Një shqiptar, i cili po lëvizte me një mjet të blinduar, ka mbetur i plagosur, pas një atentati mafioz të bërë në Ekuador, Amerikën Latine. Lajmi është bërë i ditur nga mediat vendase, të cilat nuk japin emrin e të plagosurit, ndërsa raportojnë se ngjarja dyshohet të ketë lidhje me trafikun e kokainës. 

Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë, në rrugët Tungurahua dhe Primero de Mayo, në qendër të qytetit Guayaquil. Shqiptari po lëvizte me një mjet të blinduar, i shoqëruar nga një femër. Kjo e fundit ka kërkuar të pijë një cigare dhe ka ulur xhamin e makinës. Në këtë moment, një person është afruar dhe ka qëlluar disa herë shqiptarin, teksa ka futur armën përmes dritares.

“Shqiptari ishte objekt i një hetimi, që po bëhej për një ngjarje të ndodhur më 30 maj, ku një tjetër person me origjinë shqiptare ishte vrarë duke ecur në periferi të qytetit të Guayaquil nga dy persona", tha kreu i Zyrës Kombëtare për krime kundër jetës, vdekje të dhunshme, zhdukje, grabitje, rrëmbim, Germam Cevallos. 

Në 1 qershor të këtij viti u vra Ilir Hidri po në Ekuador. Hidri ishte me orgjinë nga Vora dhe dyshohet se është ekzekutuar për prishjen e pazareve të drogës. Sipas të dhënave Ilir Hidri dyshohet se është vrarë pasi prej disa kohësh ai ishte inflitruar në një rrjet të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë e Shqipëri.

Sipas hetimeve paraprake rezulton se 40-vjeçari kishte shkëmbyer informacion me policitë e disa vendeve për një sasi të madhe kokaine që do vinte në Evropë. Ky është rasti I dytë që një shqiptari që po qëndronte në Ekuador, I bëhet atentat. Të dy rastet ku janë të përfshirë shqiptarët dyshohet se kanë lidhje me trafikun e kokainës drejt Europës.

shqiptari ekuador

d.c./shqiptarja.com