TIRANE- Asllan Patrioti tregon se ka marrë sinjale se greva do të prishej dhe do të mbyllej. Ish-kordinatori tregon se bashkë me Skënder Tufën u vunë në dijeni për fatin e grevës. Ndërsa tregon se do të kishte dashur që ky vendim të ishte marrë me shumicë nga grevistët pjesëmarrës. Por siç thotë telefonatat e dhanë efektin e tyre duke i vënë vulën grevës. Asllan Patrioti tregon se i ka shkuar një person i veçantë për vizitë në qeli duke e pyetur nëse ishte i kënaqur nga kjo që ndodhi. Përgjigjia e Patriotit ishte se qenë me fat që nuk pati më viktima, ndërsa për fatin e grevës personi i veçantë nga instancat e lartë ishte në dijeni.

-Si e morët vesh lajmin e vdekjes së Lirakut?

Isha në qeli dhe ne kishim televizor. Dëgjova se kishte vdekur Liraku dhe u trishtova shumë. Nuk e prisja vdekjen e tij po për mua dhe shokët e mi bashkëvuajtës Liraku do të njihet gjithmonë si një hero i demokracisë dhe të përndjekurve politikë. Desha të ngushëlloj familjen dhe me keqardhje nuk mora dot pjesë në ceremoni, pasi isha në qeli. Ngushëllimet e mia dhe të familjes për familjen Bejko. Së shpejti do të mblidhemi që për familjen Beko të caktohet një pension mujor, do ose jo Kryeministri. Kërkova që të merrja pjesë në ceremoni, por prokurori nuk më dha leje, meqë isha person nën hetim. Shoku ynë vdiq me barkun bosh, pa punë, pa shtëpi, pa strehë. La 2 vajza dhe gruan në mes të katër rrugëve.

-Si e pritët lajmin e mbylljes së grevës?

Bëre mirë që më ngacmove për këtë pikë. Dua të them se bashkë me Skënder Tufën morëm sinjale më përpara se greva do të prishej. Vetë greva e urisë ishte shumë e pastër, por do të kisha dashur që mbyllja e grevës të ishte bërë me vendimin e shumicës. Por telefonatat ndërhyrëse bënë punën e vet. Madje sot kam takuar një grevist, i cili ndante të njëjtin mendim me mua se ndikimi i telefonatave e mbylli grevën. Gjatë kohës që isha në qeli më vjen një person i veçantë, i ngarkuar për të më takuar mua. Ai më thotë: Je i kënaqur me kaq sa ndodhi. I them: Kënaqësia ime është vetëm për një moment që nuk ka më viktima. Më pas i them personit të veçantë që vinte nga instanca të larta: "Ju e dini më mirë se unë për prishjen e grevës".

-Po me Massimilianon keni pasur më kontakte?

Nuk kam folur më me Massimilianon pas arrestimit. Por sipas fjalëve që më kanë thënë, ai është penduar për çka më bëri. Nuk dua më të merrem me të dhe për kontratën që kam lidhur me të do të ngre padi penale. Kompania e Massimilianos është jo reale dhe siguracionet që plotësoheshin ishin fleta boshe pa vlerë.

-Çfarë mund të më thoni për vendimin e qeverisë për këstin e dytë?

Ne nuk jemi dakord për këstin e dytë,na takon që të marrim çdo vit këstin dhe shteti duhet të plotësoje edhe 3 këste të tjera. Nëse Kryeministri do të tallet me këtë shtresë që e ka mbajtur 22 vjet në qeveri duke na ka bërë plehrë të komunizmit dhe njerëz pa dinjitet, bën një faj të madh. Nëse ju doni që të mos ndëshkoheni merrni mundimin, kthejini sytë nga kjo shtresë e vuajtur e shkatërruar nga të gjitha anët. Mendoj se edhe në bazën e Durrësit Kryeministri duhet të ndërhyjë duke struktuar këtë shtresë. Shkaku pse humbën zgjedhjen është mungesa e komunkimit me këtë shtresë në Durrës.

-Si e pritët vendimin e Gjykatës së Apelit?

Arrestimi im ishte politik dhe jo në emër të korrupsionit pasiv. Nuk jam dakord me akuzën e ngritur ndaj meje. Gjyqi në shkallë të parë u bë me dyer të mbyllura duke nxjerrë jashtë familjen time dhe median. Gjyqtarja që gjykoi çështjen time dha edhe vendimin e shpërndarjes së grevës. Ajo pa turp nuk hoqi dorë por vazhdoi gjykimin, edhe pse avokati im i kërkoi dorëheqjen. Vendimin e Apelit nuk e prisja dhe jam i pafajshëm. Ky është një dënim politik, është komplot.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)