TIRANE- Gazeta Shqiptarja.com shkruan sot se kryetari i komunës Rrethinë të Shkodrës, Kleves Muja i cili u plagos rëndë në ambientet e burgut ishte dënuar në Itali si pjesë e një grupi të drejtuar nga anëtarë serbë dhe malazezë të ish paramilitarëve “Tigrat e Arkanit”.

Kleves Muja ishte është shpallur person në kërkim nga autoritetet italiane në fillim të vitit 2010, në kuadër të operacionit “Shah Mat” i iniciuar nga prokuroria e Barit në Itali dhe i shtrirë në pesë shtete, Itali, Serbi, Malin e Zi, Zvicër dhe Shqipëri.

Hetuesit mundën të sekuestronin plot 84 kilogramë kokainë të pastër të sapombërritur nga Kolumbia. Plot 30 persona u arrestuan ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim ndërkombëtar për trafik kokaine. Mes të arrestuarve ishin disa shtetas italianë të stacionuar infrastrukturë në Bari, serbë, malazezë, shqiptarë dhe një shtetas kolumbian. Mes personave të shpallur në kërkim ishte dhe Kleves Muja, të cilit autoritetet italiane i referoheshin me emrin Klevis. Përveç Mujës ishin dhe dy shqiptarë të tjerë të hetuar Gazmend Iljazi dhe Enver Karaj. Në një shkrim të gazetës italiane "La Republica" të botuar më 29 janar 2010 me titullin "Serbi-Bari, korridori i drogës" organizata përshkruhej si një ndër më të fuqishmet, madje gazeta citonte prokurorin e antimafias italiane Piero Graso i cili shprehej se shtetasit serbë dhe malazezë të implikuar ishin në fakt ish antarë të paramilitarëve serbë "Tigrat e Arkanit" të drejtuara dikur nga Zhelko Raznatovic ( pseudonimi Arkani) një prej figurave më të implikuara të krimit në ballkan, i vrarë në vitin 2000 në Beograd. Për këtë operacion të zhvilluar në vitin 2010 nuk kanë qëndruar indiferente as mediet serbe dhe ato malazeze. Mes shtetasve serbë të arrestuar në këtë operacion spikat emri i Dusko Micunovic (I njohur me pseudonimin "Duka i Beogradit"). Ai u arrestua në Malin e Zi në janar të 2010 në kuadër të hetimeve të nisura në Itali, asokohe policia malazeze deklaroi se kishte bërë identifikimin e tij me shumë vështirësi për shkak të të dhënave të pakta. Duka Micunovic rezulton nga hetimet e kryera prej prokurorisë së Barit si kreu i organizatës ndërkombëtare. Ai është përshkruar nga prokurorët italianë dhe mediet serbe si një ish bashkëpuntor i Arkanit në korridoret e kontrabandës së cigareve ndërsa që prej fundit të vitit 2008 kishte nisur të ndërtonte një rrjet të ri për trafikimin të kokainës direkt nga Kolumbia. Nëpërmjet bashkëpunimit me një shtetas kolumbian të quajtur Patino Trochez i njohur si kontakti i Micunovicit me bosët kolumbianë, miku i Arkanit nisi në vitin 2008 importin e kokainës direkt nga Kolumbia në sasi të mëdha drejt Evropës. Hetimet italiane përfshinë fashikuj voluminozë, mbi 300 persona të përgjuar dhe 120 mijë minuta biseda telefonike, e pikërisht në këto biseda hetuesit kanë interceptuar dhe Klevis Mujën dhe dy shqiptarët e tjerë të dyshuar si antarë të kësaj organizate. I pyetur në lidhje me këtë operacion, avokati i Mujës Ardian Visha i tha dje gazetës se : "Të gjitha pretendimet e prokurorisë italiane janë rrëzuar me vendim të Gjykatës së Apelit" dhe sipas tij kërkesa për ekstradim e Mujës është tërësisht e pambështetur në ligj.
PLAGOSJA
Tri ditë pas arrestimit të bujshëm, kryetari i komunës Rrethine u plagos rëndë, duke u qëlluar me kaçavidë në ambientet e paraburgimit të burgut të Lezhës, nga një tjetër i burgosur, Xheladin Kruja. Avokati i Mujës Ardian Visha, në një prononcim për Shqiptarja.com e konsideron aktin një atentat mafioz të porositur.
Pas plagosjes Muja është transportuar në spital Ushtarak në gjëndje të pavetëdishme dhe në rrezik për jetën dhe i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal në kokë. Shqiptarja.com shkruan se deri në mbrëmjen e djeshme ai ndodhej në gjendje "koma" ndërsa mjekët që e kanë patur nën vëzhgim të pandërprerë u shprehën se ende nuk kishte garanci të plota për një përgjigje pozitive lidhur me rikuperimin e tij.
(jd/shqiptarja.com)