Atentatorët e gjuhës së njësua

Atentatorët e gjuhës së njësua
Edhe pse kanë kaluar 23 vjet nga përmbysja e socializmit, të cilin injorantët antikomunistë vazhdojnë ta quajnë “komunizëm”, përsëri, për zgjidhjen e problemeve të ndryshme, po dalin jo pak intelektualë me kartën e dalë boje “të antikomunizmit”. Për fat të keq, disi më vonë se të tjerët, këtë kartë të ndryshkur kanë nisur ta përdorin gjithnjë e më shpesh edhe ca gjuhëtarë shqiptarë, kontestues të standardit, me disa prej të cilëve kam debatuar edhe në disa të përditshme të shtypit tonë.

Por ja që disa nga këta tipa gjuhëtarësh, të grumbulluar, më së shumti, në të “famshmin” Këshill Ndërakademik i Gjuhës Shqipe, duke përfituar nga heshtja e gjatë e shtetit ndaj sulmeve që po i bëhen gjuhës së njësuar, po përpiqen ta përdorin kartën e antikomunizmit si argument në luftën e tyre të paprinciptë kundër standardit, ose gjuhës së njësuar shqipe.

Me një frymë të tillë përshkohej edhe shkrimi i Dekanit të Fakultetit Histori-Filologji-Shezai Rrokaj me titullin “T`u hapet rruga dialekteve, por pa ndëshkuar standardin”, duke lënë mënjanë këtu “bombën antikomuniste” në fushën e gjuhësisë të Doktoreshës së Shkencave gjuhësore Ledi Shamku me emrin “Ndryshimet në gjuhë? Po e gjymtojnë e po e mpijnë”.

Në shkrimin e tij Dekani, pasi përsërit të vërtetën e njohur se standardi i sotëm është ngritur mbi bazën e toskërishtes, çuditërisht, shpreh “dyshimet” në drejtësinë e këtij realiteti gjuhësor, duke pohuar se “mund të kishte qenë e arsyeshme që të vijohej një standard mbi bazë gegërishten”, si në kohën e Zogut. (?!) “Të dyja alternativat, shton aty për aty Dekani, kanë qenë të drejta”; duke harruar mendimin gjenial të Viktor Hygoit, sipas të cilit “E drejta nuk është si kolosi i Rodit, me këmbët njëkohësisht në të dyja brigjet… Ajo qëndron e tëra në një krah…”.

Por Profesori i çudit disi dashamirësit e gjuhës shqipe kur, pasi thotë se sot “shqiptarët nuk mund ta kenë më luksin të investohen (?!) në krijimin e një standardi tjetër”, shkruan se “standardi duhet riparë”. Duhet riparë, sipas tij, “nëse ato rregulla që u përcaktuan në Kongresin e Drejtshkrimit janë zbatuar ashtu siç duhet” dhe “evolimi i gjuhës në këto 40 vjet”, duke pohuar se, gjoja, me këto çështje është marrë në këto vitet e fundit edhe Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe.

Por dashamirësit e gjuhës së njësuar dhe lëvruesit e saj të kualifikuar e kuptojnë lehtë se këtu Dekani nuk thotë të vërtetën. Se ata e dinë mirë që ky Këshill, siç e dëshmojnë edhe publikimet e tij të shpeshta ne masmedian shqiptare, ka pasur e ka në shënjestër jo ato për të cilat flet Profesor Shezaiu, por sulmin kundër standardit, kundër gjuhës së njësuar, e cila mori formën e saj përfundimtare në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.

Në këtë breg del, si “rastësisht”, por jo mjeshtërisht, Dekani edhe kur, si anëtar i Këshillit Ndërakademik, shkruan, si edhe disa kolegë të tij shkodranë, se “gjuha shqipe po i (?!) shpëton kthetrave të ideologjizmit”. Sepse, sipas tij, kjo gjuhë “ishte cikatrizuar (?!) në atë prototip të ideologjizuar që kërkonte zbatimi i dogmës”. (?!) Dhe, si për t`i dhënë krahë antikomunizmit të tij në fushën e gjuhësisë, na kujton parullën e viteve të socializmit “Të luftojmë rehatinë personale”!

Nisur nga kjo parullë, Profesori le të kuptohet se e keqja e standardit, qenka se “sot fëmijët nuk e kuptojnë këtë” parullë : ideologjike”. (?!) Se, sipas tij, “dogma orientoi edhe një tip ligjërimi të caktuar”, të cilin “shqiptarët kanë nevojë ta shkarkojnë” (?!), sepse mbi këtë tip ligjërimi “ata ndërtuan mënyrën e tyre të jetesës”. (?!)

Dhe “konkluzione” të tilla i çuditin jo thjeshtë gjuhëtarët, por edhe folësit e kualifikuar të gjuhës së njësuar. Se, për të mos u zgjatur, mënyra e jetesës nuk përcaktohet asnjëherë nga “tipat e ligjërimit”, por nga tipi i marrëdhënieve në prodhim, për të shkuar deri tek “tipi i shtetit” në një periudhë të caktuar të zhvillimit të shoqërisë. Se “tipi i ligjërimit” ka vetëm aftësinë për ta pasqyruar një mënyrë jetese të caktuar!

