Forcat speciale kanë shoqëruar mbrëmjen e sotme një person të dyshuar për përfshirje në atentatin e ndodhur në Rinas më 11 nëntor, nga i cili humbën jetën Gilmando Dani dhe efektivi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani.

Burime bëjnë me dije se i shoqëruari me inicialet B.Xh. ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ai nuk është i ndaluar, por është shoqëruar për t’u pyetur në kuadër të hetimeve mbi ngjarjen.

Atentati ndodhi në një nga zonat më të sigurta, rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit. Por në orën 14:15 të 11 nëntorit, për rastësi aty pranë nuk ndodhej asnjë forcë policie, siç zakonisht stacionohen pranë aeroportit. Gilmando Dani, sapo kishte zbritur nga avioni nga një fluturim nga Barcelona, ku kishte qëndruar 4 ditë. Çfarë bëri dhe kë takoi atje, është duke u pritur përgjigje nga autoritetet spanjolle. Atentatorët u larguan nga kasaphana që vetë krijuan, vetëm pasi u bindën se shënjestra Gilmando Dani ishte vrarë, ndërsa Shaljani e lanë me shenja jete, por ndërroi jetë disa më pas, duke mos i mbijetuar plagëve të marra.

As 2 muaj nuk kishte që Muçi Shaljani i ishte bashkuar Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së, e cila pas lidhjes së tij, në një makinë me një prej personazheve më të njohur të botës së krimit, u shkri, ndërsa procedurat e dyshimta të pranimit të tij në AMP pa një certifikatë sigurie, çuan në pranga 2 punonjës të policisë të komisariatit të 3-shit që i bënë letrat pa pasqyruar të plotë të shkuarën e tij.

Por, Gjykata e Tiranës e cilësoi arrestimin e dy policëve, Bruno Cara dhe Arshim Zajmi, të paligjshëm. Në seancën e mbajtur  më 15 nëntor  Gjykata ka vendosur të mos vendosë asnjë masë sigurimi ndaj tyre. Ndërkohë, Prokuroria kishte kërkuar masat e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit” deri në përfundimin e hetimeve.

3 ditë pas atentatit të planifikuar në detaje, policia gjeti në fshatin Zall të Fushë Krujës një arsenal armësh dhe shpalli në kërkim pronarin, Ylli Zalli, i cili dyshohet ndihmës i vrasësve. Policia ka dyshime të forta se makina “Toyota” që autorët përdorën në vrasje, dhe më tej e dogjën në fshatin Halil në Fushë-Krujë, ka dalë nga shtëpia e tij. Deri tani akoma nuk ka identifikuar persona të tjerë, ndërsa hetime intensive po kryhen.