TIRANE- Studimi i nacionalizmit shqiptar, fillesat e tij dhe arsyet e lindjes kanë ngacmuar gjithnjë historiografinë dhe historianët. Janë të shumtë autorët që e kanë trajtuar atë vendas e të huaj, Emra të njohur si Stefanaq Pollo, Stavri Naçi, apo autorët e huaj si Nuray Bozbora e Nathalie Clayer, bashkohen të gjithë në një pikë, se ishte pikërisht gjysma e dytë e shekullit XIX, periudha kohore e shfaqjes së tij. Po në këtë grupim autorësh gjejmë hipotezën e një nacionalizmi të vonuar krahasuar me fqinjët tanë.

Faktikisht, gjeneza shqiptare e këtij fenomeni është kërkuar në zhvillimet ndërkombëtare të vitit 1878, e në mënyrë të veçantë te Lidhja e Prizrenit. Pra, ndërgjegjja jonë kombëtare duket sikur u vu në provë pikërisht me Traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit, që morën si vendim shkëputjen e territoreve shqiptare nga trungu amë. Lindja e mendimit politik nacionalist të kombit tonë padyshim do të shënonte një hap cilësor, sepse do t’i hapej rruga lëvizjes që do të çonte në krijimin e shtetit kombëtar. Po nacionalizmi si mendim politik kishte krijuar mundësinë e formimit shteteve fqinje, gati edhe 100 vjet më parë se ne. Pra, gati dy shekuj më parë, kjo frymë nacionaliste që zotëronte në Ballkan, dhe përgjithësisht synonte t’i kundërvihej Perandorisë Osmane.

Dhe ja arriti, sepse ishte fryma e duhur. Në ditët e sotme, doktrina e nacionalizmit për shumë motive nuk mund të jetë më e njëjta me atë të gati dy shekujve më parë, as për ne e as për fqinjët tanë ballkanik. E në mënyrë të veçantë nacionalizmi politik, patetik i fjalimeve, por jo i aksioneve konkret nuk është ai i duhuri për klasën politike që drejton jetën e vendit. Të paktën ditët e fundit kemi pasur rastin ta rishfaqim nacionalizmit tonë (të akuzuar edhe për irredentizëm), por më tepër se ky nacionalizëm, apo me shqip atdhedashuri, vendi ynë ka nevojë për atë nacionalizmin e përditshëm të veprimit politik. Tashmë nuk jemi më dy shekuj më parë, ku “armiku” na vinte nga jashtë, dhe për këtë arsye, na duhej një platformë ideologjike për të mbrojtur jo vetëm identitetin tonë, gjuhën, por edhe territoret.

Tani rreziku na vjen nga mungesa e ecjes përpara, e ngeljes peng i së djeshmes, i zemërimit dhe hatërmbetjes alogjike të humbjes së pushtetit, apo i çfarëdolloj justifikimi tjetër, që mund të marr edhe karakter fare banal në rrethana të caktuara. Të mbetur në doktrinën fillestare të nacionalizmit mbrojtës, kundër çdo rreziku që Shqipërisë i kanoset nga jashtë, duket se politika ka harruar se rreziku më i madh ndonjëherë është ajo vetë, me mosveprimin e saj. Të jesh nacionalist sot do të thotë; së pari, të demonstrosh gjithë devocionin dhe luajalitetin ndaj kombit tënd. Sot, kur ne po përpiqemi, jo të mbrojmë kufijtë, sepse ata nuk na i cenon kush, por t’i hapim ata për fqinjët tanë, nën sloganin, ‘Të gjithë drejt BE-së’ dhe dëshirojmë shumë të jemi pjesë e tyre, detyra ndaj kombit është uniteti kombëtar, që, më së pari, buron prej mendimit politik që formëson jetën e vendit dhe veçanërisht zhvillimin ekonomik të tij.

Nëse politika dëshmon ethshëm mungesën e interesit për këtë unitet, në emër të qëllimeve personale apo klanore për hir të pushtetit të humbur, atëherë nacionalizmi është një kartë e dështuar, që herë merr nota komike, e herë nota tragjike, sipas rastit kur artikulohet. Ajo që do t’i bindte vërtetë shqiptarët, por edhe partnerët ndërkombëtarë se nacionalizmi po i shërben politikës sonë për të arritur te qëllimet e mëdha, siç është në koherencë realizimi i reformave madhore, do të ishte bashkëpunimi i palëve në funksion të rezultateve konkrete për reformat dhe integrimin e vendit në familjen evropiane.

Vetëm atëherë ata mund të bëheshin të krahasueshëm me platformat e tyre, me mendimin ideologjik iluminist të dy shekujve më parë. Por, nëse klasa politike do të ngelet secila në llogoren e saj, pamundur ta ngrejë ideologjinë e saj të paktën në nivelin e vargjeve të Pashko Vasës “Çohuni Shqiptarë prej gjumi çohuni/ e të gjithë së bashku në një besë bashkojuni”, atëherë është më mirë që në vend të kartës së nacionalizmit të gjejnë diçka tjetër, ndoshta më bindëse. Padyshim atdhedashuria është një vlerë, që së pari duhet ta dëshmojë klasa politike, por ndryshe nga njerëzit e thjeshtë, që ndoshta edhe ju lejohet të bien në atë patosin dhe entuziazmin e parullave, për klasën politike kjo kohë ka që skaduar.

Është koha e veprimit, është koha e bashkëpunimit, është koha e bashkimit nën një besë, nën besën e një atdheu të reformuar drejt integrimit në familjen e madhe pakufi, të botës evropiane, të mohuar dy shekuj më parë, pa të drejtë. Sot Evropa është ndryshe, ndaj edhe ideologjia jonë nacionaliste nuk mund të ngelet në reminishencat dyshekullore. Është koha për “Act Now” për atdheun tënd, politikani të bëhet për atë që është votuar, edhe atdhetar. Nacionalizëm i vërtetë është kur bashkëpunon dhe vepron për zhvillimin e vendit!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)