VLORË- Refit Toro, 32- vjeçari i cili u ekzekutua mbrëmjen e 17 janarit në zonën e Skelës në qytetin e Vlorës dyshohet se është nxjerrë në pritë nga një person i tretë.

Kjo është pista kryesore në të cilën po heton policia e qytetit të Vlorës, por nuk është përjashtuar as mundësia që ai ruhej prej kohësh.
 
Pika më e rëndësishme e cila është vështirë të realizohet për shkak të vonesës, shprehet grupi hetimor,  është çkodimi i telefonit që ka qenë duke folur Refit Toro në momentin e ekzekutimit.

Telefoni i përdorur sipas informacioneve i përket markës Iphone Apple dhe siguria e telefonit nuk jep mundësinë e çkodimit dhe zbulimin e të dhënave. Sipas hetimeve duhet bërë një marrëveshje me kompaninë Apple për dhënien e kodeve të telefonit dhe zhbllokimin e aparatit celular për të hyrë në të dhënat e 32- vjeçarit Refit Toro.  Kjo do të ndikonte në ngushtimin e hetimeve dhe përqëndrim më të afërt me ngjarjen.
 
Bëhet e ditur se pavarësisht se është marrë në pyetje personi i cili ka qenë në makinë bashkë me Toron në momentin e ekzekutimit, ai nuk ka qenë një ndihmese e madhe për grupin hetimor pasi nuk ka dëshmuar asnjë të dhënë konkrete që do të ndihmonte në identifikimin e vrasësve.

Gjithashu mësohet se edhe pas kqyrjes së kamerave të sigurisë nuk ka shumë detaje, pasi duket vetëm pamja e pasme e makinës së Toros dhe momenti kur shoki i tij largohet i trembur me vrap. Në një sekuencë të vogël duket autori i cili largohet përmes rrugicave të Portit po është e pamundur identifikimi i tij.
 
E kaluara e 32- vjeçarit i cili mendohet se ka pasur prishje pazaresh apo "moskorrektësi" në shlyerjen e pagesave  sjell vështirësi në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Reftit apo Jetnor Toro është ekzekutuar mbrëmjen e 17 janarit në zonën e Skelës. Sipas burimeve të Shqiptarja.com një person i veshur me xhup dhe me kapuç në kokë, është afruar nga ana e pasagjerit dhe nën kërcënimin e armës ka zbritur me fytyrë në tokë të vetmin dëshmitar dhe ka qëlluar me breshëri plumbash 32- vjeçarin. Toro është përpjekur të zbres nga makina por e kanë ndalur pesë plumbat të cilat i morën dhe jetën. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)