TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike i është përgjigjur deklaratës së Ramës që tha se procesi i zgjedhjes së kandidatëve për deputetë të PD ishte sa për sy e faqe, Gazment Bardhi shkruan se kryeministri u lodh kot deri te plehrat pas i burgun e kishte më afër për të zgjedhur kandidatët e PS.

‘U lodh kot deri tek plehrat, duke fyer dhe keqpërdorur socialistët e ndershëm, për gjoja përzgjedhjen 3D të kandidatëve për deputetë. E kishte më afër burgun, për të bërë atë që ka 8 vite që bën, përzgjedhjen e kandidatëve me krimin e organizuar’, shkruan Bardhi në Facebook.

Gjithashtu Bardhi ka vijuar akuzat se në 8 vite Rama nuk u ofroi asgjë shqiptarëve dhe nuk ka mbajtuar asnjë premtim.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit

Një orë fjalim sot tek fusha e plehrave, përsëriti të njëjtat gënjeshtra për PD, Lulzim Bashën, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga PD dhe për Opozitën e Bashkuar.

Mjafton të dëgjosh Edi Ramën për të kuptuar se në 8 vite pushtet si Kryeministër nuk i ofroi asgjë shqiptarëve, asnjë ide, asnjë premtim i mbajtur, asnjë zhvillim.

Nuk ka asnjë bilanc në qeverisje, përveç projekteve që në 2 mandate mbeten vetëm në 3D, ndërkohë që nuk ka më propagandë që fsheh krimin dhe korrupsionin e Qeverisë së Dështimit. Vetëm me fjalë, tallje, fyerje dhe mashtrime nuk zgjidhen dot hallet e shtuara të qytetarëve shqiptarë.

U lodh kot deri tek plehrat, duke fyer dhe keqpërdorur socialistët e ndershëm, për gjoja përzgjedhjen 3D të kandidatëve për deputetë. E kishte më afër burgun, për të bërë atë që ka 8 vite që bën, përzgjedhjen e kandidatëve me krimin e organizuar.