VLORE - 20 plumba automatiku janë lëshuar mbi tre persona, mes tyre dhe një fëmijë 8-vjeçar, në Vlorë në aksin e njohur si “Transballkanikja” ndërsa aktualisht ata ndodhen në spital në gjendje të rëndë për jetën. Report Tv ka mundur të sigurojë pamjet ekskluzive të momenteve kur dy personat e plagosur Dritan Bega 50 vjeç dhe Ferdinand Llanaj, 39 vjeç nxirren nga automjeti dhe i jepet ndihma e parë mjekësore në trotuar nga kalimtarët e rastit.

Në automjet ka qenë edhe një fëmijë 8-vjeç, B.Ll, djali i Ferdinand Llanajt, i cili ka mbetur i plagosur. Plagosja e fëmijës është mbajtur e fshehtë nga policia. Në deklaratën zyrtare të shpërndarë nga Policia e Shtetit flitet vetëm për dy të plagosur, Dritan Begaj dhe Ferdinand Llanaj, ndërsa vetëm burimet spitalore kanë konfirmuar se mes të plagosurve është edhe i mituri. Atij i është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore pasi kishte marrë një plumb në krah dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dy të plagosurit e tjerë të këtij atentati, Ferdinand Llanaj dhe Dritan Bega, siç duket edhe nga pamjet, nxirren të gjakosur nga mjeti i tyre “Mercedes Benz” i cili është i dëmtuar në pjesën e derës së pasagjerit nga disa plumba që kanë depërtuar brenda. Nga hetimet e policisë rezulton se në vendngjarje janë sekuestruar 20 gëzhoja dhe një armë pistoletë e cila dyshohet se i përket të plagosurve. Automjeti i qëlluar është me targa Vl 63 68 C. Ndaj tij është qëlluar nga një tjetër automjet, i cili u gjet i djegur në një fshat pranë Fierit.

Nga të dhënat e grupit hetimor rezulton se kjo targë është përdorur disa vite më parë nga Baftjar Llanaj, 62-vjeç në Vlorë i cili në vitin 2011 është vrarë për shkak të një hasmërie mes fisit Llanaj e Xhaferri. Vrasja e Llanajt nga policia u hetua për hakmarrje pasi vite më parë ky shtetas ishte i dyshuar për vrasjen e N.Xhaferrit. ndërsa vëllai i Llanajt kishte vrarë Sako Xhaferrin. Ndërkohë rezulton se vëllai i Ferdinand Llanaj është i arrestuar dhe dënuar me 35 vite burg për masakrën e “Coles” të ndodhur në Vlorë në 2015 me tre viktima. Burime nga prokuroria e krimeve të rënda bënë me dije për ReportTv se hetimet për këtë serial vrasjes me 5 viktima dhe 10-tra të plagosur nga 2005-a do të bëhen prej tyre dhe pjesë e hetimit do të jetë dhe atentati me pasojë vdekjen e Roland Saliut dhe Enver Hysenit ish-kreut të OSHE vlorë vrarë në maj 2017.

Deri më tani në Policinë e Vlorës janë 10 pesona të shoqëruar si dëshmitarë okular ndërsa kamerat e sigurisë të disa bizneseve në zonë kanë filmuar atentatin dhe mjetin e përdorur nga dy autorët e dyshuar që janë larguar me shpejtësi. Report Tv ka mësuar se për të mbajtur nën kontroll grupet kriminale në Vlorë dhe përplasjen mes fisit Llanaj e Xhaferri është urdhëruar nga drejtuesit e policisë së shtetit zbarfikimi i forcave RENEA dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

I plagosuri, vëllai i autorit të masakrës së Çoles
Ferdinand Llanaj është vëllai i Aleksandër Llanajt i dënuar me 35-vite burg për masakrën në Lagjen "Cole", ku humbën jetën 3 persona në ambientet e një lokali pasi u qëlluan me breshëri automatiku. 

Një nga autorët e identifikuar ishte pikërisht Aleksandër Llanaj i cili në këtë ngjarje mbeti i plagosur. Ai është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 35 vite burg. 

[gallery]24095[/gallery]
vlore palgosja llanaj

vrasje llanaj vlore
(Në foto dy të plagosurit nga atentati në Vlorë - FOTO EKSKLUZIVE)

pistoleta krimit vlore
(Pistoleta e sekuestruar pranë vendit të ngjarjes, dyshohet e të plagosurve)

Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Vlorë

Informacion paraprak

Më datë 01.10.2017, rreth orës 09: 35, në rrugën Transballkanike, pranë një karburanti, nga persona ende të pa identifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti ”Mercedes Benz” me targa VL 63 68 C.

Nga të shtënat me armë zjarri kanë mbetur të plagosur shetasit D.B., 50 vjeç dhe F.Ll., 39 vjeç

Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë sëbashku me grupin hetimor ku po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha kryqëzimet kryesore dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.