Të shtëna me armë u regjistruan pak para mesnatës së të premtes ndaj një lokali në zonën e Agios Panteleimonas, në Athinë, duke lënë të plagosur një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila ndodhej brenda në momentin e sulmit.

Sipas informacioneve të mediave greke, ngjarja ndodhi rreth orës 23:50, në rrugën “Agorakritou 32”, kur persona ende të paidentifikuar, që lëviznin me një automjet, kaluan përpara kafenesë “Amora” dhe hapën zjarr në drejtim të fasadës së lokalit.

Nga të shtënat mbeti e plagosur në këmbën e majtë, në pjesën e pulpës, vajza 10-vjeçare e pronarit të kafenesë, Denis Lulit. E mitura u dërgua menjëherë nga nëna e saj në Spitalin e Fëmijëve.

Sipas informacioneve paraprake, në automjet ndodheshin katër persona, të cilët qëlluan nga brenda makinës dhe më pas u larguan nga vendngjarja. Në momentin e sulmit, brenda kafenesë ndodheshin 10 klientë, të gjithë shqiptarë.

Automjeti i përdorur nga autorët u gjet i djegur pak më vonë në zonën e Aspropyrgos. Ende nuk është sqaruar nëse 10-vjeçarja është plagosur drejtpërdrejt nga një plumb apo nga ndonjë xham. Sipas informacioneve të deritanishme, vajza është jashtë rrezikut për jetën.

Dyshohet se babai i saj, 30-vjeçari Luli, ishte shënjestra e sulmit që mund të jetë porositur nga Klodian Lekocaj, 49-vjeçarit nga Berati të njohur si Klod Cara dhe 'dora' pas shumë ngjarjeve të rënda në shtetin fqinj.

Kush është Klodian Lekocaj

Klodian Lekocaj është një nga emrat më të njohur të botës kriminale shqiptare në Greqi. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e avokatit të njohur grek Mihalis Zafeiropoulos, një ngjarje që tronditi Athinën në tetor të vitit 2017.

Lekocaj, i konsideruar nga një pjesë e mediave greke si kreu i “mafias shqiptare” në burgun e Koridhalos, u akuzua si një nga porositësit e vrasjes së avokatit, së bashku me shqiptarin tjetër Oldi Dulçe. Ndërkohë, sipas hetimeve të autoriteteve greke, rolin e ekzekutorit e kishte Mikel Brahimaj.

Sipas dosjes hetimore, Brahimaj kishte shkuar në zyrën e avokatit në Athinë së bashku me një tjetër shqiptar, Aleksandro Mata, i cili ka mohuar nga arratia përfshirjen në krim.

Prokuroria greke ka arritur në përfundimin se vrasja lidhej me një skemë gjobëvënieje. Sipas hetimeve, autorët synonin të shantazhonin avokatin, i cili përfaqësonte biznesmenin grek Aristidis Floros, për të përfituar shuma të mëdha parash.

Vetë Floros ndodhet në burg dhe po vuan një dënim prej 21 vitesh, pasi u shpall fajtor për përfshirje në një tjetër çështje që lidhej me tentativën për vrasjen e një avokati në vitin 2014.

Lekocaj u dënua me burgim të përjetëshëm në tetor të vitit 2019.