Akademia e Shkencave thekson se Shqipëria mbylli një javë sipas pritshmërive dhe parashikimeve lidhur me koronavirusin, ndërsa po forcon vazhdimin e sheshimit të kurbës dhe fillimin e uljes së të sëmurëve faktikë. "Kjo dinamikë e treguesve ka bërë që Shqipëria të hyjë më shpejt në fazën e daljes nga pandemia.
Gjatë javës që po mbyllim treguesit e pandemisë tek ne kanë ecur sipas pritshmërive dhe parashikimeve që janë bërë edhe prej Akademisë së Shkencave, komisionit të përhershëm të mjekësisë, të atij të matematikë-informatikës dhe të anëtarëve të E-group-it tonë “Në ndjekje të pandemisë'" thuhet në raport.
Raporti i plote
Buletini V Covid-19, datë 11.04.2020
Të dhëna të përditësuara për gjendjen e pandemisë në Shqipëri dhe në Europë gjatë 24
orëve të fundit, datë 11 prill 2020.
Shqipëria mbyll një javë sipas pritshmërive dhe parashikimeve: forcon vazhdimin e sheshimit të kurbës dhe fillimin e uljes së të sëmurëve faktikë
Relacion ditor i E-group-it “Në ndjekje të pandemisë”, që funksionon pranë Akademisë së Shkencave
1. Një javë më parë, në deklaratën e saj publike, Akademia e Shkencave (nëpërmjet komisioneve të saj të përhershme: komisioni i mjekësisë dhe ai i matematikë-informatikës), paralajmëroi, duke vlerësuar dhe sintetizuar të dhënat, “rolin përcaktues të kësaj periudhe për ecurinë e metejeshme te pandemisë”. Shtimi me 17 të prekur të rinj i numrit tërësor të të sëmurëve gjatë ditës së fundme përbën një rritje prej 4 për qind. Kjo rritje është në vijimësi të logjikës së ecurisë gjatë javës që po mbyllim, me një mesatare rritjeje ditore prej 3.8 për qind. Këto janë ritme karakteristike të fazës se sheshimit të kurbës së rritjes. Në këtë fazë Italia ka hyrë para nesh. Dje, në Itali dhe specifikisht në Lombardi, Milano e Bergamo, u shenjuan gjegjësisht rritjet prej 2.7 për qind, 2.27 për qind, 2 për qind dhe 1 për qind. Por, në dallim nga Italia, deri tani ritmi i shërimeve në vendin tonë është shumë më i lartë. Shifrat gjegjëse janë 45 për qind dhe 22 për qind. Kjo dinamikë e treguesve ka bërë që Shqipëria të hyjë më shpejt në fazën e daljes nga pandemia. Gjatë javës që po mbyllim treguesit e pandemisë tek ne kanë ecur sipas pritshmërive dhe parashikimeve që janë bërë edhe prej Akademisë së Shkencave, komisionit të përhershëm të mjekësisë, të atij të matematikë-informatikës dhe të anëtarëve të E-group-it tonë “Në ndjekje të pandemisë”.
2. Gjatë javës në vazhdim kërkohet vazhdimi i të njëjtave masa kryesore dhe i së njëjtës përkujdesje, me qëllim që rritja të mbahet nën 3 për qind.
3. Në shkallë botërore dje u shenjua një rritje prej 5.8 për qind, nga 5.6 për qind që u raportua një ditë më parë. Kjo për shkak të gati dyfishimit të numrit të të prekurve të rinj në Britaninë e Madhe (8.680 të infektuar të rinj, kundrejt 4.200 të infektuarve një ditë më parë). Britania e Madhe dhe Rusia janë në fazën e zgjerimit të pandemisë, me 9 për qind deri në 18 për qind rritje në ditë.
4. Në SHBA dje u shenjua indeksi më i ulët i rritjes: 7.1 për qind, nga 7.7 për qind një ditë më parë. Por ndërkohë, për fat të keq, humbja e jetëve njerëzore ishte përsëri në nivelet më të larta, me 2.035 veta. Treguesit e lartë të vdekshmërisë mbeten shqetësues edhe per vendet kryesore europiane, ndonëse këta tregues, përveç Belgjikës, dje shenjuan ulje. Kjo u vërtetua në Francë, Spanjë, Itali, Hollandë dhe Gjermani. Pritet që kjo tendencë të theksohet në ditët e ardhshme.
5. Europa në tërësi ka shenjuar një rritje të të prekurve të rinj në kufijtë nën 5 për qind. Konkretisht, në Spanjë, Gjermani, Zvicër dhe Austri ky tregues u dëshmua gjegjësisht në nivelet 3.3 për qind, 3.3 për qind, 2 për qind dhe 2.4 për qind. Shmangie të kuptueshme përbëjnë treguesit e Francës dhe Hollandës, me 6 për qind. Ndërsa Belgjika, me 6.7 për qind rritje gjatë ditës së djeshme, po njeh një tendencë jostabilizimi.
6. Shërimet në vendet europiane, ku dhe përhapja e pandemisë është më e gjerë, ndonëse me ulje gjatë ditës së djeshme, si trend janë në nivele të kënaqshme. Arritja e shërimeve në nivelet 46 për qind në Zvicër, 44 për qind në Gjermani, 35 për qind në Spanjë dhe mbi 22 për qind në Francë, përbë një tregues pozitiv, çka përshpejton daljen e Europës nga faza e pikut.