Shqipëria përfaqësohet me 4 sportistë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano- Cortina 2026. Lara Colturi është sportistja që do të mbajë flamurin e Shqipërisë në ceremoninë e hapjes në Cortina d’Ampezzo. Prestigjiozja italiane “La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull skiatores 19-vjeçare nga Piemonte.

“Lara Colturi zgjodhi të garojë për Shqipërinë tre sezone më parë. Ajo është vajza e Daniela Ceccarellit, kampiones Olimpike në Super G në Salt Lake City 2002. Lara këtë sezon ka arritur 4 podiume në Slalom (2 vende të dyta dhe 2 të treta) dhe u rendit e 6-ta në gjigantin e Kranjska Gora”, shkruhet në artikull.

Parakalimin e sportistëve në Milano do ta hapë Armenia, me patinatorët Karina Akopova dhe Nikita Rakhmann. Në Cortina e para që do të parakalojë do të jetë pikërisht Colturi, kurse në mbyllje do të dalin në skenë flamurmbajtësit e Italisë, Arianna Fontana dhe Federico Pellegrino në Milano, Federica Brignone dhe Amos Mosaner në Cortina.

Shqipëria përfaqësohet në Olimpiadën Dimërore me 4 sportistë, 4 skiatorë, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti. Nga 6 shkurti deri më 22 shkurt gjithë vëmendja do jetë në Itali.