Seanca në Parlamentin e Zelandës së Re është hapur me leximin e Kuranit në nder të 50 viktimave të sulmit që u bë të premten e kaluar. Kurani është lexuar gjatë seancës së Parlamentit të Zelandës së Re, që ishte e para që prej sulmit terrorist në dy xhami që u mori jetën 50 personave. Një imam mysliman udhëhoqi lutjet në Parlament, në atë që u vlerësua si gjest i solidaritetit me viktimat e sulmit. Ajetet që u lexuan ishin për durimin, lutjet dhe drejtësinë në ditën e gjykimit.
Ndërsa, kryeministrja Jacinda Ardern e nisi fjalimin e saj me urimin arab “As-Salaam-Alaikum”, që në shqip do të thotë “paqja qoftë mbi ju”. Kjo ishte hera e parë që Kurani është lexuar në Parlamentin e Zelandës së Re. Ky akt është mirëpritur nga Turqia, pasi Ibrahim Kalin, shef i këshilltarëve të presidentit Erdogan, përgëzoi Parlamentin.
“Unë e përgëzoj Parlamentin për këtë akt të ngrohtë dhe të këndshëm. Janë këto akte mirësjelljeje që do ta mposhtin terrorizmin dhe fashizmin”, deklaroi Kalin.
Pas sulmit që la të paktën 50 të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur, kryeministrja zelandeze, Jacinda Ardern, apeloi të mërkurën për një nismë globale për të çrrënjosur ideologjinë raciste dhe islamofobe që po përhapet nëpër botë edhe nga mediet sociale. Autori i ngjarjes, 28-vjeçari australian, pritet të gjykohet për vrasjen në masë dhe një sërë akuzash të tjera duke nisur nga data 5 prill. Ndërkohë, policia zelandeze ka shtuar apelet drejtuar qytetarëve për të mos shpërndarë apo poseduar videon që autori filmoi gjatë krimit, përndryshe rrezikojnë të dënohen deri në dhjetë vite burg.
'As-Salaam-Alaikum', seanca në Parlamentin e Zelandës së Re hapet me leximin e Kuranit në nder të 50 viktimave të sulmit
Komento