Atentati i dështuar në Shijak, ish-efektivi i policisë për Report Tv: S'isha unë shënjestra, por dyshoj që është paralajmërim për punëdhënësin tim

DURRËS- Atentati ndaj Orland Paplekajt është i veshur me mister. Ish-efektiv policie, djalë polici, Paplekaj i shpëtoi plumbave që thotë se u lëshuan ndaj tij nga persona të panjohur, por dëshmitë kontradiktore dhënë para hetuesve, i kanë bërë autoritetet, të ngrenë disa pista për shkaqet e ngjarjes.

Duke qenë se kamionçina nuk ka asnjë shenjë plumbi, policia nuk përjashton dyshimet se e gjitha është inskenuar si provë për të përfituar azil në ndonjë shtet, por vetë 31-vjeçari në një reagim për Report Tv, të cilin thotë se e ka shprehur edhe para hetuesve, deklaron se ka letra të huaja dhe nuk i nevojitet azili.

Nga dëshmia dhënë ditën e para, se mesditën e së shtunës ishte duke ecur me kamioniçinë në rrugën dytësore në Shijak dhe sapo konstatoi se po ndiqej nga një makinë Golf , manovroi dhe doli nga rruga, i riu që ka shërbyer edhe si roje sigurie në disa kompani private, jep një tjetër version. Në komunikimin për Report Tv, Orland Paplekaj thotë se ka qenë në orar pune dhe në momentin e atentatit kamionçina me të cilën shpërndante bombola gazi, ka qenë e ndaluar.

 “Isha duke komunikuar me disa persona qe ndodheshin aty. Në këtë moment kaloi një person tjetër pranë kamionçinës dhe në këtë moment u qëllua me armë. Unë personalisht mendoj se atentati mund të ketë qenë ndaj atij personi tjetër. Policia më pyeti edhe për personin tjetër që ndodhej aty pranë unë nuk e njihja", tha Paplekaj.

Një tjetër dyshim që ai vetë ngre, lidhet me një paralajmërim të mundshëm për punëdhënësin e tij në kompaninë e tregtimit të bombolave të gazit dhe oksigjenit.

“Kam frikë mos është një atentat ose paralajmërim ndaj punëdhënësit tim pasi unë nuk kam asnjë konflikt”, tha ai.

Orland Paplekaj ka lidhje të largëta krushqie edhe me vëllezërit Haxhia që u vranë në atentat 2 vjet më parë në Shënavlash të Durrësit, e ku i dyshuar kryesor në kërkim është Talo Çela, pas konflikteve për ndarjen e parave të grabitura në aeroportin e Rinasit. Megjithatë, për hetuesit deri më tani nuk ka prova që ish-efektivi të jetë përfshirë në përplasjen mes grupeve për paratë e grabitura.

I riu me origjinë nga Lekbibaj e Tropojës dhe banim në Durrës përjashton çdo mundësi që ngjarja të ketë lidhje me detyrën e babait të tij polici, ndërsa autoritetet kanë mbledhur edhe dëshmitë e banorëve në rrugën dytësore, të cilët kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë parë një automjet të largohej me shpejtësi drejt rrugës që del në autostradë.

“Isha në orar pune dhe po udhëtoja për të vazhduar transportin e bombolave që mbaja në kamioncinë. Mora kthesën në një nga rrugicat e rrugës Xhafzotaj-Shijak. Sapo u ktheva në një rrugë dytësore, dallova një automjet që më ndoqi rreth 10 metra. Në një moment manovruan dhe vura re që nga vendi i pasagjerit dikush nxjerr një armë nga një thes. Hapi zjarr ne drejtimin tim, por manovrova menjëherë dhe më pas humba kontrollin. Nuk di përse më kanë qëlluar, pasi nuk kam konflikte me njeri”, ka thënë ai më herët.

Grupi hetimor mori dëshminë e pesë personave të tjerë që ndodheshin në zonë gjatë atentatit dhe kamerat e sigurisë, me synim zbardhjen e ngjarjes. Nga ana tjetër babai i tij, Prel Paplekaj, është polici i rendit në Durrës dhe është në prag të pensionit. Ato banojnë në lagjen 15 të Porto Romanos, ndërsa kanë ardhur në Durrës pas vitit 1991 nga Tropoja.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë