Atentatet që ndryshuan historinë

Atentatet që ndryshuan historinë
E martë. Dita nis si gjithë të tjerat. Mëngjesi është i zhurmshëm, me njerëz që nguten në të gjitha drejtimet, për në vendin e punës. Qielli në New York është blu, deri në orën 8:46. Në këtë kohë, 14 vjet më parë, pjesën e Manhattanit fillon ta mbulojë tymi. Pak më vonë edhe pluhuri.
 
Pra, në orën 8:46 të 11 shtatorit 2001, një avion udhëtarësh ka goditur njërën prej Kullave Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë (QBT). Ndonëse të tronditur nga pamjet, autoritetet dhe qytetarët amerikanë do të besojnë që bëhej fjalë për një aksident tragjik ajror. Kështu do të besojnë vetëm 16 minuta. Ajo që do ta shohin shumëkush “Live” nga ndërtesat afër ose larg 110-katesheve, e miliona të tjerë përmes televizioneve, do t’i bindë se nuk është thjesht një aksident. Përplasja e një avioni tjetër me kullën tjetër të QBT-së tregonte për një akt të qëllimshëm, për një atentat terrorist. Ky akt, dhe dy të tjerë të ngjashëm që do të ndodhin pak orë më vonë, ndryshuan historinë, shkruan Zëri.
 
Çfarë ndodhi më 11 Shtator?
 
Por çfarë ndodhi në të vërtetë atë mëngjes? Ajo që tashmë dihet është se nëntëmbëdhjetë terroristë rrëmbyen katër avionë udhëtarësh. Dy prej këtyre avionëve ata i përplasën për Kullat Binjake në New York, të tretin në Pentagon, pra në selinë e Ministrisë amerikane të Mbrojtjes, në Washington DC, dhe i katërti u rrëzua në fushë, në Shanksville, në Pennsylvanie, pasi që, siç duket, pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit ishin kacafytur me terroristët dhe nuk i kishin lënë të realizonin planin e tyre, që besohet të ketë qenë goditja e ndonjë objekti qeveritar të SHBA-së.
 
I pari, fluturimi 11 i kompanisë “American Airlines”, një “Boeing 767”, transportonte tetëdhjetë e një pasagjerë dhe njëmbëdhjetë anëtarë të ekuipazhit. Ai ishte nisur në orën 7:59 nga aeroporti ndërkombëtar “Logan” i Bostonit dhe kishte destinacion Los Angelesin. Avioni është rrëmbyer rreth orës 8:14, nga egjiptiani Mohammed Atta dhe sauditët, Satam al-Suqami, Waleed al-Shehri, Wail al-Shehri dhe Abdulaziz al-Omari, që ishin në mesin e pasagjerëve. Gjatë rrëmbimit, një stjuardesë e informon kompaninë “American Airlines”, e cila do t’i informojë më pas autoritetet e Aviacionit dhe të Mbrojtjes.
 
Fluturimi 11 do të përplaset në kullën veriore të QBT-së në orën 8:46, me ç’rast do të vdesin të gjithë personat në bord dhe shumë të tjerë që punonin në ndërtesën, e cila do të shembet më pak se dy orë më vonë.
 
Fluturimi 175 i “United Airlines”, një avion “Boeing 767”, transportonte 56 pasagjerë dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit. Edhe ky ishte nisur nga i njëjti aeroport dhe kishte të njëjtin destinacion. Në orën 8:45, pas gjysmë ore fluturim, atë e rrëmbejnë emiratasit, Marwan al-Shehhi, Fayez Banihammad, dhe sauditët, Mohand al-Shehri, Ahmed al-Ghamdi dhe Hamza al-Ghamdi. Dhjetë minuta më vonë, një kontrollues ajror alarmoi Qendrën e Kontrollit të New Yorkut për rrëmbimin e avionit. 18 minuta pasi terroristët marrin kontrollin mbi avionin e përplasin në kullën jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Më shumë se 200 persona vriten në vend, transmeton Zëri.info

New York
 
Në orën 8:20, fluturimi 77 i “American Airlines”, një “Boeing 757” me 58 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë ekuipazhi niset nga aeroporti ndërkombëtar “Washington-Dulles”, në Dulles, afër Washington DC. Pas gjysmë ore fluturimi, avioni rrëmbehet nga Hani Hanjour, Nawaf al-Hazmi, Salem al-Hazmi, Khalid al-Mihdhar dhe Majed Moqed, pesë sauditë që gjendeshin në mesin e pasagjerëve. Autoritetet e Sigurisë informohen 27 minuta pas zhdukjes nga radari të avionit. Në orën 9:37, avioni përplaset në pjesën perëndimore të Pentagonit, me ç’rast vdesin 64 personat që gjendeshin në bord si dhe 125 punonjës së Departamentit të Mbrojtjes.
 
