Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se Muçi Shaljani, agjenti që nuk shkoi asnjë ditë në punë dhe u vra në atentatin e 11 nëntorit në Rinas, u rekrutua në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore me ndërhyrjen e krimit të organizuar, për t’i shërbyer atyre me informacione që mund t’i cenonin aktivitetet e paligjshme.

Punësimin me emergjencë të agjentit me kontratë të përkohshme 3-mujore, hetuesit e shohin të dyshimtë, dhe për këtë, përgjegjës bëjnë 2 drejtues të AMP-së.

Report Tv mëson se Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzë për shpërdorim detyre, dhe ka marrë të pandehur kreun e komanduar të AMP-së, Artjol Saliasi, i cili po hetohet pa masë sigurie lidhur me rekrutimin në kundërshtim me ligjin brenda AMP-së të Muçi Shaljanit.

I dyshuar për të njëjtën akuzë është edhe Gëzim Sala, drejtori i financës dhe shërbimeve mbështetëse në AMP, i cili e punësoi Shaljanin “për nevoja emergjente”. Drejtori i Financës është gjithashtu pa masë sigurie, dhe madje në detyrë. Më 19 shkurt, gjykata e Tiranës caktoi pezullimin nga detyra dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit, por pak ditë më parë, Apeli e shfuqizoi vendimin e shkallës së parë.

Agjentit të ri Muçi Shaljani iu caktua detyra e vëzhgimit, sapo nisi punën vetëm me letra, më 16 shtator të vitit 2025, Nga ajo datë, për të paktën 2 muaj, deri më 11 nëntor, Muçi Shaljani nuk u paraqit asnjë ditë në punë, por paga ndaj tij nuk u ndërpre. Do të kishte vazhduar deri në dhjetorin e kaluar, kur përfundonte kontrata 3-mujore, por një atentat mafioz i mori jetën. Muçi Shaljani, sipas hetimeve që SPAK po kryen, nuk ishte shënjestra e atentatit të 11 nëntorit pranë rreth-rrotullimit të Rinasit. Vrasësit, të cilët qëlluan me breshëri ndaj makinës në ecje, kishin synim, Gilmando Danin, i konsideruar krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili ishte pasagjer në automjetin e marrë me qira që drejtonte agjenti i AMP-së.

Të dy ishin kthyer nga një fluturim nga Barcelona dhe sapo kishin zbritur në Rinas. Prej 11 nëntorit e deri më tani, asgjë nuk është zbardhur për autorët apo porositësit, ndërsa hetimet u përqendruan te larja e hesapeve mes grupeve kriminale.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë