Një nxënëse 17-vjeçare dhe një mësues i shkollës së mesme të Shupenzës janë transportuar pak minuta më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me dy helikopterët e vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
17-vjeçarja me inicialet A.M. dhe mësuesi me inicialet P.A. u transportuan nga spitali i Peshkopisë dhe i Bulqizës, për një trajtim më të specializuar në Tiranë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu vizitoi pacientët e transportuar me helikopter në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, të cilët aktualisht janë në gjendje të stabilizuar dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Numri i nxënësve që aktualisht po marrin shërbimin mjekësor në spitalet e Bulqizës dhe Peshkopisë është rreth 60. Gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar dhe janë nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.
Ministrja e Shëndetësisë më herët, ngriti Task-Forcën e Emergjencës me mjek të specializuar për këtë ngjarje. Ndërkohë, ekspertë të shëndetit public po kryejnë analizat për të saktësuar shkakun e intoksikimit të nxënësve të shkollës së mesme Shupenzë.
(Ministrja e Shëndetësisë viziton nxënësen dhe mësuesin e trasnportuar me helikopter në QSUT)
Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com











