Një automjet tip “Mazda”, totalisht i shkrumbuar është gjetur gjatë orëve të natës në zonën e Darëzezës në Fier. Dyshohet se makina është përdorur për atentantin e ndodhur në Vlorë dy ditë më parë ndaj Indrit Sadedinit.
Targat e mjetit rezultojnë të vjedhura në Lushnjë ndërsa në brendësi të saj nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Veprimet janë duke u kryer nga policia e Fierit dhe ajo e Vlorës në bashkëpunim me njëra-tjetrën.
Atentati me tritol ndaj të riut Sadedinit ka ndodhur mesditën e së dielës në zonën e Lungomares në Vlorë, ku si pasojë e shpërthimit ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë 33-vjeçari. I riu ka rënë pre e një atentati edhe 4 vite më parë, ndërsa po hetohet e kaluara e tij.
Indrit Sadedinaj, nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal, por megjithatë shkak për shpërthimin dyshohet konfliktet e mëparshme të 33-vjeçarit. Burime nga Policia e Vlorës për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili, bëjnë me dije se pista që po hetohet si motiv për atentatin është ajo e prishjeve të pazareve të drogës.
Lënda plasëse me qëllim ekzekutimin e 34-vjeçarit Indrit Sadedini, të dielën në Vlorë, ishte vendosur vetëm 15 minuta para se të shpërthente. Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga kamerat e sigurisë së bizneseve atyre pranë, të cilat janë sekuestruar, është vërejtur se tritoli është vendosur nga një person i maskuar me kapuç në kokë, dhe ka hedhur pakon duke e mbuluar me letër që te mos binte në sy. Dy persona të tjerë mësohet se e ndiqnin të riun me makinë.
Shpërthim i fortë ndodhi në lagjen "10 korriku", duke alarmuar banorët e një zone mjaft të populluar. Report Tv solli pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihej i plagosuri i shtrirë në rrugë, në pamundësi për të lëvizur, teksa i jepej ndihma e parë.
Report Tv ka siguruar pamjet e automjetit tip 'Mazda' i cili u gjet i djegur mbrëmjen e djeshme në Darzezë të Fierit që dyshohet se u përdor nga autorët për atentatin ndaj të riut Indrit Sadedini dy ditë më parë në Vlorë.