Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vijoi procesi gjyqësor ndaj të pandehurve Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të akuzuar për atentatin e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit më 1 nëntor 2019, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë. Gjatë seancës, përfaqësuesit e SPAK shpjeguan mënyrën se si kanë arritur të identifikojnë përdoruesit e aplikacionit të koduar Sky ECC, komunikimet e të cilit konsiderohen prova të rëndësishme në këtë çështje.

Prokuroria sqaroi se identifikimi i kodeve të përdorura në Sky ECC është bërë përmes verifikimeve të ndryshme dhe të dhënave që vetë përdoruesit kanë shpërndarë në biseda. Në rastin e Plarent Dervishajt, është gjetur një fotografi ku ai kërkonte mbylljen e një adrese emaili. Në të njëjtën kohë, në komunikime janë hasur edhe të dhëna familjare, si emrat e fëmijëve dhe datat e lindjes së tyre. Pas verifikimeve, këto informacione rezultuan se i përkisnin pikërisht Dervishajt, pavarësisht pseudonimeve që përdorte në aplikacion.

Sipas SPAK, edhe identifikimi i Julian Meçajt është kryer në një mënyrë të ngjashme. Ai dyshohet se ka dërguar në aplikacion fotografi që përmbanin të dhëna personale, të cilat më pas janë përdorur nga hetuesit për të konfirmuar identitetin e tij. Në disa raste, personat janë identifikuar edhe sepse kanë përdorur emra konkretë gjatë komunikimeve me përdorues të tjerë të platformës.

Sipas asaj që u tha në seancë, në një rast identifikimi është bërë përmes numrit të telefonit të avokatit të Redjan Rrajës. Në biseda ishte dërguar një foto ku dukej numri i telefonit, ndërsa pas verifikimeve është gjetur edhe memoja e krijuar nga avokati, çka çoi në identifikimin e Ramazan Rrajës.

Për shkak të përmbajtjes së ndjeshme të komunikimeve dhe të dhënave që konsiderohen sekret hetimor, seanca vijoi më pas me dyer të mbyllura. Atentati i 1 nëntorit 2019 në mbikalimin e Shkozetit la të vrarë Andi Malokun, ndërsa të plagosur mbetën ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi”, një emër i njohur dhe kontrovers në botën e krimit.