Asistenca,Rama i përgjigjet PD-LSI:
Manipulim mizor, ja skema e re

Asistenca,Rama i përgjigjet PD-LSI:<br />Manipulim mizor, ja skema e re<br /><br>
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar një manipulim të madh politik akuzat e opozitës për heqjen nga skema e ndihmës ekonomike të rreth 20 mijë familjeve në nevojë. Nga qyteti i Beratit, ku zhvilloi mbledhjen e qeverisë, Rama tha se skema e re do të heqë nga skema të gjithë abuzuesit, duke bërë që paratë të shkojnë te familjet në nevojë.

Sipas tij, skema është e ftohtë dhe kompjuterike, dhe jo si skema e dikurshme, ku merrnin ndihmë ekonomike edhe anëtarët e këshillit bashkiak, duke përmendur këtu Kukësin. Më tej, kreu i ekzekutivit theksoi se do të gjendet rruga për t’i bërë pjesë të kësaj skeme të gjitha familjet në nevojë.

"Është bërë një problem në kuptimin që ka një manipulim të madh politik. Ndërkohë që skema është e njëjta skemë e cila u pilotua për 2 vjet në tre qarqe, në Tiranë,  Elbasan dhe Durrës, që nxori 19.100 abuzues vetëm në tre qarqe dhe që tani shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Nëse skema pati sukses në këto tre qarqe, nuk ka pse të mos ketë sukses në të gjithë Shqipërinë për të ndarë ata që merrnin ndihmë ekonomike dhe janë mijëra e mijëra të tillë, padrejtësisht, me ata që meritojnë ndihmën ekonomike.

Ndërkohë ka dy elementë. Skema është e ftohtë. Pra është kompjuterike. Nuk është skema e dikurshme kur kemi parë gjëra skandaloze, deri në nivelin që këshilli i tërë bashkiak i Kukësit i jepte ndihmë ekonomike vetes së vet, për çdo anëtar. Kjo, për të sjellë një rast ekstrem. Por ka, siç është pranuar dhe është ditur që në fillim, edhe nga vetë ekspertët e Bankës Botërore, se është një projekt i përbashkët me Bankën Botërore, një institucion lider në luftën kundër varfërisë, -marzhin e vet të gabimit.

Pikërisht se skemat kanë marzhin e vetë të gabimit, ka një proces riverifikimi dhe rivlerësimi dhe jemi në këtë proces. Pra, patjetër që ka raste që nuk përputhet rezultati që ka dhënë skema me nevojën e një familje apo një familje tjetër dhe këto familje të gjitha, do të gjendet rruga për t'i përfshirë në skemë. Ka raste të tilla patjetër, por jam i bindur që në këtë fazë do të shikoni përditë histori manipulimi, mendoj mizorisht politik, me këto raste. Ne jemi të vetëdijshëm për këto raste e për këtë arsye po bëjmë këtë proces verifikimi dhe rivlerësimi. 

Nga ana tjetër, ne kemi dyfishuar fondin që i shkon bashkive. Pra, nga 3%, bashkive i kemi dhënë 6%, që mund vetë t’i përdorin pa u kushtëzuar nga kriteret e skemës kombëtarë për të përfshirë në programin e ndihmës, familje që bashkia vlerëson se meritojnë ndihmën ekonomike.

Ama 70% e atyre që kanë pretenduar të përfshihen e nuk janë përfshirë në skemë, janë persona nga 24 deri në 45 vjeç, plotësisht të aftë për punë dhe unë nuk mund ta pranoj që investime të kryera, - po marr shembuj në zonën e Delvinës, për fabrika, - të rrezikojnë të falimentojnë për shkak se nuk shkon njeri të punojë.  E nga ana tjetër, ata që janë të aftë për punë, të kërkojnë ndihmë ekonomike, ndërkohë që iu ofrohet punë. Unë nuk mund të pranoj që një investim i kësaj natyre të jetë ndoshta i falimentuar sot, në Skrapar, ku vendet e punës janë të lira dhe mbeten bosh pasi nuk pranojnë të punojnë. Unë nuk mund të pranoj që e njëjta gjë të ndodhë në Gjirokastër dhe po kështu kudo tjetër. Po flas për raste konkrete, investimesh konkrete, fabrikash konkrete që nuk arrijnë dot të vihen në punë ose që punojnë komplet jashtë çdo lloj mundësie për të mbijetuar sepse njerëzit nuk duan të punojnë. Këtë nuk mund ta pranoj. 

Mund të më thonë, "pse të shkoj unë të punoj për 300 mijë lekë apo për 350 mijë lekë apo pse do shkoj unë të punoj për 400 mijë lekë". Kemi rastin e një fabrike në Durrës, ku rrogat janë 450 mijë lekë dhe ka plot vende bosh. Sigurisht që nuk është një rrogë si e imja apo si e juaja, por është pesë, gjashtëfish dhe shtatëfish më shumë se sa mesatarja e ndihmës ekonomike.

Atëherë, nëse më thua që unë dua të marr 50 mijë lekëshin e mesatares, - se ndihma ekonomike mund të shkojë deri në 110 mijë lekë për familje që plotësojnë kriteret, por po marr mesataren, - e të rri në kafene e të mos shkoj në punë, unë them më vjen shumë keq, por kjo nuk është e mundur sepse ajo mesatare minimale është për familjet që realisht janë në nevojë. Nuk është për ty që je 25 vjeç, që je 30 vjeç, që je 35 vjeç, që je 40 vjeç dhe që nuk do të punosh. Kjo është përgjigja ime", theksoi kryeministri Rama. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët