SHKODËR- As acidi që përdorën për djegur makinën e krimit nuk i ndihmoi autorët e atentatit me 4 të vrarë në Dobraç të Shkodrës më 30 tetor të humbisin çdo gjurmë. Ekspertët arritën që në automjetin e shkrumbuar të tyre, “Range Rover Sport” të rikuperojnë numrin e shasisë dhe të zbulojnë se makina është vjedhur më 19 prill të këtij viti në Durrës.

Nga kamerat e sigurisë që hetuesit kanë arritur të shohin, makina e autorëve ende të paidentifikuar, dyshohet se i ka ndjekur Hamza Licin dhe Arlind Bushatin që në lagjen Kiras. “Range Rover Sport” dyshohet se ka dalë nga rruga ku ka shtëpinë Astmer Bilali, anëtar i grupit të Bajrave, por nuk ka kamera sigurie për të shkuar më tej dhe praktikisht kjo pistë mbetet e paverifikuar.

Mister për grupin hetimor mbetet ende fakti nëse është apo jo Ibrahim Lici personi që shfaqet në filmime amatore pranë trupit të vëllait të tij të pajetë Hamza Lici dhe që dyshohet të ketë qenë bashkë me ta në makinë. Policia akoma nuk ka marrë zgjidhje shkencore, por në ndihmë pritet t’i vijnë përgjigjet e analizave të disa gjurmëve gjaku që mendohet të jenë të personit të tretë misterioz, i cili dyshohet që gjithashtu të ketë mbetur i plagosur. Burime konfirmuan për Report Tv se disa klinika private në Shkodër janë kontrolluar mbi dyshimet se Lici mund të ketë kërkuar ndihmë, por asgjë nuk është përftuar.

Se një i tretë ka qenë në automjet, Ibrahim Lici apo jo, ngrihet si pistë e fortë edhe nga një pistoletë e gjetur në sediljen e pasme të makinës që drejtonte Hamza Lici, 'SClass' me targa kroate. 2 armë të tjera u gjetën pranë trupave të viktimave, Licit e Bushatit, e të gjitha do të analizohen.

Pak sekonda pas masakrës, personi që dyshohet se është Ibrahim Lici, ulur pranë trupit të pajetë të vëllait, ka ngjitur vetes edhe një polic të “Shqiponjave”. E çuditshme mbetet se si Ibrahim Lici, nëse do të ishte ai, i kërkuar ndërkombëtarisht për vrasje, një figurë e njohur për policinë, ka arritur të largohet pa u vënë re nga ky efektiv.

Pesë ditë pas atentatit, pista e hakmarrjes mes grupeve Lici e Bajri për hetuesit nuk ka ndryshuar, për shkak të konflikteve që kanë prodhuar më shumë se 20 viktima prej vitit 2018. Deri në këtë fazë provat për të akuzuar persona të veçantë mungojnë, por shpresa e hetuesve është e madhe për ta zgjidhur për shkak të elementëve të rinj që dalin nga hetimet.

Si ndodhi atentati në Shkodër? 

Masakra me 4 të vrarë dyshohet se u krye nga dy qitës, një i tretë në rolin e shoferit dhe i katërti që i largoi nga vendi ku makina luksoze u shkrumbua. Atentatorët i dolën paralel makinës “S Class”, duke hapur zjarr për dhjetëra metra, duke lënë të vdekur Licin dhe Bushatin, ndërsa çifti Basha që lëvizte me motoçikletë u goditën nga makina e autorëve, pasi humbi kontrollin nga breshëria e plumbave. Bashkim Basha humbi jetën në spital 4 ditë pas atentatit. 

Ndërkohë, Izmir Sakicaj, 23 vjeç, dhe Samuel Troshani, 24 vjeç, po kërkohen nga Policia e Shkodrës. Burime pranë grupit hetimor thonë se bashkë me ta, janë në kërkim edhe anëtarë të tjerë të grupit të Bajrajve, pasi dyshohen se mund të kenë qenë në rolin e organizatorit dhe ekzekutorëve, por deri tani nuk janë gjetur.

Personi i tretë që dyshohet se ka qenë në makinë me Licin dhe Bushatin

 

Viktimat e atentatit në Shkodër 30 tetor 2024
Hamza Lici 23 vjeç, vëllai i Ibrahim Licit
Arlind Bushati 32 vjeç, djali i Xhemal Bushatit
Flutura Basha 56 vjeçe, qytetare e pafajshme - Bashkëshortja e Bashkimit
Bashkim Basha 67 vjeç, qytetar i pafajshme - Bashkëshorti i Fluturës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:25
Atentati në Shkodër, makina e ekzekutorëve fillimisht u shkrumbua me acid dhe pastaj iu vu flaka

1730720827_fyuhvj.jpg

(Makina e autoreve dhe me pas e djegur pas atentatit në Shkodër, 30 tetor 2024)
 

Zbulohen detaje të reja lidhur me atentatin në Shkodër.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ekzekutorët kanë qenë të mirëorganizuar për atentatin dhe janë siguruar në detaje me qëllim për të mos lënë asnjë gjurmë. Dyshohet se makina tip “Range Rover” është shkrumbuar fillimisht me acid dhe pastaj i është vënë flaka, me qëllim mos lënien e asnjë gjurme.

Përdorimi i acidit është bërë për të shkatërruar numrin e shasisë të makinës dhe elementeve të tjerë identifikues.

Ora 11:23
FOTO/ Ky është 'Range Rover' që u përdor nga autorët në masakrën në Shkodër, u vodh në Durrës

1730715625_makinaelicaj.jpg

Ky është automjeti tip “Range Rover” i cili u përdor nga autorët në atentatin e 30 tetorit në Shkodër ku humbën jetën 4 persona, Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha.

Automjeti i cili u përdor nga atentatorët është vjedhur më 17 prill në qytetin e Durrësit.  Policia ka arritur të zbulojë se ajo është e njëjta makinë që ishte denoncuar disa muaj më parë nga pronari i saj në qytetin bregdetar.