Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon ashpër Qeverinë për ndryshimet në projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon ashpër Qeverinë për ndryshimet në projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave

Pjesëtarë të ekipeve mediale në Kosovë duke mbuluar një ngjarje në Prishtinë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligjin që parasheh rregullimin e mediave online.

I ashtuquajturi Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ky hap i ekzekutivit është konsideruar “përpjekje e re e Qeverisë aktuale që t'i sulmojë mediat".

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka thënë se dokumenti i miratuar nga Qeveria është bërë publik në faqen e kryeministrisë, vetëm pas kërkesës për të pasur qasje në të.

Ajo ka thënë që nëse këto ndryshime miratohen, do të ndryshojë në mënyrë radikale mënyra e rregullimit të mediave online që publikojnë video – prej vetërregullimit në rregullim shtetëror.

Sipas saj, ndryshimet detyrojnë mediat online që t’i nënshtrohen licencimit shtetëror.

“Secila media online, që dëshiron të publikojë video, do të duhej të aplikonte për leje te Komisioni i Pavarur për Media, nëse projektligji miratohet”, ka thënë ajo.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) - i themeluar në vitin 2005 - është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

AGK-ja funksionon si shoqatë joprofitabile, ndërsa KMSHK-ja është trup vetërregullues.

Në vend të ndryshimeve, Qeverisë i është kërkuar të fuqizojë AGK-në, KMSHK-në dhe gjykatat, që të mund të bëjnë punën e tyre edhe më mirë.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një koment prej Qeverisë së Kosovës pas këtyre reagimeve, por nuk ka marrë përgjigje.

Çfarë parasheh projektligji?

Kusari ka thënë se nuk qëndron arsyetimi i Qeverisë për ndryshimet, me qëllim të përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, pasi, sipas saj, ndryshimet janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës - ku synon të anëtarësohet Kosova.

Në mesin e ndryshimeve kryesore, ajo ka përmendur:

  • licencimin dhe kontrollimin e mediave online prej KPM-së,
  • mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit,
  • mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale.

Mes tjerash, parashihet që KPM-ja t’i ketë 11 anëtarë, nga shtatë sa i ka aktualisht.

“Iniciativa ligjore e Zyrës së Kryeministrit, është iniciativë për t’i kontrolluar mediat online përmes licencimit dhe është sulmi i radhës ndaj mediave”, ka vlerësuar Kusari.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka kërkuar që të vazhdohet me vetërregullim të mediave dhe të merret parasysh konteksti lokal i zhvillimit të mediave.

Kryetari i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, ka thënë se aktualisht në Kosovë ekzistojnë organizata dhe kornizë e mjaftueshme ligjore që të adresohen të gjitha shqetësimet për përmbajtjen në media.

Rasti i Finlandës

Përgjatë konferencës, Kusari ka theksuar se nuk po bëhet thirrje që ligjet të mos harmonizohen me ato të BE-së.

Ajo ka sqaruar se kur një direktivë e BE-së zbatohet në praktikë, merren parasysh rrethanat e atij shteti, prandaj edhe ekzistojnë modele të ndryshme.

Kusari është ndalur të rasti i Finlandës, duke treguar se kur ka nisur të zbatohet direktiva e bllokut evropian, Parlamenti dhe Qeveria kanë arritur pajtueshmëri që mediat online në tërësi të vetërregullohen, sepse ashtu ka funksionuar.

Ata më pas e kanë njoftuar BE-në që nuk mund të bëjnë ndryshime në atë fushë, sepse për Finlandën, vetërregullimi ka qenë modeli ideal.

“Ne po e kërkojmë të njëjtën”, ka thënë mes tjerash ajo./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'