Në orën 8:42, fluturimi 93 i “United Airlines”, një “Boeing 757”, me shtatë anëtarë të ekuipazhit dhe 37 pasagjerë, niset nga aeroporti ndërkombëtar “Newark Liberty”, në New Jersey, afër New York Cityit dhe kishte për destinacion San Franciscon. Avioni rrëmbehet nga libanezët, Ziad Jarrah e Ahmed al-Namiet, dhe sauditët, Saeed al-Ghamdi dhe Ahmed al-Haznawi, në orën 9:30. Dy minuta më vonë, një prej terroristëve deklaron në radio se ka një bombë me vete. Kërcënimi dëgjohet nga Qendra e Kontrollit në Cleveland, e cila lajmëron autoritetet. Pasi marrin vesh se çfarë kishte ngjarë në New York, pasagjerët revoltohen dhe kacafyten me terroristët, të cilët pengohen që ta çonin avionin drejt Washington DC. Avioni rrëzohet në një fushë, në Penssylvanie. Askush nuk mbijeton.
 
Atentatet më vrastare në histori
 
Atentatet e 11 shtatorit 2001 janë atentatet më vrastare në historinë e njerëzimit. 6.291 persona kanë mbetur të plagosur nga këto sulme, të cilat vranë 2.973 njerëz që ishin nga 93 vende të ndryshme të botës.
 
Në mesin e viktimave janë edhe 343 anëtarë të zjarrfikësve të New York Cityt, 37 pjesëtarë të Policisë së Portit dhe 23 pjesëtarë të Departamentit të Policisë së New York Cityt.
 
Nëse llogariten edhe nëntëmbëdhjetë terroristët, numri i të vdekurve arrin në 2.992.
 
Në listën e memorialit të 11 Shtatorit, i ndërtuar në vendin ku ishin kullat binjake, janë emrat e 2.977 viktimave.
 
Kush ishin autorët?
 
Në një raport të tijin, të publikuar më 2004, Komisioni Kombëtar rreth Sulmeve Terroriste kundër Shteteve të Bashkuara (i formuar më 2002 për të shpjeguar se kanë mundur të kryheshin atentatet dhe për të shmangur përsëritjen e tyre), konkludon përgjegjësinë e rrjetit “Al Qaeda” dhe thekson se 19 terroristë autorë të këtyre atentateve vetëvrasëse ishin anëtarë dhe se urdhërdhënësi ishte Osama Bin Laden, i cili kishte marrë përgjegjësinë disa herë.
 
Khalid Sheikh Mohammed është caktuar si organizatori kryesor i këtyre sulmeve dhe ky e ka pranuar fajësinë gjatë marrjes në pyetje në kuadër të procedurës paraprake para gjykimit të tij.
 
Atentatet nxitën “luftën kundër terrorizmit”
 
Pas këtyre sulmeve, Qeveria e SHBA-së dhe ato të shumë vendeve të tjera reaguan duke e forcuar legjislacionin antiterrorist.
 
Administrata amerikane pastaj nisi një “luftë kundër terrorizmit”, sidomos në Afganistan që nga tetori 2001, ku regjimi taleban (përkrahës i “Al Qaedas”) dyshohej se strehonte Bin Ladenin, dhe në Irak, në mars 2003, regjimin e të cilit vend administrata amerikane e akuzonte për mbështetës të terrorizmit dhe posedues të armëve të shkatërrimit në masë./Zëri/

New York


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Përdorues të telefonave dhe të dehur në timon, gjoba deri në 400 mijë lekë shoferëve! 1 person në pranga

Vlorë/ Përdorues të telefonave dhe të dehur në timon, gjoba deri në 400 mijë lekë shoferëve! 1 person në pranga