Por Profesorin nuk e ndihmon dot anekdota disi bajate e zgjedhur prej tij, për të “argumentuar” ca rrethana që, sipas tij, i bëjnë jo vetëm të nevojshme, por edhe të domosdoshme ndërhyrjet në standard. Dhe këto “rrethana”, sipas tij, paskan të bëjnë me “zhvendosjen e popullsisë pas viteve nëntëdhjetë”, zhvendosje që kërkoka (?!) edhe “zhvendosjen e fjalës bashkë me njeriun”. (?!)
“Tezë” interesante kjo e profesorit! Tezë e padëgjuar më pare në shkencën e gjuhësisë! Tezë, sipas të cilës, ta zëmë, të ardhurit nga Tropoja e Kukësi, a, ndoshta, edhe nga arbëreshët e Italisë në Tiranë, t`u “imponojnë” kryeqytetasve “tipin e tyre të ligjërimit”, ose, më e pakta, të kenë “të drejtë” të thonë, siç thotë edhe Profesori Shezaiu se “standardi u ka “borxh”. (?!)

Vërtetë për të qeshur e për të qarë për këtë “konkluzion” të Dekanit! Se, tek e dëgjon të shprehet kështu, të vjen ta pyesësh: A mund t`i imponojë “ndryshime” gjuhës së njësuar të një kombi lëvizja demografike në rrjedhën e kohërave? A i kanë tronditur themelet e gjuhës italiane lëvizjet e popullsisë për më shumë se 600 vjet nga Veriu në Jug e anasjelltas?! Po në Angli, Gjermani e Rusi a ka “lindur nevoja e ndryshimit” të gjuhëve kombëtare, pas lëvizjeve të mëdha demografike në rrjedhën e shekujve?!

Por Profesori i çudit edhe më shumë dashamirësit e gjuhës së njësuar, kur, edhe pse kanë kaluar më shumë se 40 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit, e quan gjuhën tonë letrare kombëtare “Gjuhë në proces standardizimi”, (?!) duke harruar se “de facto” e “de jure”, “procesi i standardizimit” të gjuhës sonë ka filluar që me botimin e Fjalorit të Gjuhës Shqipe në vitin 1954 dhe ka përfunduar me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972!
Sidoqoftë, Profesori nuk është “rastësisht” profesor! Ai e ka vrarë jo pak mendjen për të stisur termin “Gjuhë në proces standardizimi”! Se ky term i hap udhë atij të kalojë tek një tjetër ide “origjinale”-lejimin e varianteve të ndryshme në gjuhën e njësuar” (?!), gjë që do të shënonte edhe goditjen përfundimtare ndaj gjuhës sonë letrare kombëtare, shembjen e këtij monumenti që e patën ngritur mendjet më të ndritura të gjuhësisë shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit njëzet!

Këtë të vërtetë, në intermexot e intervistës së tij, duket se Profesori e kupton, por, duke qenë anëtar i një organizmi që i ka vënë vetës si qëllim shembjen e standardit si “krijesë të komunizmit”, është edhe i dyzuar e kontradiktor me vetveten: Edhe pohon se “ndryshimet në standard duhet të jenë të përgjithshme dhe sa më pak”, edhe shprehet se “shqiptarët sot kanë probleme me standardin dhe për këtë nuk mund t`i fajësojmë”. (?!)
Dhe duhet pyetur përsëri Dekani: Teza Juaj, sipas të cilës “ndryshimet në standard duhet të jenë të përgjithshme” a nuk na thotë se standardi duhet përmbysur?! Po “shqetësimi” Juaj se “shqiptarët sot kanë probleme me standardin dhe për këtë nuk mund t`i fajësojmë”, nga ç`motive ka lindur dhe “shqetësimet” e kujt përcjell?!

Se “probleme me standardin”, me gjuhën e njësuar shqipe, me sa dimë, nuk kanë pasur shqiptarët as në vitet e socializmit e as në ditët tona! “Problemet me standardin” nisën të lindin pas viteve nëntëdhjetë në radhët e një grushti intelektualësh antikomunistë, të cilët kërkonin, si edhe në fusha të tjera të jetës, “kthimin tek niveli zero”, të frymëzuar nga parulla: “Të çrrënjosim komunizmin”!

Ndaj, si ish pjesëmarrës dhe diskutant në Kongresin e Drejtshkrimit, si autor i 12 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë, por edhe si qytetar i këtij vendi, guxoj të them se Dekani i Fakultetit Histori-Filologji gabon rëndë edhe në shkencë edhe në politikë, kur e bashkon zërin e tij me zërin e të djathtës shqiptare, kur, nën presionin e kolegëve të tij në Këshillin Ndërakademik, “projekton” deri edhe “një referendum” që do të përcaktonte tipin e standardit të nesërm të gjuhës së njësuar shqipe. (?!)

“Jo, Profesor, do t`i thosha Dekanit tonë të nderuar! Në shkencë nuk operohet me “vijën e masave”! Në shkencë nuk operohet me referendume! Se shkencën e bëjnë shkencëtarët dhe jo “masat”! “Vija e mesit të artë” që keni zgjedhur, në fakt, u ka bashkuar me atë grusht gjuhëtarësh me mendësi krahinore e alergji antikomuniste, të cilët e konsiderojnë standardin si “produkt të diktaturës komuniste”.
Por duhet ta dini se karta e “antikomunizmit”, që tundin në erë, nuk i ndihmon dot atentatorët e gjuhës së njësuar shqipe, këtij monumenti madhështor të kulturës shqiptare, që u ngrit në gjysmën e dytë të shekullit njëzet!!

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike