Një vrasje e dyfishtë me armë zjarri ka ndodhur në Kir të Dukagjinit. Sipas informacioneve paraprake, viktimat janë babë e bir, Lekë e Prel Gjoni.
I plagosur rëndë ka mbetur Aleks Preka. Të dhënat paraprake ngrenë hipotezën se mund të bëhet fjalë për gjakmarrje, por rrethanat mbeten ende të paqarta.
Policia është nisur drejt vendngjarjes, por bëhet fjalë për një zonë të thellë malore dhe komunikimi është i vështirë.
Kujtojmë që pak më shumë se një muaj më parë, më 11 korrik, në këtë zonë u vra 40-vjeçari Aleksandër Koçeku. Ai u qëllua me breshëri plumbash ndërsa lëvizte nga Kiri drejt Prekalit.
Viktima ishte në gjak pasi vëllai i tij, Artan Koçeku, është në burg për vrasjen e Angjelin Shkambit në dhjetor 2017.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 17:20, në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult, Dukagjin, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri shtetasit L. Gj. dhe P. Gj., babë e bir, si dhe është plagosur rëndë shtetasi A. P.
Forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, janë nisur drejt vendngjarjes.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po shkon në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Lajm në përditësim...








Komente
Komento