Romeo Meçaj, 33 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë mbrëmjen e sotme në Vlorë, në një atentat mafioz pranë stadiumit “Flamurtari”.

33-vjeçari po lëvizte me makinën tip “Land Rover” kur në drejtim të tij u shkrehën plumba kallashnikovi. Si pasojë e të shtënave, makina në lëvizje e të plagosurit përplasi disa mjete në afërsi, ndërsa nuk pati të tjerë të lënduar. Autorët dyshohet se e kanë pritur të fshehur Meçajn pranë stadiumit, ndërsa kanë pasur dijeni të lëvizjeve të tij.

Pas të shtënave ata u larguan me shpejtësi, ndërsa dogjën automjetin e tyre në zonën e quajtur “Shtatë Pallatet”, pranë Ujit të Ftohtë. Makina rezulton me targa të vjedhura. Pas këqyrjes, policia gjeti dhe sekuestoi brenda saj, dy kallashnikov të djegur, të cilët dyshohet se u përdorën për të qëlluar në drejtim të 33-vjeçarit Meçaj.

Romeo Meçaj jetonte në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, ndërsa akoma mbetet e paqartë arsyeja e tentativës për ta eliminuar. Si pasojë e të shtënave, gjendja e tij paraqitet serioze, ndërsa është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Mësohet se plumbat e kanë kapur në afërsi të kraharorit dhe në gjymtyrët e poshtme.

Policia e Vlorës ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit, në përpjekje të identifikimit dhe kapjes së autorëve të atentatit. Zona ku ka ndodhur ngjarja është e survejuar me kamera sigurie, ndërsa po punohet për kapjen e detajeve të tyre për të shkuar drejtë gjurmëve të agresorëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 06:59
Momente pas atentatit/ I plagosuri transportohet drejt spitalit me makinën e policisë (VIDEO)

Ky është momenti ku i plagosuri i atentatit të Vlorës Romeo Meçaj transportohet nga policia me makinën e tyre drejt urgjencës së Vlorës.

Ora 21:18
Del foto, ja kush është 33-vjeçari që mbeti i plagosur në një atentat sot në Vlorë

Personi që shihni në foton më lart është Romeo Meçaj, 33-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë mbrëmjen e sotme në Vlorë, si pasojë e një atentati.

Ora 20:58
Iu bë atentat në Vlorë, identifikohet 33-vjeçari që mbeti i plagosur! Në gjendje të rëndë në spital

 

Romeo Meçaj, 33 vjeç është personi që mbeti i plagosur në një atentat mbrëmjen e sotme në Vlorë. Mësohet se ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.