BERGAMO, Itali - Atalanta ka regjistruar një fitore të thellë 3-0 ndaj Juventusit në Bergamo, duke prerë biletën për në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.

Pavarësisht se “Zonja e Vjetër” ishte më kërkuese dhe më dominuese në fazat e hershme të takimit, vendasit u treguan më konkretë para portës. Juventusi rrezikoi që në fillim përmes Francisco Conceiços dhe Manuel Locatellit, por pa arritur të gjejë rrugën e golit.

Momenti kyç i pjesës së parë erdhi në minutën e 27-të, kur Bremer preku topin me dorë brenda zonës. Gjyqtari akordoi penallti pas pamjeve në VAR, të cilën Gianluca Scamacca e shndërroi saktë në gol për epërsinë e Atalantës.

Juventusi tentoi të reagojë edhe në vazhdim, me Weston McKennie që ishte pranë barazimit, por goditja e tij përfundoi ngjitur me shtyllën e djathtë.

Në pjesën e dytë, teksa miqtë shtuan presionin, Atalanta goditi në kundërsulm. Kamaldeen Sulemana shënoi nga pranë portës në minutën e 77-të, duke dyfishuar rezultatin, ndërsa Mario Pasalic ‘vulosi’ fitoren bindëse me një goditje precize nga distanca në minutën e 85-të. Sulmuesi i Juves, Edon Zhegrova, u fut në lojë në minutën e 80-të.

Me këtë triumf, Atalanta avancon në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, ku do të përballet me fituesin e çiftit Bologna - Lazio.