Asllani kurorëzohet kampion i Italisë me Interin, Manaj asist! Laçi dhe Tuci fitojnë titullin me Sparta Prague! Daku shënon

Asllani kurorëzohet kampion i Italisë me Interin, Manaj asist! Laçi dhe Tuci fitojnë titullin me Sparta Prague! Daku shënon

Kombëtarja

Kur ka mbetur edhe pak ditë nga grumbullimi zyrtar i Kombëtares kuqezi në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, fundjava që sapo lamë pas ishte shumë e veçantë për tre futbollistët e Shqipërisë, Kristjan Asllani, Qazim Laçi dhe Indrit Tuci. Asllani u kurorëzua kampion i Italisë me Interin duke fituar për herë të parë në karrierën e tij titullin e Serisë A.

Një sezon fantastik për zikaltërit që dominuan kampionatin dhe me plot meritë fituan titullin e 20-të në histori, teksa një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë arritje ka dhënë edhe mesfushori kuqezi Kristjan Asllani i cili gjatë ceremonisë mori edhe medaljen e kampionit. Titullin kampion me skuadrën e Sparta Prague e siguruan edhe Qazim Laçi dhe Indrit Tuci.

Për Laçin ky ishte sezoni i dytë radhazi që shpallet kampion në Çeki. Sparta Prague fitoi 5-0 në transfertë ndaj Mlada Boleslav në një ndeshje ku mesfushori kuqezi ishte titullar dhe në fund futbollistët e Sparta Prague festuan së bashku suksesin e arritur. Mirlind Daku sërish protagonist për skuadrën e tij Rubin Kazan. Sulmuesi kuqezi gjeti rrugën e rrjetës në disfatën 3-1 ndaj Spartak Moscow. Daku në minutën e 77-të e kontrolloi bukur topin në zonë duke iu shmangur mbulimit të mbrojtësit kundërshtar dhe me një goditje të fortë mposhti portierin. Ky ishte goli i nëntë në kampionat për Dakun i cili numëron edhe katër asiste.

Rey Manaj zhvilloi një tjetër paraqitje të mirë me ekipin e tij Sivasspor që triumfoi në transfertë 3-1. Sulmuesi kuqezi edhe pse nuk e gjeti rrugën e rrjetës ishte vendimtar me një asist në golin e tretë që u shënua nga shoku i tij i skuadrës Koita. Në fund Manaj u vlerësua edhe si më i miri i ndeshjes me notën 8.3 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Ivan Balliu, Naser Aliji, Ylber Ramdani dhe Sokol Cikalleshi ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Mario Mitaj, Keidi Bare, Ernest Muçi.

S.DH/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania