komente
Komento