Lazer Bashi është i vetmi që i mbijetoi atentatit të rëndë në Dukagjin, ku Prelë dhe Lekë Gjoni mbetën të vrarë. I gjakosur, ai arriti të dilte nga automjeti i bërë shoshë nga plumbat dhe të ecte rreth dy kilometra në terren të vështirë malor për të kërkuar ndihmë.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Bashi ka treguar se ai ndodhej në pjesën e pasme të automjetit, ku po udhëtonte së bashku me viktimat babë e bir, Prelë dhe Lekë Gjonin, 82 dhe 57 vjeç. Ata po ktheheshin drejt Shkodrës nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh.
Në rrugën e Xhanit, autorët u kishin zënë pritë dhe hapën zjarr ndaj automjetit, duke qëlluar mbi 50 plumba. Në momentin e sulmit, Bashi është shtrirë në pjesën e pasme të automjetit, por një prej plumbave e ka goditur në shpatull. Ai ka qëndruar i fshehur dhe i heshtur për disa minuta, derisa është siguruar se autorët ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga breshëria e plumbave, automjeti kishte humbur kontrollin dhe ishte kthyer në njërën anë të rrugës. Pasi ka dalë nga mjeti, Bashi ka marrë me vete telefonin celular, por në zonën ku ndodhi atentati nuk kishte sinjal.
I plagosur dhe duke humbur gjak, ai ka nisur të ecë në terrenin e vështirë malor. Për rreth 40 minuta ka përshkuar afro dy kilometra në këmbë, deri sa ka mbërritur në një lokal pranë kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit.
Nga aty, 41-vjeçari Bashi ka mundur të telefonojë një të afërm, të cilit i ka treguar për atentatin dhe se Prelë e Lekë Gjoni kishin mbetur të vrarë në vend.
Në pritje të ndihmës, ai ka pastruar në një çezmë pranë lokalit gjakun që i rridhte nga plaga. Më pas është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut, Bashi është dërguar urgjent drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar, ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes së Lazer Bashit. Deri tani nuk ka persona të identifikuar si autorë të atentatit. Disa persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje, por ende nuk ka të dhëna konkrete që i lidhin ata me ngjarjen.
Një nga pistat që po hetohet është ajo e hakmarrjes, e lidhur me një ngjarje të ndodhur vite më parë. Megjithatë, grupi hetimor po verifikon edhe pista të tjera.
Mes tyre po hetohet edhe mundësia e konflikteve që mund të lidhen me parcelat e kanabisit në zonë, ndonëse deri tani nuk ka të dhëna konkrete që viktimat të kenë qenë të përfshira në veprimtari të tilla.
Gjithashtu, grupi hetimor po verifikon nëse divorci i Lekë Gjonit, rreth tre muaj më parë, mund të ketë ndonjë lidhje me ngjarjen. Megjithatë, familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për konflikte të kohëve të fundit që mund të çonin në atentatin e rëndë.









Komente
Komento